Kosova në OKB me dy draftrezoluta apo me një rezolutë “kompromisi”

Dhënia e verdiktit të GJND-së në formën e një mendimi këshillëdhënës se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ka rikthyer në agjendën e diplomacisë ndërkombëtare çështjen e Kosovës. Kanë lëvizur nga ana e tyre natyrshëm edhe diplomacia kosovare dhe ajo serbe. E para, duke e prezantuar si triumf të plotë të saj, dhe e dyta, duke e interpretuar Mendimin e GJND-së si përgjigje vetëm në aktin formal të shpalljes, por jo edhe si përgjigje në veprimin që ka sjell ky akt, pra shkëputjen e Kosovës. Në një realitet të tillë, s’do mend se shumë më i shqetësuar është ndier Beogradi zyrtar, i cili ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme dhe maratonike të Kuvendit të Serbisë, e që në fund pothuaj me unanimitet ligjvënësit kanë mbështetur vazhdimin e “betejës” diplomatike dhe politike për Kosovën. Prishtina nga ana e saj me të drejtë ka festuar e bindur se pavarësia tashmë është vulosur nga drejtësia ndërkombëtare. Opinioni i gjerë kosovar, përveçse e ka mirëpritur, është treguar i përmbajtur dhe falënderues për mbështetjen e madhe që kanë dhënë për këtë miqtë ndërkombëtarë nga e gjithë bota, por në veçanti SHBA-ja dhe vendet e BE-së. Nga ana e tyre institucionet e vendit, të cilat, siç duket, nuk e kishin pritur një mendim kaq afirmativ dhe të favorshëm për Kosovën, u përfshinë paksa nga euforia dhe vetëkënaqësia kur deklaruan se ky është fundi i pavarësisë së mbikëqyrur. Pa pasur as më të voglën dozë të dyshimit se e ardhmja e Kosovës është pavarësia e plotë dhe integrimi i saj në strukturat euroatlantike, dua të nënvizoj se, referuar rrethanave më optimale në zhvillimet ndërkombëtare, (kupto përmirësimin e mëtejmë të marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe SHBA-Kinë), Kosova megjithatë ka një rrugë relativisht të gjatë përpara vetes deri tek zëvendësimi i Rezolutës 1244, dhe akoma më të gjatë mundësinë e zëvendësimit të saj më një rezolutë që legalizon pavarësinë e plotë të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB, ani pse politikisht përgatitjet dhe kërkesa për këtë duhet të bëhet që tani e këtej pa reshtur nga pala kosovare. Sado i rëndësishëm dhe i qartë të ketë qenë Mendimi i GJND-së sipas interpretimit tonë, në optiken e shteteve kundërshtare të pavarësisë së Kosovës ai paraqet vetëm një opinion joobligativ të një organi, i cili në vijimësi është injoruar nga vende respektive, anëtare të OKB-së, për sa herë që nuk ka qenë në përputhje me interesat e tyre. Le të kujtojmë lexuesin se më shumë se gjysma e vendeve anëtare nuk e kanë njohur formalisht institucionin e GJND-së. P.sh. Austria përmes një deklarate ka pranuar se e njeh juridiksionin e GJND-së vetëm në vitin 1971, Gjermania në vitin 2008. Ndërkaq mendimet e saj janë anashkaluar nga Afrika e Jugut me rastin e intervenimit të saj ushtarak në Namibi, nga Franca, me rastin e testimit të armëve bërthamore në vitin 1973, nga SHBA në vitin 1948 me rastin e intervenimit në Nikaragua, etj. Tani kur qartë është paralajmëruar se në sesionin e ardhshëm, të 65-in, të OKB-së do të jetë temë e diskutimit Kosova, Mendimi këshillëdhënës i GJND-së, draftrezoluta serbe dhe më gjasë edhe ndonjë rezolutë tjetër për Kosovën, e sponsoruar nga ndonjë vend i BE-së, situata bëhet paksa e komplikuar. Në ditët që lamë pas qenë dy momente që paksa e kanë zbehur rëndësinë e Mendimit e GJND-së: deponimi i draftrezolutës serbe dhe seanca e fundit e KS të OKB-së. Më këto veprime Serbia po synon që të pengojë, sa të jetë e mundur njohjet e reja për Kosovën me dëshirën që çështjen e Kosovës ta dërgojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe atje të imponojë draftrezolutën e saj të “harmonizuar” dhe “plotësuar”, përpara se të jetë ndryshuar raporti numerik brenda asamblesë në favor të vendeve që e kanë njohur Kosovën. Kjo s’do mend se është shqetësuese për Kosovën. Referuar procedurave të punës në Asamblenë e Përgjithshme lidhur me diskutimin dhe votimin e rezolutave qartë është e përcaktuar se e para diskutohet dhe votohet rezoluta që është deponuar e para. Madje nëse ka më shumë se një draftrezolutë për një çështje gjithmonëë në votim hidhet ajo që është deponuar e para dhe nëse kjo merr shumicën e votave, atëherë rezoluta e dytë konsiderohet se nuk ka nevojë të futet fare në votim. Ne rastin e sesionit të radhës së OKB-së, rezoluta serbe është deponuar e para dhe rrjedhimisht ajo do të hidhet e para në votim. Ky fakt do ta vinte në pikëpyetje idenë e sponsorimit të një draftrezolute të dytë dhe do t’i hapte rrugë opsionit të “negocimit” të draftrezolutes serbe për të “plotësuar” atë dhe bërë të pranueshme për të dyja palët. Në këtë rast ka shumë të ngjarë që të dalë një rezolutë e “kompromisit”, e cila sigurisht nuk do të kënaqte asnjërën palë, por gjithmonë ekziston droja se Serbia ka arritur ta prezantojë veten mjaft me sukses si “humbësja e madhe”, andaj disa lëshime për të “pajtuar” duhet bërë asaj. Kjo që u tha më sipër është ajo ana indiskrete në diplomaci, e cila shihet qartë nga larg dhe ata që ndjejnë përgjegjësi morale dhe institucionale i bënë ta thonë lakuriq e tillë çfarë është. Vetëm le të kujtojmë sa shkalla e diskrecionit në diplomacinë bashkëkohore nuk është aq e lartë siç pretendojnë disa.
Në fund, konsiderojmë se diplomacia kosovare duhet të punojë dhe të imponohet më shumë para dhe gjatë sesionit të ardhshëm të OKB-së për të krijuar një frymë që do të sjellë epilog të favorshëm për vendin. Nuk është koha që të mburremi me atë që po bëjnë të tjerët për Kosovën dhe të mos ndihemi përgjegjës për atë që nuk po bëjmë vetë.
(Autori është anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe profesor në UP)
Në fund, konsiderojmë se diplomacia kosovare duhet të punojë dhe të imponohet më shumë para dhe gjatë sesionit të ardhshëm të OKB-së për të krijuar një frymë që do të sjellë epilog të favorshëm për vendin. Nuk është koha që të mburremi me atë që po bëjnë të tjerët për Kosovën dhe të mos ndihemi përgjegjës për atë që nuk po bëjmë vetë.
(Autori është anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe profesor në UP)