E Diel, 1 Nëntor 2026

Amik Kosahuro: Si e gjykoj unë rastin "Kongoli-Dume"

TIRANE-Amik Kasoruho i del në 'mbrojtje' Fatos Kongolit! Mbas debatit të gjerë mbi vetërrëfimin kongolian për mëkatin e para '90-ës një sërë emrash kritikuan gjestin e dikurshëm dhe vonesën e rrëfimit të tij. Paçka atyre, Kasoruho e sheh ndryshe. Si përkthyes i dy librave të Kongolit e si mik, me të cilin e gjerb herë pas here një kafe në Tiranë, Amiku ka një mendim të tijin mbi këtë zallamahi. Debati i ka lënë një përshtypje të hidhur pikërisht, sepse mendon se po instrumentalizohet ky rast njerëzor. Kasoruho nuk duket i ashpër, e megjithatë tek-tuk, nervi del dukshëm. Një rast i tillë, është çasti kur e pyesim për dosjet... Sipas tij, dosjet ose duhet të 'varrosen' përgjithmonë, ose duhet të hapen në mbështetje të një ligji. Çdo hapje e pjesshme, e qëllimtë e ndryshme nga rruga zyrtare gjen terren të bollshëm për t'u shpërdoruar. Deri tani, nuk kam dëgjuar, apo nuk kam lexuar një dosje të atyre që i krijuan dosjet për të cilat flitet.
Ju e keni ndjekur "Rastin Kongoli". Ç'përshtypje ju ka lënë?
Këtë rast e kam mësuar së pari nga ç'ka shkruar Kongoli dhe pastaj edhe nga zhurma që është bërë rreth ngjarjes. Përpara librit të fundit të tij, përmend romanin "Kufoma", në të cilin Kongoli trajton të njëjtin problem, por me gjuhë dhe mjete artistike. Në atë libër flitet pikërisht për drama që i ngjasojnë rrëfimit të fundit të shkrimtarit. Debati rreth dëshmisë së Kongolit më ka lënë një përshtypje të hidhur, pikërisht sepse mendoj që po instrumentalizohet ky rast njerëzor. Ne ende nuk jemi mësuar të çmojmë si vlerë morale dhe intelektuale gjeste të kësaj natyre, siç është rrëfimi i Kongolit.
Ç'marrëdhënie keni me Fatos Kongolin?
Besoj se shumica e lexuesve krijojnë një marrëdhënie me shkrimtarin kur e lexojnë. Personalisht, këtë marrëdhënie e kam krijuar herët, por i shtoj edhen njohjen personale, pasi kam përkthyer në italisht dy vepra të tij dhe takohemi miqësisht sa herë na qëllon.
Ju keni lexuar edhe kapitullin e librit "Iluzione në sirtar", ku flitet për dënimin e Dumes. Si e pritët?
Me kureshtjen që priten zakonisht shkrimet që kanë karakter autobiografik. Sidomos ato shkrime që trajtojnë ngjarje të kohëve në të cilat kam jetuar.
Ju e dinit historinë e dënimit të Hysenil Dumes? Çfarë dinit për të?
Nuk e kam ditur, nuk dija asgjë për të, deri sa lexova "Iluzione në sirtar". Gjatë kohës që zhvilloheshin në Tiranë ngjarjet për të cilat flitet në libër, unë kam jetuar larg Tiranës dhe jetës së saj.
A dini raste të ngjashme?
Në rast se e keni fjalën për dëshmi të dhëna nëpër gjyqe, ka me mijëra. Nuk ka pasur gjyq ku të mos paraqiteshin dëshmitarë, vullnetarë apo të detyruar me mënyra të ndryshme. Mendoj se ky problem duhet parë dhe gjykuar në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur dhe rrethanat specifike të çdo rasti.
Duket se shkrimtarët janë ndarë në dy kampe, në ata që ia vënë në pah këtë "njollë biografie", dhe në ata që e mirëkuptojnë e thonë merrni shembullin e tij...Si i keni parë këto reagime?
Si një të drejtë që e ka secili për të shprehur mendime që mund të kenë vlera përgjithësuese, të paktën sipas mendimit të atyre që i shprehin. Mendoj dhe them me bindje se asnjë shkrimtari nuk i ka hije të tregojë me gisht fajtorin apo viktimën duke bërë rolin e gjykatësit, sepse zvogëlohet ndjesia e lartë morale, intelektuale, të cilën duhet të përçojë përmes veprës së vet. Këto ndërhyrje të kujtojnë fletërrufetë famë-keqe të dikurshme.
Kanë folur Agron Tufa, Ardian Klosi, Visar Zhiti, Flutura Açka, Sadik Bejko, Hysen Sinani... Çfarë shije ju kanë lënë?
Ndonjë mendim të autorëve që përmendni edhe e kam lexuar. Ndonjë tjetër jo. Troç: nga njëra anë më kanë lënë një shije të hidhur (sa të gatshëm tregohemi për të hedhur baltë mbi të tjerët!) dhe nga ana tjetër, e kam çmuar përpjekjen e ndonjërit për të kuptuar drejt problemin moral të Kongolit.
Si e shihni këtë çështjen e agjentëve dhe zbulimin e emrave të tyre?
Një çështje e lënë përgjysmë dhe që na serviret ndoshta në kontekste që pak kanë të bëjnë me moralin. Dosjet, ose duhet të 'varrosen' përgjithmonë, ose duhet të hapen në mbështetje të një ligji. Çdo hapje e pjesshme, e qëllimtë, e ndryshme nga rruga zyrtare, gjen terren të bollshëm për t'u shpërdoruar. Deri tani nuk kam dëgjuar apo nuk kam lexuar një dosje të atyre që i krijuan dosjet për të cilat flitet.
Ka pasur ide që emri i agjentes "SH" doli që të mbrohej Kongoli, se e ka mirë me udhëheqjen. A është ky një argument?
Është ajo që ju thashë më sipër, se dosjet e hapura me qëllime të caktuara krijojnë terren për keqinterpretime. Me cilën udhëheqje? Sepse kjo fjalë më kujton terminologjinë e një kohe të shkuar. Kjo pyetje mbështetet mbi ndonjë argument, apo jemi në fushën e hamendjeve...?
Ka pasur edhe mendime se ka prapavija politike e gjithë kjo, për t'i bërë presion ndokujt a për të humbur vëmendjen nga aktualiteti. A kemi në këtë rast një 'kokë turku'?
Nuk më pëlqen të futem në një rrugë të mjegullt. Jam në një moshë dhe kam një përvojë të atillë që nuk më intrigojnë apo çorientojnë thashethemet, hamendësimet dhe supozimet që dalin sipër dhe fiken si flluska sapuni. Përpos gjithë kësaj që thamë, a nuk do të ishte më mirë dhe më gjerë në media për njerëz dhe vlera që nuk i mban dhe nuk i fsheh dot asnjë dosje? Nga dysheku i burgut të para gjysmë shekulli, dje u promovua një vepër e rëndësishme e kulturës shqiptare, e shkruar nga Arshi Pipa. Jam krejt i bindur se shoqëria shqiptare ka nevojë më tepër diskutime të nivelit të shkrimtarisë dhe filozofisë së Arshi Pipës e të tjerëve si ai, sesa për diskutime që 'tirren' pafund si ai më sipër.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›