E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ti përdorim mirë antibiotikët

Rregullat që barnat duhet të veprojnë mirë në organizëm dhe të mos krijojnë baktere “rezistente” ndaj terapisë

Shumë studime tregojnë se reaksionet e nxitura nga ilaçet shkaktojnë në 5-7% të rasteve të sëmurë, të cilët duhet të shtrohen menjëherë në spital. Kjo përqindje rritet në bazë të moshës dhe ilaçeve të marra. Por ndoshta ky nuk është thelbi i problemit. Pse i kushtohet kaq pak rëndësi një problemi kaq të përhapur? Pse është e nevojshme të nënvizojmë rëndësinë e ilaçeve, që duhen marrë vetëm sipas këshillave të mjekut dhe duhen përdorur në mënyrë korrekte? “Arsyeja është se edhe pas shumë vitesh studimet e shumta mjekësore nuk kanë arritur të gjejnë molekula të reja për të luftuar bakteret (në këtë rast bëhet fjalë për antibiotikët), ndaj është e rëndësishme që molekulat të cilat zbulohen, duhet të ruhen në mënyrën më të mirë që të mos e humbasin dobinë e tyre”, thotë një docent farmakologjie. “Në fakt, një përdorim abuziv ose i gabuar i këtyre barnave favorizon përhapjen e mikrobeve rezistente që më pas qarkullojnë në trupin e njeriut duke u përhapur e duke krijuar kushte për paefektshmërinë e antibiotikëve”, shton ai. “Rregullat bazë që duhen pasur parasysh janë të pakta dhe të thjeshta: terapia nuk duhet ndërprerë para se t’u thotë doktori, edhe nëse nuk keni temperaturë; dozën nuk duhet ta kaloni dhe barnat duhen marrë rregullisht sipas këshillës së mjekut”, thekson specialisti.

Një antibiotik klasifikohet për karakteristikat e tij të ndryshme: për veprimin e fortë kundër sëmundjeve, është i aftë të vrasë një bakter, mund të bllokojë rritjen e popullsisë bakterore dhe t’i japë kohë sistemit imunitar të shkatërrojë bakteret e pranishme. Pastaj është fusha e veprimit, “spektri antibakterial”, sa dhe cilat lloje bakteresh arrin të eliminojë bari, dhe “zgjatja e veprimit”, sepse ka antibiotikë që duhen marrë shumë herë në ditë dhe të tjerë për të cilët mjafton një dozë e vogël në ditë. Nuk duhet të harroni të paktën antibiotikët që arrijnë të luftojnë të gjitha llojet e baktereve. Në pjesën më të madhe, antibiotikët kurojnë vetëm disa infeksione dhe kjo rreze veprimi përcaktohet si “spektri antibakterial”.

Si dhe kur duhet t’i përdorim ilaçet

Por cilat janë arsyet që e çojnë një mjek të zgjedhë më shumë një antibiotik se një tjetër? Në fakt duhen marrë në konsideratë disa arsye. E para lidhet me llojin e sëmundjes infektive, pra pjesa e trupit e prekur nga infeksioni. Le të mendojmë për gjyshërit: kanë kollë, bronshit, ftohje, apo sëmundje të tjera. Ajo që duhet vlerësuar është rëndësia e infeksionit, pastaj lloji i bakterit të dyshuar dhe mënyra e kapjes së tij, ose si pacienti do t’i marrë barnat. Mund t’i marrë ato nga goja, ose përmes injeksionit intramuskular dhe endovenoz. Në këtë pikë, veçantia e parë është se ka nga ata antibiotikë të cilët nuk mund të merren nga goja, sepse do të shkatërroheshin nga aciditeti i stomakut; ose që nuk arrijnë ta përshkojnë kanalin intestinal dhe të mos arrijnë në gjak, duke mos arritur kështu të shkatërrojnë bakteret intestinale.

Pse është kaq e rëndësishme që antibiotiku të arrijë në gjak? Sepse pothuajse të gjitha bakteret përhapen në të gjitha indet: për të vepruar mbi to antibiotiku transportohet nga gjaku përmes rrugëve të tij që janë arteriet. Ka raste që disa antibiotikë përqendrohen në mënyrë të veçantë te disa inde dhe arrijnë në doza të mjaftueshme në të gjithë trupin. Eliminimi i antibiotikëve bëhet në dy mënyra: përmes urinës dhe feçes. Gjithsesi, është cilësia e veprimit që kryen një antibiotik, arsyeja që e shtyn mjekun të zgjedhë mjekimin e duhur për një pacient të sëmurë.

Vështirësia për të diagnostikuar një sëmundje po rritet gjithnjë e më shumë. Një studim i publikuar prej "Archives of Internal Medicine" nga studiuesit e Pensilvanisë dhe Karolinës së Veriut, ka treguar se në 7 vjet, nga 1998-2005, efektet anësore të ilaçeve janë rritur 2,6 herë, ndërsa ato fatale janë trefishuar. “Efektet e rënda anësore rriten me një shpejtësi 4 herë më të madhe se rritja e precizonit farmaceutik. Gjithashtu, ilaçet më moderne janë absolutisht më të rrezikshme: në 7 vjet, efektet e rënda anësore të 13 ilaçeve bioteknologjike janë rritur 15,8 herë”, thotë një studiues nga Karolina e Veriut. Gjithsesi, nuk duhet të harroni se çdo porosi e doktorit duhet të ndiqet me kujdes dhe të paktën çdo 3-6 muaj duhet të bëni vizitë te mjeku për të ulur në maksimum dozën e ilaçeve. Nëse kjo është e mundur, ju duhet të merrni ato që janë më të nevojshme. Duhet të pranoni që një terapi të mos “kurojë” vetminë apo izolimin. Në këtë rast do të ishte e këshillueshme një shëtitje, apo një punë e vogël për të hequr mendjen, ose një antidepresiv. Nëse jeni mbipeshë, bëni pak gjimnastikë, ose mundohuni të mbani dietë. Për hipertensionin ose kolesterolin e lartë, bëni mirë të ndryshoni stilin e jetesës. Pra, të përdorni ilaçe vetëm nëse ato janë vërtet të nevojshme. Gjithashtu, duhet të shmangni në maksimum të gjitha ilaçet e reja që nuk kanë një përdorim të konsoliduar. “Disa ilaçe provohen me studime te 800 pacientë, të tjera te 20 mijë. Efektet anësore më të rralla mund të shfaqen vetëm pas hedhjes në treg”, tregon një nga drejtorët e repartit të ilaçeve. Jo rastësisht, mes viteve 1975-1999, në Amerikë janë aprovuar 548 ilaçe dhe 10,2% e tyre janë tërhequr nga tregu me kalimin e kohës. Mes viteve 2000-2001, në Europë 6 ilaçe u tërhoqën nga tregu, ndërsa 10 të tjera morën autorizim për të dalë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›