Amina, nusja-fëmijë
“U martova në moshën 14-vjeçare. Ai ishte 20 vjet më i madh se unë. Ishte familja ime që më çoi drejt një fati të tillë, duke më shitur për 600 euro te njeriu që u bë bashkëshorti im. Dhe ishte një shitje për pak gjë. 600 euro përbënin pagën e tre muajve të tim ati. Në Itali u mbajta brenda e mbyllur, më rrahën, më shtrënguan që të vishesha kokë e këmbë me shami dhe të nxirrja vetëm sytë dhe të sillja menjëherë në jetë fëmijë. Por ajo që ishte më e rëndë, ishte se im shoq ishte poligam dhe priste edhe një nuse tjetër”. Ky është fillimi i rrëfimit të Aminës. Ajo është marokene. është një vajzë simpatike, me një bukuri tipike të vendit të saj. Lëkurë ezmere, qerpikë të gjatë dhe një vështrim të ndrojtur. Tre muaj më parë, ia doli që të çlirohej nga robëria në të cilën e kishin çuar prindërit me duart e tyre. Tashmë është 17 vjeçe dhe ka një vajzë 6 muajshe. Për momentin qëndron në një shtëpi-familje, për vajzat nëna të braktisura. Kjo vajzë e re, edhe pse pati një fillim jete shumë të trishtë nuk rresht së ëndërruari dhe ëndrra e saj është që të rifillojë shkollën dhe të studiojë për psikologji. E të mendosh që pak kohë më parë nuk ishte veçse një skllave, një fëmijë-nuse. Historia e saj është historia e një fëmijërie të vjedhur. Ajo u izolua dhe u shndërrua në pengun e një martese të sajuar nga familja e saj. Si ajo ka edhe shumë vajza, pra nuse-fëmijë, në të katër cepat e botës. Sipas shifrës së Qendrës Ndërkombëtare të Kërkimeve mbi gratë në të gjithë botën, ekzistojnë rreth 60 milionë raste të tilla. Ato janë përqendruar kryesisht në Uganda, çad, Indi, Mali, Nepal, Guine, Mozambik e të tjerë. Dhe kjo nuk i përjashton edhe vendet perëndimore si Italia, në të cilën mendohet se ka rreth disa mijëra raste të tilla, sigurisht në komunitetet e emigrantëve. Ndër komunitetet më hermetike janë ato pakistaneze, indiane, egjiptiane dhe rome.
“Kam lindur në një fshat të Marokut Qendror dhe kam pasur dy vëllezër më të vegjël. Ime më ishte një shtëpiake, ndërsa babai tregtar i vogël. Një familje normale, me një mirëqenie normale siç janë zakonisht familjet myslimane në vendin tim. Askush nuk më impononte që të vishesha me shami e të mbulohesha kokë e këmbë. Isha e lumtur, e lirë dhe e qetë. Nuk dilja shpesh nga shtëpia, por shkoja në shkollë dhe më pëlqente shumë që të lexoja dhe të studioja. Më pas, befas, gjithçka ndryshoi. Kur mbusha 14 vjeç, mamaja më mori mënjanë dhe më dha lajmin: të kemi gjetur një burrë, një njeri të mirë. Ajo më tha edhe emrin e tij, të këtij 34-vjeçari të panjohur nga unë, i cili jetonte në Itali. Mësova se të dyja familjet kishin rënë dakord me njëra-tjetrën për të gjitha detajet e martesës sime dhe unë ndërkohë nuk kisha ditur asgjë dhe duhet vetëm që të bindesha. Po cila ishte vlera ime financiare? Për sa më kishin shitur? Vetëm për 600 euro. Kjo ishte edhe “paja” që burri im i ardhshëm i kishte dorëzuar tim ati, në këmbim të vajzës së tij 14-vjeçare”. Ndërsa rrëfen, Amina kujtohet për të shkuarën e saj jo fort të largët, për mënyrën se si i ndryshoi jeta dhe se si përfunduan njëherë e mirë ditët e saj të lumtura e të qeta të fëmijërisë. “Fillimisht isha si e trullosur dhe nuk kuptoja gjë. Prindërit