E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova ka potencial

Pas pranimit në FIFA e UEFA, Kosova do të ketë zhvillim të madh të futbollit. Turqia ka një simpati të madhe për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe gjithmonë është e gatshme ta përkrahë. Lorik Cana është një futbollist i rëndësishëm, i talentuar dhe është shumë luftarak. Ndihmëstrajneri i përfaqësueses së Turqisë, Oguz Çetin flet për Express. Nga Valdet Hasani më 10 janar 2011 në ora 12:19

Futbolli kosovar mund të dalë nga errësira në të cilën gjendet atëherë kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të pranohet në dy organizatat ndërkombëtare, FIFA e UEFA.

Kështu mendon ish-futbollisti i njohur turk dhe ndihmëstrajneri i përfaqësueses së Turqisë, Oguz Çetin. Ish-mesfushorit të Fenerbahçes beson se futbolli kosovar do të ketë përparim të madh pas ndërkombëtarizmit.

“Kosova e dimë se ka filluar të njihet nga shumë vende, prandaj mendoj se me anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA e UEFA, këtu do të ketë një zhvillim të madh të futbollit”, ka thënë Çetin për Express.

Në vitin 2008, Çetin dhe ish-kryetari i ndjerë i Federatës së Futbollit të Turqisë, Hasan Dogan, kishin pritur kreun e futbollit kosovar, Fadil Vokrri në Stamboll. Gjatë këtij takimi drejtuesve të FFK’së i është premtuar ndihma në aspekte të ndryshme dhe përkrahja për anëtarësim në FIFA e UEFA.

“Në atë kohë kur Vokrri na vizitoi në një takim me presidentin e ndjerë, Hasan Dogan, i është premtuar se do ta ndihmojë Kosovën në shumë aspekte. Por për këtë çështje ekziston procedura dhe për momentin nuk kam informata se si ka mbetur puna, por Federata e Futbollit e Turqisë ka një simpati të madhe për FFK-në dhe gjithmonë është e gatshme ta përkrahë”, ka shtuar 47-vjeçari.

Sipas Çetinit, përfaqësuesja e Turqisë është e gatshme kurdoherë ta zhvilloj një ndeshje miqësore me Kosovën. Por ai thotë se kjo është çështje që ka të bëjë me FIFA-n e UEFA-n, të cilat në të kaluarën i ka penguar kosovarët të zhvillojnë ndeshje miqësore me kombëtare të mëdha.

Në anën tjetër, ndihmësi i selektorit të Turqisë, Guus Hiddink, ka njohuri për futbollistët kosovarë që luajnë në elitën e futbollit turk, si Debatik Curri, Labinot Harbuzi (Genclerbirligi) dhe Lorik Cana (Galatasaray).

“Unë i përcjell të gjitha ndeshjet rrjedhimisht edhe ato të Galatasarayt ku luan edhe Cana. Sipas mendimit tim, ai është një futbollist i rëndësishëm, i talentuar dhe është shumë luftarak. Në fillim pati hendikepin e peshës së tepërt por në ndeshjet e fundit ka dëshmuar se në të ardhmen do të jetë i rëndësishëm”, ka thënë.

“Edhe futbollistët e tjerë shqiptarë që luajnë ne Turqi kanë një avancim dhe janë mjaft të suksesshëm me ekipet e tyre. Sa herë që flet për futbollin e Kosovës, është e pamundur t’i ikë çështjes së ndërkombëtarizmit, por në momentin kur kjo do të ndodhë, do të shfaqet edhe më tepër potenciali i lojtarëve nga Kosova”, ka shtuar ish-reprezentuesi i Turqisë.

Oguz Çetin, të enjten për herë të parë ka qëndruar në Prishtinë. Ai kishte ardhur në Kosovë me ftesë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku mori pjesë në shpalljen e laureatëve për vitin që e lamë pas.

“Në Prishtinë po vij për herë të parë. Edhe pse si Turqi, si popull i saj, kemi simpati për Kosovën; edhe përveç faktit që kemi turq këtu, një nga gjërat më të rëndësishme që më lidh me këtë vend është Fadil Vokrri, me të kam luajtur në Fenerbahçe. Atë e dua dhe e respektoj shumë, prandaj që nga ajo kohë kemi mbajtur kontakte. Ai më ftoi për ceremoninë e shpalljes së Sportistit të Vitit, së cilës ftesë i jam përgjigjur me kënaqësi”, ka theksuar ndihmëstrajneri i përfaqësueses së Turqisë.

Beson në kualifikimin e Turqisë në Euro 2012

Përfaqësuesja e Turqisë nuk i ka filluar si duhet eliminatoret për Kampionatin evropian Euro 2012. Turqit aktualisht gjenden në vendin e tretë në Grupin A, me 6 pikë të tubuara, 6 më pak sesa lideri, Gjermania.

“Deri më tani kemi zhvilluar katër ndeshje, dy i kemi fituar dhe dy i kemi humbur, me 6 pikë jemi në vendin e tretë që natyrisht nuk është pozita më e mirë. Duket se kundërshtarët kryesorë do t’i kemi Austrinë dhe Belgjikën. Në mars do luajmë me Austrinë në Turqi dhe me potencialin tonë do të arrijmë futore. Besoj që të paktën do ta arrijmë vendin e dytë në grup që na dërgon në Paly – off “, ka përfunduar Çetin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›