Amfiteatri antik i Durrësit, vendodhja më e vizituar e qytetit

Amfiteatri antik i Durrësit është objekti më i vizituar i trashëgimisë kulturore, ku turistët e huaj kanë shënuar rritje të dukshme në 2 muajt e fundit.
Grupe turistësh gjermanë, holandezë dhe polakë janë të zakonshëm duke vizituar këtë monument të rrallë, i cili daton që në shekullin e dytë.
Një turiste gjermane shprehet se amfiteatri është një monument i rrallë dhe është impresionuar nga historia e tij.
“Ne jemi një grup turistësh që vijmë nga Gjermania. Na pëlqen ky vend dhe kemi ndjerë një atmosferë miqësore. Është një vend i bukur dhe sot jemi në Durrës. Pamë Amfiteatrin dhe u njohëm me historinë e vjetër të këtij qyteti. Është e mrekullueshme një monument i tillë, shumë afër qendrës dhe i aksesueshëm për të mbërritur lehtë në jetë vend”, thanë turistët.
Të njëjtin opinion ndajnë edhe një çift nga Holanda, të cilët për 4 ditë kanë vizituar qytete të ndryshme të vendit tonë.
“Ne jemi prej katër ditësh në Shqipëri. Kemi vizituar Beratin, Krujën, Tiranën dhe sot Durrësin. Po shohim amfiteatrin, i cili është një monument që nuk e kemi në Holandë. Është shumë i bukur dhe i veçantë”, u shprehën ata.
“Ne jemi një grup shokësh që njihemi prej 35 vitesh bashkë dhe çdo 5 vjet udhëtojnë në vende të ndryshme. Shqipëria na pëlqen dhe Durrësi është një qytet i bukur, ja sot po shohim amfiteatrin, është një monument i vjetër i veçante për ne”, thanë ata.
Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeore, shprehet se këtë vit ka pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve në amfiteatër, me afro 30 përqind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Gjithnjë e më shumë turistët e huaj po orientohen për të vizituar objekte të tilla, me të cilat identifikohet Durrësi si qytet dhe historia e tij.
Gazetar: Norel Zaimi
/RTSH/