E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ po shqyrton 3 pikat e projekt-aktit

GJIROKASTËR- Në mjediset e parkut arkeologjik të Antigonesë u mbajt të shtunën forumi ‘Gjirokastra, monumentet dhe turizmi’, organizuar nga shoqata franko- shqiptare Argjiro, në bashkëpunim me disa institucione që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ruajtjen e monumenteve dhe vënien e tyre në funksion të zhvillimit të turizmit, si Zyra për Koordinimin dhe Administrimin e Qytetit Muze të Gjirokastrës, Drejtoria Rajonale e Kultures Kombëtare, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Antigone dhe Zyra Rajonale e Shërbimit Turistik.

Ilda Mara, presidentja e shoqatës franko- shqiptare “Argjiro”, në rolin e moderatores së këtij forumi, tha se në qarkun e Gjirokastrës janë hedhur hapa konkretë dhe të sigurtë për ta profilizuar këtë rajon si një destinacion turistik dhe nga qeveria dhe institucionet e sistemit të MTKRS është punuar për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kombëtare në funksion të zhvillimit të turizmit, por ende duhen më shumë punë dhe përpjekje për të arktivizuar pushtetin vendor dhe për të ndërgjegjësuar komunitetin e banorëve të bashkive dhe komunave të këtij qarku.

Genc Pollo, ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Komunikimit, i pranishëm në këtë forum, kërkoi një zhvillim më të integruar të turizmit kulturor në qytetet e përfshira në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO,-s sikurse janë Gjirokastra dhe Berati.

Sipas tij, është e nevojshme që të forcohen kushtet për respektimin e kritereve të vendosura nga ekspertët e kësaj organizate ndërkombëtare.

Në debatet e këtij forumi u përfshinë edhe personalitete të njohura, si aktori Viktor Zhusti, publicisti kosovar Veton Surroi, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Maryse Daviet, artistja kosovare Blerta Syla etj., të cilët nënvizuan idenë se krahas ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore në funksion të turizmit, duhet bërë kujdes edhe për rritjen e kulturës së shërbimit turistik dhe mbajtjen pastër të mjedisit në zonat e mbrojtura dhe në zonat urbane ku lëvizin vizitorët dhe turistët.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›