E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika ndryshon kurs, vizita e parë e Klintonit në Azi

Hilari Klinton ka zgjedhur
Azinë si zonën ku do të
kryejë edhe vizitën e saj
të parë diplomatike në pozicionin
e sekretares së Shtetit. Për shumë
analistë, një veprim i tillë përbën
një ndryshim të dukshëm të
prioriteteve të Shteteve të Bashkuara
për sa i përket politikës së
jashtme. Gjatë vizitës së saj, që do
të përqendrohet në disa çështje
dhe do të shtrihet në disa vende
kyçe të Azisë, Klinton shpreson që
të sigurojë aleatët e kahershëm të
vendit të saj për vazhdimin e politikës
miqësore dhe sidomos për
vazhdimësinë e politikës në lidhje
me Korenë e Veriut, si dhe të
krijojë mundësinë e zhvillimit të
një marrëdhënie sa më produktive
me Kinën. Vendi i parë aziatik
që do të vizitojë Klinton do të jetë
Japonia, më pas renditet Indonezia,
Koreja e Jugut dhe Kina. Kjo
zgjedhje i ka lënë pak të habitur
aleatët tradicionalë të Amerikës
në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Ndërkohë që vetë Presidenti
Obama nuk është prononcuar
shumë në lidhje me politikat ndaj
Azisë, analistët mendojnë se vizita
e Klintonit, në vetvete përbën
një sinjal shumë të fuqishëm
të politikës së re të ndryshimit
të Obamës dhe rigjallërimit të
marrëdhënieve me aleatë të
rëndësishëm të Uashingtonit
në rajon si Japonia dhe Koreja
e Veriut. Një nga objektivat e
Klintonit, këtë herë është edhe
vendosja e një lidhjeje më të
ngushtë bashkëpunimi më Kinën,
pasi ajo është një faktor
shumë i rëndësishëm jo vetëm
në stabilitetin e rajonit dhe
marrëdhëniet konfliktuale me
Korenë e Veriut, por edhe për
sa i përket krizës ekonomike
botërore dhe çështjeve të klimës.
Duket se amerikanët, këtë herë
do të dinë se cilat janë vetë prioritetet
e Kinës në marrëdhënien
me SHBA-në. Klinton është
këshilluar që gjatë kësaj vizite të
mos i sulmojë kinezët në lidhje
me pikat e tyre të dobëta, por të
përqendrohet në çështjet e urave
të bashkëpunimit. Vetë Shtetet e
Bashkuara do të donin që Kina
të bënte më shumë në lidhje
me mbështetjen e kërkesës së
brendshme për konsum dhe të
deduktonte mbështetjen e saj
tek eksportet për të rigjeneruar
rritjen e ekonomike. Për sa i përket
çështjes delikate të Koresë
së Veriut, Klinton ka deklaruar
se do të jetë pro dialogut dhe
diplomacisë, por edhe se vendi i
saj do të mbështesë dhe mbrojë
vendet që ndihen të kërcënuara
nga ambicia bërthamore e vendit
komunist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›