E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni në veri, plagosen 21 ushtarë të KFOR-it

Zyrtarët e KFOR-it kanë njoftuar se 21 ushtarë janë plagosur, gjatë aksionit të ndërmarrë mbrëmjen e djeshme për largimin e një barrikade rrugore në pjesën veriore të Kosovës.
 

Shefi i zyrës për informim në KFOR-it, Uve Novicki ka deklaruar se pas largimit të barrikadës në Rudare, forcat paqeruajtëse kanë reaguar duke përdorur edhe gazin lotsjellës, për të shpërndarë serbët që synonin të mbronin barrikadën.
 

Sipas tij protestuesit përdorën forcën si dhe qëlluan me gurë kundër trupave të KFOR-it duke i sulmuar ata edhe me kamionë të mbushur me zhavorr.
 

“Forcat e KFOR-it u detyruan të qëllojnë në ajër, dhe gjithashtu KFOR-i ka përdorur edhe gazin lotsjellës dhe shkopinj gome, për vetëmbrojtje nga protestuesit të cilët drejtonin kamionët. Për të parandaluar mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfrontimit dhe për të mos rrezikuar të dyja palët, KFOR-i morri vendim për të ndërprerë operacionin po konfirmon se 21 ushtarë janë plagosur ”, theksoi Novicki.
 

Nga ana tjetër, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka treguar për aksionin e KFOR-it në veri dhe ka shpjeguar se pas largimit të barrikadës, serbët lokalë kanë vendosur një barrikadë tjetër prej zhavorri.
 

“Janë vendosur sërish kamionë me zhavorr për të bllokuar totalisht rrugën magjistrale Mitrovicë –Leposaviç, përkatësisht fshatin Rudare të komunës së Zveçanit”, tha Hoti ndërsa shtoi se aktualisht situata është e qetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›