Amerikanët, në rrugë për Ditën e Falenderimit

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të festojnë Ditën e Falenderimit me më shumë amerikanë që kanë marrë rrugët, tokësore apo ajrore, për të vizituar familjet e tyre.
Rreth 43 milionë persona pritet të udhëtojnë para dhe pas ditës së pushimit, numri më i lartë që regjistrohet që prej vitit 2007.
Ditën e mërkurë, moti i ftohtë në Bregun Lindor shkaktoi vonesa të shumta në oraret e udhëtarëve.
Ndërsa të premten, në dyqane pritet të krijohen radhë të gjata për blerje objektesh të ndryshme, me qëllim për t`ua dhuruar të afërmve.
Në ditën e përvitshme të shitjeve, e njohur si e Premtja e Zezë, dyqanet hapen shumë herët, rreth orës 3 ose 4 të mëngjesit.
Megjithatë, këtë vit nxitimi do të vonohet pak dhe dyqanet do të hapen pikërisht Ditën e Falenderimit.
Rreth 1 mijë dyqane të firmës “Gap” do të hapen këtë ditë, ndërkohë që zinxhire të tjera dyqanesh, si “Target”, “Best Buy” dhe “Macy`s” do të hapen në mesnatë.
Pavarësisht rritjes së parashikuar të numrit të udhëtarëve, 2 për qind persona më pak se viti i kaluar pritet të udhëtojnë këtë herë me avion.