E Diel, 1 Nëntor 2026

Partnerët e G20-ës

Janë bashkëshortet dhe bashkëshortët e pjesëmarrësve në tryezën e madhe ku do të diskutohen sot fatet e ekonomisë botërore. Një pjesë, e mësuar tashmë me takime të tilla kortezie, e di se çfarë e pret, por ka edhe nga ato zonja që e kanë për herë të parë, si Mishel Obama

Sarah Braun, Angli

Nga shefe e madhe në një firmë marrëdhëniesh me publikun, në bashkëshorte e Kryeministrit, që do të thotë më shumë buzëqeshje të shtirura dhe më shumë heshtje të gjata e plot nënkuptim.

Bianca Hoogendijk, Holandë

Është e vetmja partnere e liderëve pjesëmarrës që ka një nofkë të denjë për personazhin negativ të filmave James Bond. Hoogendijk njihet ndryshe si "Doktoresha e heshtur". Për shkak të profesionit si veterinere, asaj jo rrallë i duhet që t‘u marrë jetën qenve të sëmurë, për të mos lënguar gjatë. Ajo është doktore shkencash dhe ka një klinikë të sajën në Amsterdam, në të cilën punon me orë të plota.

Kim Yoon Ok, Koreja e Jugut

Është diplomuar për edukim shëndetësor dhe ka 4 fëmijë. I pëlqen shumë noti. Motoja e jetës së saj është: "Kujdesu për njerëzit me dashuri dhe bëj më të mirën e mundshme". Është shumë e dhënë pas paqes në botë, pas kujdesjes për pamjen e saj të jashtme dhe adhuron gjithashtu drerët e vegjël.

Svetllana Medvedeva, Rusi

E takoi për herë të parë bashkëshortin e saj të ardhshëm kur ishte vetëm 7 vjeçe dhe që atëherë, pak a shumë, kanë qenë të pandashëm. Ka një diplomë në ekonomi, edhe pse bashkëshorti nuk e lejoi që të punonte. "Herë pas here, Svetllana thotë se do të ishte mirë për të që të kishte diçka me se të merrej, por unë i kam thënë vazhdimisht se është më mirë nëse... gratë qëndrojnë në shtëpi", është shprehur në një intervistë Presidenti Medvedev. Sa mendim i këndshëm ky!!!

Margarita Zavala de Calderon, Meksikë

Është një eksperte e politikës, që e ndihmon shumë të shoqin me këshillat e saj. Ka qenë kongresmene. Ndodhet në Londër që nga dita e hënë, për të bërë ca pazar dhe për të pirë një çaj me Mbretëreshën.

Mariza Leticia Lula da Silva, Brazil

Ndoshta është e vetmja ndër zonjat e para që e ka nisur punën në moshën 13-vjeçare në një fabrikë çokollatash. Bashkëshortin e ardhshëm e takoi pak pas vrasjes së bashkëshortit të saj të parë. Ndërkohë që edhe Presidenti i Brazilit vinte nga një tragjedi personale, pasi bashkëshortja e parë i kishte vdekur gjatë sjelljes në jetë të fëmijës. 7 muaj pas takimit, ata u martuan. Sa e ëmbël!!!

Kristiani Herawati, Indonezi

Ndërkohë që nisi të shkollohej për mjeke, njohu Susilo Bambang Ydhyono dhe u martua menjëherë me të, duke i lënë studimet në mes. Një specie e re fluture e zbuluar në Indonezi mban emrin e saj.

Mishel Obama, Shtetet e Bashkuara

Është bashkëshortja e politikanit më të diskutuar aktualisht në glob. Por edhe për të është thënë e stërthënë aq shumë muajt e fundit, sa...

Chikako Aso, Japoni

Ai ishte një politikan, mesoburrë, ndërsa ajo, bija e një ish-kryeministri të Japonisë. Taro Aso e ftoi për darkë dhe bum!!! Menjëherë lindi dashuria, martesa, triumfi politik.

