E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i shtetit apel partive të bashkëpunojnë

Kartat


"Partitë politike, administrata duhet të gjejnë për të ardhur pastaj padiskutim në një kohezion".

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka bërë apel partive politike të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje për debatin lidhur me kartat e identitetit.
Deklarata e kreut të shtetit është bërë sot, pas një veprimtarie kulturore të Komunitetit Mysliman, ku ai iu përgjigj interesimit të medias për mundësinë e thirrjes nga Presidenti i Republikës të një tryeze të partive politike.

"Partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin dhe unë besoj që është angazhimi, për të ardhur pastaj padiskutim në një kohezion të të gjithë forcave politike. Besoj që të gjithë kanë mundësinë, shansin që të angazhohen dhe të prononcohen.

Është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë një politikan, të prononcohet në funksion të asaj që është e rëndësishme',- deklaroi ai. Thirrja e kreut të shtetit vjen pikërisht në kulmin e debatit me opozitës që kërkon pajijen e qytetarëve me karta identiteti falas dhe vendosmërisë së qeverisë, vetëm për lehtësimin e disa kategorive.

Në përgjigje të pyetjes nëse rrezikon që historia e certifikatave të përsëritet me kartat e identitetit, duke rrezikuar zgjedhjet dhe procesin e integrimit dhe nëse ka vend për një ndërhyrje nga ana e Presidentit të Republikës, Topi vuri në dukje se ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk ka vend për pesimizëm.

"Partitë politike duhet të sintenzionohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t'iu bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë për demokracinë",- shtoi më tej ai.

Për përmbylljen me sukses të asaj që konsiderohet më e rëndësishmja për demokracinë shqiptare, zgjedhjet e qershorit, Topi ka pohuar se kërkohet angazhimi i të gjithëve dhe dialog.

Ai nuk ka harruar të ftojë të gjithë shqiptarët për të aplikuar dhe për t'u pajisur me karta identiteti. Dhe kjo, jo vetëm për procesin e zgjedhjeve, por edhe për një sërë përfitimesh të tjera, e në fund edhe si një detyrim, pasi secili duhet të identifikohet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›