Amfiteatri i Durrësit, peng i një banese
Një banesë dykatëshe e amortizuar vazhdon të mbetet pengesë për zbulimin e mëtejshëm të arenës së amfiteatrit antik të Durrësit, i cili daton që në shekullin I të e.s. Transferimi i familjeve që banojnë në këtë godinë private ka nisur të diskutohet që në vitin 2004, kur bashkia, me mbështetjen e qeverisë, deklaroi nismën për realizimin e projektit arkeologjik urban "Durrësi", pjesë e të cilit ishte edhe vënia në dispozicion të publikut e pjesës më të madhe të shkallareve, galerive, si dhe arenës së monumentit më të madh të lashtësisë në vendin tonë. Qëndrimi i bashkisë në mbështetje të kësaj nisme nuk ka ndryshuar, por realiteti në qendër të lagjes "Kala" të qytetit ku ndodhen rrënojat madhështore të amfiteatrit, është i njëjtë me fillimin e viteve 2000. Megjithëse familjarët që banojnë në këtë godinë kanë pranuar shpronësimin dhe transferimin me kushte të njëjta në banesa të tjera, asgjë nuk ka ndryshuar. Shkallaret në formë elipsi me lartësi mbi 20 metra janë "fshehur" pas ndërtesës 80-vjeçare, gjysmë të shkatërruar. Ekspeditat italo-shqiptare që vijojnë prej 6 vjetësh në pjesën juglindore të monumentit tashmë janë bllokuar thuajse në themelet e banesës që pengon hapjen e arenës së amfiteatrit, e cila, sipas përllogaritjeve, ndodhet afro 8 metra nën nivelin e rrugës. Specialistët e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, si edhe ata të universiteteve italiane "La Sapienza" të Romës dhe Parmës kanë konstatuar me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne se në arenën e pahapur ka ndërtime të tjera, të cilat mund të sjellin të dhëna të rëndësishme arkeologjike. E mbi të gjitha, kështu do t‘i hapej rrugë realizimit të një projekti të paraqitur nga qeveria italiane në Tokio, në një seminar mbi arkeologjinë, tre vjet më parë, i cili synon që bashkë me rivitalizimin e monumentit dhe të vlerave muzeore të shfrytëzojë arenën si një sallë verore spektaklesh me kapacitet 1500 spektatorë.