E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët: Shpërthimi në Gërdec, nga 15 mijë predha

Ekspertët amerikanë kanë përcaktuar se në depon e armatimit në Gërdec ndodheshin 15 mijë predha dhe 500 tonë barut, armatim që mund të përdorej edhe për një luftë civile. Sipas "Top Channel", punishtja e çarmatimit të Gërdecit, 15 marsin e shpërthimit tragjik kishte të magazinuar sasira të frikshme municionesh, tonelata baruti dhe qindra predha. Konkluzionet vijnë nga ekspertë të huaj të ATF-së, të cilët pasi llogaritën përgjatë një jave kraterin e Gërdecit, perimetrin e vatrës dhe dëmet e shkaktuara kanë dorëzuar një material voluminoz, që flet jo vetëm për llojin e municioneve, por edhe shkakun përse ndodhi shpërthimi. Sipas burimeve, gjashtë ekspertët amerikanë të ATF-së apo Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivit u kanë thënë autoriteteve shqiptare se zanafilla e tragjedisë së Gërdecit ishte pikërisht një karrocë që po saldohej dhe shkëndijat e saj i kanë vënë zjarrin fillimisht një sasie të vogël baruti, duke shkaktuar më pas plasjen e tre grumbullimeve të vogla me barut e më tej, shpërthimin e më se 500 tonëve. Vatra e tragjedisë, sipas amerikanëve, është 10 metra në brendësi të hyrjes kryesore, ose atje ku gjendej porta e punishtes së çmontimit. Të saktë dhe me përllogaritje që nisin nga thellësia e secilit krater, perimetri i tyre e të dhëna që janë siguruar mbi skanimin e terrenit ku deri në 15 mars gjendej punishtja famëkeqe, amerikanët vlerësojnë se krater quhet gjithë territori që kap 30 hektarë përreth vatrës. Të gjitha këto të dhëna të radhitura në formën e analizave, shifrave dhe studimeve u janë dorëzuar hetuesve shqiptarë nga agjentët amerikanë të ATF-së, këta të fundit, me një mision 10-ditor të përfunduar në Shqipëri, duke lënë zyrtarët e Tiranës me një dosje që hedh dritë mbi të dhëna tronditëse. Ndërkaq, hetuesit kanë sekuestruar disa kaseta filmike në momentin e shpërthimit dhe po analizohen efektet që ka prodhuar shpërthimi në shtëpitë përreth. Ndërsa hetimet po vazhdojnë me mbledhje deklaratash, marrje në pyetje, si dhe sekuestrim dokumentesh, burimet sqarojnë se është siguruar gjithashtu edhe dokumente që flasin për furnizimin e repartit të Gërdecit nga 26 depo në rrethe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›