E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllahët, pjesa dërrmuese e homogjenëve

Vllahët janë komuniteti që përfiton më shumë nga lehtësirat për marrjen e dokumenteve apo qoftë edhe të vizave greke. Kjo pakicë kulturore ka përparësi, pasi konsiderohen si të ardhur nga shtetit grek dhe shpesh u jepet cilësimi si vllaho-grekë të ardhur në juglindje të vendit tonë nga malet e Pindit. Pjesa dërrmuese e komunitetit të vllahëve ka përfituar nga pajisja me kartat e homogjenitetit. Fakti se i përkasin një pakice kulturore etnike që i dallon nga shtetasit shqiptarë dhe lëvizja e tyre nga shtete të tjera u ka dhënë më shumë prioritet nga ana e palës greke në trajtimin me dokumente, duke i konsideruar si persona me origjinë greke. Kjo i bën ata të favorizuar, ndërkohë që në zonën juglindore të vendit janë përqendruar një numër i madh vllahësh.

Për disa vite, ky komunitet është organizuar në shoqata, të cilat janë të ndara midis tyre, duke u bazuar tek identiteti dhe prejardhja: Një pjesë mbrojnë tezën e origjinës nga Rumania dhe një tjetër nga shteti grek. Anëtarët e këtij komuniteti në tërësinë e vet kanë qenë pjesë e grupimit politik të PBDNJ apo edhe të organizatës "Omonia". Me anëtarësimin e kësaj pakice kulturore në grupimet politike dhe komunitare me bazë mbrojtjen e minoriteve etnike dhe kulturore, nisi edhe ndarja në cilësimin e këtij komuniteti në Korçë si progrek.

Fakti se një pjesë e zyrtarëve grekë në periudha të ndryshme kohore dhe drejtues të lartë kanë pasur origjinë vllahe, këto lidhje janë marrë në konsideratë për të përforcuar më shumë idenë se edhe vllahët e Korçës janë me origjinë greke për shkak të afërsisë së vendit tonë me shtetin fqinj dhe lëvizjes së popullsisë greke gjatë Luftës së Parë Botërore.

Pas rrëzimit të regjimit komunist po theksohej gjithnjë e më shumë tendenca për të nxjerrë në pah origjinën greke të komunitetit të vllahëve të Korçës. Pjesëtarë të këtij komuniteti ishin të parët që vendosën lidhjet ekonomike dhe ato me bazë emigracionin me shtetin fqinj dhe si rrjedhojë të parët që kanë përfituar pas viteve ‘90 nga pajisja me dokumente dhe trajtimi me përparësi.

Disa nga zonat e Korçës kanë qenë edhe vatrat kryesore tradicionale të komunitetit që njihet në vend si vllahe. Këto fshatra të pozicionuara në afërsi të maleve, ose të kufirit me shtetin grek kanë një numër të konsiderueshëm të popullsisë vllahe. Të tilla fshatra janë Boboshtica, Drenova, Voskopoja, disa fshatra të zonës së Vithkuqit dhe të Kolonjës etj., nga ku shumë familje gjatë lëvizjeve demografike në vite janë zhvendosur edhe në qytetin e Korçës, duke iu shtuar numrit të familjeve vllahe ekzistuese në këtë qytet. Po ashtu, edhe në qytetin e Korçës janë të identifikuara dhe të njohura zonat me popullsi dominuese nga komuniteti vllah në lagje të veçanta, të cilët për këtë arsye të përkatësisë etniko-kulturore, kanë qenë edhe më të privilegjuar në lidhje me përfitimin e vizave dhe më pas të dokumenteve për marrjen e nënshtetësisë greke.

Nga ana tjetër, vllahët e Shqipërisë përfitojnë trajtime të veçanta edhe nga Rumania, që konsiderohet shteti amë i vllahëve, që njihen zyrtarisht si arumunë. Duke qenë se Rumania është larg dhe ekonomikisht e pafuqishme, vllahët po i bashkohen gjithnjë e më shumë Greqisë, që për shumë prej tyre ka qenë një vend "transit" para se të vinin në Shqipëri.

Organizimi

"Omonia" bashkoi

dy rrymat e vllahëve

Për disa vite ky komunitet është organizuar në shoqata, të cilat janë të ndara midis tyre, duke u bazuar tek identiteti dhe prejardhja: Një pjesë mbrojnë tezën e origjinës nga Rumania dhe një tjetër nga Greqia. Anëtarët e këtij komuniteti në tërësinë e vet kanë qenë pjesë e grupimit politik të PBDNJ, apo edhe të organizatës "Omonia".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›