Therese Rein, Australi

Bashkëshortja e Kryeministrit australian ka qenë një këshilltare në qendrat e rehabilitimit të të droguarve. Themeloi qendrën e saj, që merrej me këshillimet e të papunëve në vitin 1988. Sot të ardhurat vjetore nga 60 filialet e qendrës së saj në të gjithë botën janë 175 milionë dollarë, ndërsa pasuria e saj personale është 60 milionë dollarë. Zoti e di se çfarë kërkon ajo në Londër me gjithë atë punë të mirë që ka.

Lui Yongqing, Kinë

Zakoni kinez e do që Zonja e Parë as të mos ta çojë nëpër mend të hapë gojën e të bëjë bashkë 2 fjalë. Por Zonja e Parë aktuale nuk e ka respektuar këtë zanon. Gjithë sa dihet për të: është 2 vjet më e madhe se Presidenti i Kinës dhe çifti u takua për herë të parë gjatë viteve të studimit në universitet. Thuhet se vajza e tyre jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një emër tjetër. Por janë vetëm thashetheme.

Gurshanar Kaur, Indi

E konsiderojnë si "besimtare të devotshme dhe një person me një zë shumë melodioz". Në komunitetin e Delhit njihet për interpretimin e këngëve tradicionale Sikh. Thuhet se pas darkës së liderëve mund t‘u këndojë atyre diçka nga repertori i saj i pasur.

Emine Erdogan, Turqi

"Nuk ka asnjë arsye që persona nga prejardhje të ndryshme të mos ndihen mirë në Turqinë moderne", ka thënë dikur Kryeministri i Turqisë, Erdogan. Të paktën ai personalisht nuk ka pasur ndonjë problem me bashkëshorten e tij, e cila vjen nga një degë tjetër e islamit, ndryshe nga ai. Kjo është gjë e mirë. Një nga informacionet e pakta që qarkullon për çiftin e parë të Turqisë është se ata u takuan së bashku në një konferencë në vitin 1978 dhe kanë dy djem.

Laurin Tesky Harper, Kanada

E divorcuar, bija e një kauboji, ish-roje bregdetare dhe fotografe, që në kohën e lirë i pëlqen të udhëtojë me një motor dhe të kujdeset për kotelet.

Arabia Saudite

Mbreti Abdullah, pavarësisht se ka 7 gra, nuk merr asnjërën prej tyre kur udhëton për punë jashtë vendit. Nëse do ta bënte një gjë të tillë, do të dilnin shumë probleme, duke filluar nga vendet që ato do të zinin në avion...

Veronika Berluskoni, Itali

Është bashkëshortja e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, por, si gjithmonë, nuk do të marrë pjesë në takimet e rëndësishme ndërkombëtare të të shoqit. Sa keq! Prezenca e kësaj artisteje të dorës së dytë mund t‘i kishte shtuar paksa dramë takimit...

Nestor Kishner, Argjentina

Edhe një nga dy partnerët meshkuj të takimit nuk do të vijë në Londër. Nestor Kishner, ish-presidenti i vendit dhe aktualisht bashkëshort i Presidentes Kristina, e di fare mirë, nga përvoja personale, se sa të mërzitshme dhe të palezetshme janë këto takime dhe sigurisht kërkon që t‘i kursejë vetes sëkëlldisje të kota.

Joachim Sauer, Gjermani

Edhe bashkëshorti i Kancelares gjermane nuk do ta begenisë takimin. Ai është profesor i kimisë kuantike në Universitetin Humbold në Berlin. Me sa duket, për të më i rëndësishëm është sezoni i provimeve, sesa takimi ku gjithsesi ai do të ishte thjesht një shoqërues.

Carla Bruni, Francë

Edhe modelja bukuroshe e Presidentit francez nuk do të vijë në Londër. Thuhet se nuk ka dashur që të rivalizohet me yllin Mishel Obama, sepse kishte menduar që takimin e parë ato të dyja do ta kishin pasur në tokën frënge, e kështu supremacia do të kishte qenë e saja. Gjithsesi, ajo ka vendosur të mos vijë, çka është e rrallë për të, pasi deri tani e ka shoqëruar bashkëshortin e saj të ri në të gjitha takimet e rëndësishme ndërkombëtare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›