E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika me çelik shqiptar

Helidon Xhixha ekspozon në panairin ndërkombëtar të artit bashkëkohor, MiArt, në Itali


Për të katërmbëdhjetin vit radhazi, në Milano, Itali, organizohet panairi i artit modern dhe bashkëkohor.


Në rrugët dhe sheshet e Milanos janë vendosur vepra arti të rreth 140 galerive të vendeve të ndryshme të botës. Koleksionet e tyre përfshijnë punë artistike të krijuara që nga fillimet e viteve 1900 e deri në ditët e sotme. Panairi është konceptuar në formën e një ekspozite panoramike, me piktura, skulptura, foto dhe video të ndara në dy seksione: "Bashkëkohor" dhe "Modern".


Sektori bashkëkohor përmbledh veprat e artistëve që tashmë kanë një emër, të artistëve të emergjencës, si dhe të rinjve, ndërsa sektori i dytë u përket emrave që tashmë janë shkruar në historinë e artit.


Në rrugët dhe sheshet e Milanos janë vendosur instalacione dhe skulptura të mëdha, të cilat do të qëndrojnë deri më 20 prill.


Nën grupimin "Mirazh", ku ekspozohen instalacione monumentale në vende publike, prezantohet edhe artisti shqiptar Helidon Xhixha. Artisti risjell në kujtesën e njerëzve ngjarjet e ndodhura në Amerikë, më 11 shtator 2001. Kullat Binjake janë riprodhuar edhe një herë sipas versionit të Xhixhës; dy skulptura të mëdha në çelik, ku në çatinë e njërës prej tyre janë vendosur disa yje, simbole të flamurit amerikan.

Kjo vepër do të qëndrojë e ekspozuar në sheshin "Vigili del Fuoco", në Calzari, deri më 20 prill.


Xhixha, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Itali, u lind në qytetin e Durrësit, në 1970-ën. Fëmijërinë e kalon në studion e të atit, Sali Xhixha, nga i cili trashëgoi edhe pasionin për "artet e bukura" e sidomos për skulpturën. Ndërkohë që priste të fillonte studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, vendos të largohet për në Itali.

Në vitin 1993, falë një burse studimi, i krijohet mundësia për të ndjekur një kurs pikture në Universitetin Kingstone, në Londër, gjë që i jep mundësinë për të përmirësuar teknikat skulpturës, instalacionit dhe fotografisë. Në vitin 1999 Xhixha diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura të Milanos.

Ai eksperimenton duke realizuar vepra në qelq të Muranos. Por, më shumë spikat për natyrën e veçantë të krijimeve të tij në çelik dhe inoks.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›