Buxheti i rishikuar merr 73 vota, përveç opozitës mungon Berisha
Buxheti suplementar, i cili do t’i shkurtojë 18, 3 mld lekë shpenzime dhe 14 mld lekë të ardhura arkës së shtetit, është miratuar dje në parim, në seancë plenare, vetëm me 73 votat e maxhorancës. Një çështje kaq e rëndësishme si buxheti i shtetit, mbajti larg sallës së parlamentit jo vetëm opozitën, që e ka bojkotuar prej kohësh jetën kuvendore, por edhe kreun e qeverisë, Berisha, si iniciator i kësaj tradite për rishikimin e buxhetit në mesvit. Seanca e djeshme konsiderohet më e vakta, në lidhje me diskutimet për buxhetin, drafti i të cilit kaloi në parim në paqe dhe pa kundërshtime. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë fjalës së tij në prezantimin e buxhetit suplementar, pasi bëri një përmbledhje të ekonomisë së vendit, argumentoi rishikimin e buxhetit në mes vit, me synimin e ruajtjes së stabilitetit të financave publike dhe për një nivel të qëndrueshëm të makroekonomisë së vendit. “Rishikimi që ne i bëjmë buxhetit të vitit 2011, synon së pari të përshtatë zhvillimet në financat publike, me atë ç’ka ndodhi dhe u përjetua në ekonominë reale në periudhën e 6-mujorit parë të vitit dhe së dyti, për të reflektuar një sërë masash dhe reformash të ndërmarra nga ana e qeverisë, në fushën e financave publike, por edhe në shumë sektorë të ekonomisë reale apo asaj financiare”, - tha Bode. Kreu i Financave parashikon për 2011 një rritje pozitive të ekonomisë në nivelin e 5% të PBB, çka sipas tij do të ishte më e larta në rajon dhe më gjerë. Dhe si rrjedhojë, sipas Bodes, projekti i ndryshimeve që u paraqit në seancë për t’u votuar, konsiston në uljen e vëllimit të shpenzimeve të programuara dhe afrimin e të ardhurave, në përputhje me këtë projektligj. “Buxheti i rishikuar synon edhe një herë të mbajë si objektiv të pacenuar një deficit buxhetor, që të mos jetë më i madh se 3.5 të PBB-së, një borxh publik i cili të mos kalojë nivelin prej 60 % të tij, edhe pse rritja e kohëve të fundit është konvencionale, që vjen nga kursi i këmbimit, apo nga zgjidhja e borxheve me vendet ish-komuniste, apo detyrimet që ka pasur shteti shqiptar para viteve ’90, që përbën dhe rreth 2 pikë përqindje të PBB-së. Synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe krijimin e mundësive dhe kushteve më të mira për ekonominë reale, për t’u financuar nga tregjet financiare të brendshme, nga raportet me administratën fiskale”, - u shpreh kreu i financave. Në të njëjtën kohë, sipas tij, ky rishikim synon të mbajë të paprekur ose të prekë në minimum, ato që janë shpallur si prioritete të qeverisë dhe në mënyrë të veçantë, të vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve, masë e cila është deklaruar nga qeveria dhe po fillon zbatimi në parametrat pozitivë, në raport me inflacionin. Kjo, vijoi Bode, do të thotë që të kemi një rritje reale pozitive të kërkesës konsumatore familjare, përgjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2011. Ndërsa deputeti demokrat, Florion Mima, nënvizoi mungesën e opozitës duke u shprehur se “maxhoranca nuk e ka fatin të ketë një opozitë të përgjegjshme, por një sallë bosh”. Në të njëjtën kohë, deputeti tjetër demokrat, Subi Hida duke vlerësuar rishikimet në buxhet përgëzoi qeverinë për reformat në sistemin fiskal që, sipas tij, kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e financave publike. Duke iu referuar një studimi, ai vlerësoi se nëqoftëse nga 2006 nuk do të ishin ulur taksat për biznesin, arkës së shtetit do t’i shkonin 260 mln euro, por ulja e taksave sipas tij ka ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit, si të atij vendas dhe atij të huaj.