E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Përmetit miraton 40 kërkesa për kombësi greke në vit

Sipas të dhënave të Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Përmetit, llogariten se rreth 40 persona nga ky qytet ndryshojnë me vendim gjykate kombësinë e tyre nga shqiptare në greke. Përgjegjësja e kësaj zyre, Pranvera Lapaj, thotë se ndryshimi i kombësisë për shtetasit bëhet vetëm me vendim gjyqësor, ndërsa zyrat e gjendjes civile kanë në kompetencë vetëm ndryshimin e emrave, mbiemrave, apo dhe ndryshimin e emrit të nënës, babait, gjyshes, apo gjyshit.

Në kompetencë të zyrave të gjendjes civile është edhe pasqyrimi i lejeve të banimit të shtetasve që dëshirojnë të ndryshojnë vendbanimin e tyre "Pas ndryshimeve politike që i hapën rrugën lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë brenda vendit, leja e banimit lëshohet nga zyrat e gjendjes civile me një firmë të thjeshtë të kryetarit të bashkisë apo komunës pas paraqitjes së kërkesës së bërë nga kryefamiljari. Gjatë vitit të lakuar, ne si bashki kemi pasur vetëm 40 shtetas që kanë marrë lejen e banimit në qytetin e Përmetit, ndërkohë që rreth 30 shtetas nga Përmeti kanë kërkuar të largohen me banim në qytete të tjera. Dinamika e lëvizjes së lirë të popullsisë ka ardhur duke u ulur dhe kjo dinamikë ka bërë që numri i popullsisë të jetë konstant nga 10 mijë e 500 deri në 19 mijë e 620 banorë që janë regjistruar në fund të vitit 2007", sqaron shefja e zyrës së gjendjes civile Pranvera Lapaj.

Ajo thotë se pjesa më e madhe e të ardhurve janë nga zonat e thella rurale të Përmetit dhe Skraparit dhe vetëm 4 familje kanë kërkuar dhe kanë ardhur për të banuar në qytetin e Përmetit. Duke iu referuar informacioneve nga Zyra e Gjendjes Civile në Fier, që flet për transferime familjesh nga Fieri në Përmet, Pranvera Lapaj sqaron se "familjet e ardhura nga Rrethi i Fierit kanë qenë familje të kthyera në origjinë, pasi origjina e mëparshme e tyre ka qenë nga zona e Çarshovës. Burime informacioni nga Bashkia e Përmetit bënë të ditur se të larguarit nga qyteti i Përmetit kanë preferuar të zgjedhin për të banuar në qytetet e Tiranës dhe Durrësit. Lidhur me marrjen e së drejtës së banimit në një nga njësitë e qeverisjes vendore, komunë apo bashki qoftë, mjaftojnë vetëm tri dokumente, një kërkesë drejtuar kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, një certifikatë familjare dhe një kontratë qiraje apo dokument titull pronësie për një banesë në qytetin ku shtetasi dëshiron të banojë.

Përgjegjësja e Zyrës së Gjendjes Civile në Përmet ngurron të na japë statistika të sakta për numrin e personave që kanë kërkuar dhe u janë bërë ndryshime të emrit apo mbiemrit nga emra që u përkasin familjeve me origjinë myslimane të besimit fetar në emra që i përkasin besimit ortodoks. "Nuk mund të jap një shifër të saktë për ndryshimet e emrave dhe mbiemrave, por mund të them se ky numër ka ardhur duke u zvogëluar nga viti në vit. Nga sa mbaj mend gjatë vitit 1997 duhet të jenë 38 raste ndryshimi të emrave, por një pjesë e tyre ka qenë rindryshim, pra kthim nga emri i ndryshuar më parë në emër ortodoks, është rikthyer në emrin e mëparshëm", thotë Pranvera. Sipas saj, gjatë vitit të kaluar është ndërprerë praktika e ndryshimit të njëkohshëm të emrit dhe të mbiemrit nga i njëjti person, por janë praktikuar vetëm ndryshime në emër ose në mbiemër. "Mbështetur në udhëzimet e ardhura nga drejtoria e Zyrave të Gjendjeve Civile në Ministrinë e Brendshme, ne kemi pranuar dhe ndryshuar vetëm kërkesat që lidhen vetëm me emrin ose mbiemrin dhe kemi kthyer të gjitha ato kërkesa që bëhen për të dyja elementët e identitetit të shtetasve", thotë ajo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›