Turizmi, viktima e parë e krizës globale
Agjencitë turistike në vend parashikojnë ulje të ndjeshme të personave që do të kalojnë pushimet jashtë vendit.
TIRANË- Shqiptarët, gjatë këtij sezoni veror, pritet të udhëtojnë më pak se vitet e tjera jashtë vendit për pushime verore.
Kriza ekonomike që po kalon ekonomia botërore dhe zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme elektorale në fund të muajit qershor, pritet të jenë dy faktorët kryesorë që parashikohet të ndikojnë në uljen e kërkesës së shqiptarëve për t'i bërë pushimet jashtë vendit.
"Në kushtet kur vërehet një ulje e të ardhurave, ai që e pëson i pari është turizmi, pasi konsiderohet mall luksi, dhe është i pari që sakrifikohet", - shprehet administratori i një prej agjencive turistike më të mëdha që operojnë në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Aeroportit "Nënë Tereza", gjatë sezonit të vitit të shkuar, nga Shqipëria drejt destinacioneve si, Turqia, Egjipti, Tunizia, etj., kanë fluturuar mesatarisht 12 avionë charter në javë, më të cilët, gjatë gjithë sezonit kanë udhëtuar rreth 8400 pushues shqiptarë.
Duke llogaritur edhe njerëzit që kanë udhëtuar me avionë linje, sipas Shoqatës Shqiptarë të Turizmit, numri i plotë i shqiptarëve që kanë kaluar pushimet jashtë vendit, gjatë sezonit të verës së kaluar, arrin rreth 15 mijë. Por, shpresat që kjo shifër të përsëritet edhe këtë vit janë shumë të vogla.
Me gjithë numrin e madh të agjencive që ofrojnë shërbime turistike në vend, jo më shumë se shtatë prej tyre kanë marrë përsipër të porosisin charter për sezonin e këtij viti. Zakonisht, shumica e agjencive që marrin charter, bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, duke ndarë vendet e avionit në raport me hapësirën që zënë në treg dhe numrin e pushuesve që parashikojnë të dërgojnë.
Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, një vit më parë, shqiptarët shpenzuan në udhëtimet e tyre për pushime jashtë shtetit, rreth 900 milionë dollarë, duke shënuar një rritje më 200 milionë dollarë në krahasim më vitin 2007.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, një familje prej katër personash, parashikohet të ketë shpenzuar rreth 2000 euro për një pakete dhjetëditore.
"Shuma mesatare e shpenzimeve për dy persona që kanë zgjedhur të shkojnë me pushime jashtë vendit, gjatë vitit 2008, ka qenë 1500 euro, ndërkohë që, një familje me dy fëmijë ka shpenzuar mesatarisht 2000 euro", - bën me dije, Genc Pasko, kryetar i SHSHT-së.
Të dhënat tregojnë se shpenzimet që bëjnë pushuesit shqiptarë jashtë vendit, janë shumë të larta lartë në raport me të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri.
Për vitin 2008, Ministria e Financave raporton se, të ardhurat për frymë të shqiptarëve, në fund të vitit 2008 ishin 4200 dollarë. Kjo shifër është sa 22 për qind e të ardhurave mesatare të popullsisë së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.