më çuan tek gjinekologu për të më kontrolluar për virgjërinë dhe për të marrë prej tij certifikatën mjekësore që do t’i shkonte tim shoqi. Më pas erdhi dita e dasmës. Në fshat u organizua një festë e vogël, ku mori pjesë edhe imami. Por unë nuk isha e lumtur, pasi ndjeja një peshë të rëndë brenda vetes. Im shoq donte që të bënte dashuri me mua që natën e parë të martesës, kur unë isha ende e hutuar dhe shpërqendruar nga ajo që po ndodhte rreth meje, të cilën nuk e kuptoja dhe i druhesha. Unë isha e lodhur, e frikësuar dhe ishte hera ime e parë. Nuk doja, por ai nuk i mori parasysh kërkesat e mia dhe më përdhunoi. Ishte vetëm fillimi i ushtrimit të dhunës. Për dhjetë muaj, Amina u transferua në shtëpinë e familjes së burrit të saj. “Dhjetë muaj që nuk do t’i harroj kurrë e që m’u dukën të gjatë sa dhjetë vjet. Im shoq kishte lindur në Itali, ndërsa prindërit e tij që kishin ardhur nga Afrika nuk ishin ende modernizuar dhe më shtrënguan që ditën e parë që vura këmbën në shtëpi që të mbaja shami mbi krye. Ndërkaq nuk mund të dilja nga shtëpia dhe të takohesha me njerëz të ndryshëm. Madje as mamanë time nuk kisha mundësi që ta shikoja. Kunata ime, motra e tim shoqi, më rrihte rregullisht çdo ditë. Ishte një ferr. Pastaj, më në fund erdhi momenti i ikjes dhe kështu mbërritëm në Itali me avion. Unë nuk kisha fluturuar kurrë më parë në jetën time. Isha vetëm 15 vjeçe dhe ndërkohë mendova se më në fund do të isha më e lirë dhe se një jetë tjetër më priste në një vend të lirë. Por ishte një shpresë, nga e cila u zhgënjeva menjëherë. Në Itali gjërat u përkeqësuan më shumë. Menjëherë e kuptova se jeta ime do të kishte qenë edhe më e rëndë. Im shoq sapo e kishin pushuar nga puna dhe në ato kohë ishte i papunë. Ndërkohë unë nuk e njihja shumë atë njeri. Kisha qenë me të vetëm për një muaj. Në Itali jetonim gjashtë veta në një dhomë e një kuzhinë: unë, im shoq, vëllai i tij me gruan, djali i tyre dhe... gruaja e parë e tim shoqi. Po, po sepse ky i panjohur që ishte shndërruar në burrin tim, ishte ndërkohë i martuar me një grua tjetër më të madhe se unë. Ishte marokene. Por këtë detaj shumë të rëndësishëm të jetës së tij nuk ia kishte thënë askujt, as familjes sime dhe as të tijës në Marok”. Sot, Amina është një vajzë e mbushur me inat dhe mllef dhe si pasojë i bën bashkë fjalët ca në arabisht, ca në italisht e një pjesë në frëngjisht. “Në shtëpinë ku jetoja më urrenin të gjithë dhe më detyronin që të bëja punët më të rënda, të mos dilja dhe, mbi të gjitha, edhe në shtëpi të mbaja shami në kokë dhe në fytyrë. Të gjithë më qëllonin, që nga burri im e deri tek gruaja e tij e parë. Kur më dëmtonin nuk më çonin tek mjeku apo në spital, që të mos i dilnin hordhëqet, por më linin në një cep të shtëpisë derisa të merrja veten. Isha një e burgosur e vërtetë që më kishin marrë vetëm për të bërë rolin e skllaves. Nuk kisha mundësi as të shkoja në familjen time në Marok dhe as t’i telefonoja prindërve të mi. I vetmi mjet që më bënte pak shoqëri ishte televizioni, që në shtëpi e mbanin hapur gjatë gjithë kohës. Me kalimin e kohës, nisa që të mësoja pak italisht duke ndjekur emisionet e ndryshme dhe bisedat televizive mes të cilave, edhe “Grande Fratello”.
