E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, miratimi i Planit të masave, vijojnë protestat

ATHINE-Qytetarët e revoltuar mbushën plot 31 nga protesta e tyre në qendër të Athinës. Besnikë të zemërimit të tyre, ata qëndrojnë në sheshin Sintagma dhe lëshojnë slogane kundër masave jopopullore të qeverisë, të cilat Parlamenti pritet t’i miratojë në fillim të javës së ardhshme.
Ata shprehen se janë të indinjuar jo vetëm me masat shtrënguese ekonomike por edhe me indiferencën e qeverisë përballë protestës së tyre masive.

Organizatorët e protestës dërgojnë vazhdimisht thirrje për mobilizim masiv në datat 28 dhe 29 qershor, ditë kur deputetët të debatojnë dhe votojnë në parlament planin afatmesëm të masave.
Ata ftojnë cdokënd që t’i bashkohet protestës së tyre për 48 orë, për të rrethuar ndërtesën e Parlamentit gjatë ditëve të votimit të këtij plani.

Sloganeve të protestës iu është shtuar edhe kërkesa për dorëheqjen e 300 deputetëve, të cilët sipas protestuesve në vend që të shpëtojnë vendin po e cojnë drejt falimentimit.
Sipas një anketimi të kryer nga studentë të fakultetit ekonomik të Athinës, 67,9% e grekëve deklarojnë mbështetjen e tyre për levizjen e “qytetarëve të indinjuar”.
Gjatë ditëve të miratimit të Planit Afatmesëm në Parlament është paralajmëruar gjithashtu edhe një greve 48 orëshe e punonjësve të sektorit publik dhe atij privat.

Gjithcka zhvillohet në një kohë kur Greqia pritet të marrë në dorë këstin e pestë të ndihmës prej 12 miliardë eurosh dhe të përgatitet për paketën e dytë prej 110 miliardë eurosh, në mënyrë që t’i shpëtojë falimentimit.
Ministrat e Financave të zonës Euro do të takohen përsëri më 3 korrik në Bruksel. Ata do të përcaktojnë modalitetet e planit të dytë të shpëtimit dhe do trajtojnë çështjen më të polemizuar, atë të pjesëmarrjes vullnetare të kreditorëve privatë.

Por, kushti i padiskutueshëm mbetet miratimi nga parlamenti grek i planit të finalizuar me kreditorët ndërkombëtarë, ku bashkohen masat shtrënguese dhe privatizimet që do të arrijnë shumën 28,4 miliardë euro, plan që ka shkaktuar kaq shumë tensione sociale.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›