Amerika Latine, Kirshner, liderja e pestë që preket nga kanceri
Presidentja argjentinase Kristina Kirshner vuan nga tumori në tiroide. Ajo do të operohet gjatë ditëve të para të janarit, duke ia lënë drejtimin e vendit për një muaj zëvendësit të saj. Zëdhënësi i qeverisë ka saktësuar se sëmundja e rëndë nuk ka prekur ende sistemin limfatik dhe mjekët nuk kanë konstatuar asnjë shenjë metastaze.
Presidentja Kirshner zbuloi se ishte prekur nga kanceri i tiroides më 22 dhjetor gjatë një kontrolli rutinë. Sipas specialistëve, mundësitë e shërimit të plotë janë shumë të mëdha. Ndërkohë, drejtimi i Argjentinës do ti besohet zëvendëspresidentit Amado Boudou.
Precedentët
Rasti i presidentes argjentinase e çon në 5 numrin e liderëve politikë të prekur nga kanceri në Amerikën Latine. Në 2009-n, Dilma Rouseff, ministre në qeverinë braziliane, iu nënshtrua kimioterapisë pasi zbuloi se vuante nga tumori limfatik. Pasi u shërua, ajo nisi fushatën elektorale që i dha fitoren vitin e kaluar.
Dy muaj më pas, vetë presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva u prek nga kanceri i grykës dhe nisi një seri trajtimesh mjekësore, të cilat çuan në përmirësimin e gjendjes së tij.
Në Paraguai dhe Venezuelë, kanceri ka prekur liderët që janë ende në pushtet. Fernando Lugo ka arritur ti shpëtojë vdekjes, pasi u kurua me sukses për limfomën në një spital të Brazilit, ndërsa më e paqartë mbetet gjendja shëndetësore e Hugo Çavezit.
Lideri i Venezuelës iu nënshtrua një operacioni në Kubë korrikun e shkuar dhe që atëherë vijon të trajtohet në ishullin komunist, por pa dhënë detaje në lidhje me ecurinë e sëmundjes. Mendohet se Çavez vuan nga kanceri i prostatës apo kolonës vertebrore. Vetë ai deklaron se është shëruar dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
E papritur në Argjentinë
Pavarësisht se lajmi i sëmundjes së presidentes Kirshner ishte i papritur, në Argjentinë diskutohej prej kohësh në lidhje me gjendjen e saj shëndetësore. Gjatë viteve të fundit, ajo është detyruar disa herë të anulojë takime zyrtare për arsye shëndetësore.
Zyrtarisht është thënë se ajo vuan nga presioni i ulët i gjakut dhe probleme që lidhen me stresin. Kirshner ka refuzuar mjekimin në strukturën spitalore të presidencës dhe do të operohet në një klinikë private në Buenos Aires në 4 janar.
Përgatiti: Gazmira Ndoja