Aktualisht ajo mban në krahë vajzën e saj që i erdhi në jetë nga martesa e trishtueshme. Ajo është 6 muajshe dhe e ëma e do shumë dhe herë pas here i pëshpërit fjalë dashurie e përkëdhelie. “Nuk doja kurrsesi që të mbetesha shtatzënë me një njeri që nuk e njihja, që nuk më donte e që mbi të gjitha më keqtrajtonte. Jam shumë e re për të qenë prind, por nuk kisha rrugëdalje. Në vend të fëmijës, në këtë moshë do të preferoja që të studioja dhe të shkollohesha për t’u bërë e pavarur, për të pasur një profesion timin dhe për të qenë krenare dhe jo shërbëtore. Por nga ana tjetër, mendova që im shoq do të ishte i lumtur me një fëmijë dhe mbi të gjitha, nuk do të më rrihte më, siç bënte zakonisht çdo ditë. Por në të kundërtën, sapo ai e mori vesh shtatzëninë time u bë më i keq dhe e shtoi dhunën ndaj meje. Madje shpesh më qëllonte drejt e në bark dhe nuk rreshti kurrë duke më keqtrajtuar, madje edhe pas lindjes së vajzës”.
Më pas, situata u përkeqësua. “Tre muaj më parë, gjatë një zënke shumë të ashpër, më futi në makinë bashkë me vajzën tonë dhe më la në mes të natës në mes të rrugës në periferi të Milanos. Nuk kisha para me vete, por për fat kisha futur në xhep dokumentet e lejeqëndrimit. Ai u kthye në Marok, ndërsa unë po atë natë telefonova tezen time dhe qëndrova në shtëpinë e saj për një muaj rresht. Më pas, një avokat më dha numrin e një shtëpie që priste gratë e dhunuara dhe të vetmuara dhe sot jam këtu bashkë me vajzën time”, rrëfen Amina.
Sot, 17-vjeçarja është e lumtur që ka arritur t’i rikthehet jetës pa dhunë dhe tmerr. Ka hequr shaminë e kokës dhe është shndërruar në një vajzë normale, që ka filluar të ëndërrojë dhe të bëjë plane për të ardhmen e saj dhe të së bijës. Në qendrën ku ajo jeton ka edhe gra e vajza të tjera, që kanë pasur fate të dhimbshme, por që tani kanë mundur që të gjejnë një mundësi për t’u qetësuar dhe për të menduar me më shumë pozitivitet për jetën. “Pas vitesh shkëputjeje jam lidhur më në fund me prindërit e mi, me nënën, babain dhe vëllezërit. Fillimisht kam qenë shumë e inatosur me ta, sepse për 600 euro më shitën dhe më bënë që të provoja ferrin. Kur i tregova tim ati historinë, ai u trondit dhe nuk i erdhi mirë. Për këtë u shtrua në spital, por tani ndihet mirë. Me të flas shpesh dhe kam arritur që ta fal dhe ta kuptoj se përse veproi në atë mënyrë. Madje im at më ka premtuar se do të vijë të më takojë shumë shpejt dhe unë e pres me shumë mall”
Amina, në fakt ka vendosur që të mos kthehet në atdhe, por të jetojë në Itali. “është një vend që më pëlqen shumë, edhe pse me të lidhen kujtimet e mia më të trishta. Dua që ta njoh më shumë, dua që të shkoj në kinema, në diskotekë, të gjej një punë me të cilën të përballoj rritjen e vajzës dhe të filloj një shkollë e të bëhem dikush në jetë. Kam shumë besim. Jam ende shumë e re, e di, por brenda vetes përvoja që kam pasur më ka pjekur dhe ndihem tashmë jo një vajzë në moshën e adoleshencës, por një e rritur. ëndrra ime është që të bëhem psikologe dhe të punoj me njerëzit që janë në nevojë. Më pëlqen shumë vullnetarizmi dhe kur kam kohë e ushtroj. Askush më shumë se unë nuk mund t’i kuptojë vajzat e keqtrajtuara dhe unë mund t’u them atyre edhe se është e mundur që të dalin nga situata ku janë futur dhe të fillojnë një jetë të re nga e para”.
Për sa i përket fesë, ajo vazhdon që të jetë myslimane dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë. “Nuk është besimi ai që e ka fajin, por njerëzit që i keqinterpretojnë mësimet e fesë dhe i përdorin për të justifikuar veprat e tyre mizore”.
#