E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, arrestimet dhe forca e Erdoganit

Arrestimet e bujshme të një jave më parë në Turqi, pas zërave të një grushti shteti të dështuara nga ana e ushtarakëve i kanë dhënë një goditje të rëndë elitës shekullore në Turqi. Ndërkohë, të shumtë janë ata që ngrenë pyetjen: A mos vallë Erdogan ka marrë përsipër më shumë nga ç’mund të mbajë?

Gjenerali Cetin Dogan, 69 vjeç është shumë i dhënë pas sendeve të luksit. Menjëherë pas daljes në pension, veterani i ushtrisë, që deri 5 vjet më parë ishte komandanti i Forcave të Armatosura dhe një person i konsideruar si shumë luftarak dhe i ashpër, bleu një vilë trekatëshe në bregdetin e Bodrumit në detin Egje, ku edhe shpresonte që të kalonte vitet që i kishin mbetur. Po ky vizion nuk ka shanse që të materializohet, të paktën edhe për një farë kohe ende të pacaktuar. Ai u arrestua në Stamboll dhe madje u vu në pranga publikisht. Më parë, askush nuk kishte guxuar që ta trajtonte në këtë mënyrë.

Ibrahim Firtina, 67 vjeç, u kap gjithashtu në befasi. Gjenerali i fuqishëm që mban 4 yje mbi supe, me vetullat e dendura të stilit të Leonida Brezjnjevit, ishte komandanti i Forcës Ajrore Turke, me 60 mijë anëtarë, një “gur i çmuar” i Anatolias. Sikurse edhe Dogan, ai konsiderohej si një ndër njerëzit e paprekshëm të elitës qeverisëse të vendit ose më mirë një lloj “pashai” i paprekshëm.
Por edhe për të, ky status zgjati deri të hënën, kur policia i trokiti në derën e vilës së tij në Ankara. Kur pashai u ngrit për të hapur derën me rrobëdëshambrin e tij hedhur mbi vete e shoqja që nga brenda shtëpisë i thirri: “çfarë do policia me ty? “Ndërkaq, një nga oficerët që ndodhej në prag nxitoi të jepte arsyen e paraqitjes: “Ju jeni në arrest. Keni 30 minuta kohë që të bëni gati plaçkat dhe të ndaheni me familjarët. Ju lutem merrni vetëm gjërat më të domosdoshme”.

Thuajse në të njëjtën kohë, pra paralelisht me këto arrestime, një forcë e posaçme e policisë i bëri vizitë edhe një tjetër personi të rëndësishëm, Ozden Ornek, 67 vjeç. Ai ishte ish-komandanti i marinës turke, tashmë në pension, një person që ishte konsideruar për një jetë të tërë si një individ tepër i talentuar që në moshë të njomë. E shoqja, me shumë dashuri dhe afeksion, e quante gjithmonë të shoqin “Djali i artë”. Kudo, veçanërisht mes kolegëve, ai konsiderohej dhe adhurohej si të ishte një zot. Edhe pasi doli në pension, Ornek kishte shumë pasion që të vishej me uniformën ushtarake që i vezullonte nga dekoratat e shenjat e shumta. Por atë ditë të hënë e gjithë e shkuara e tij nuk do të mjaftonte për ta shpëtuar nga arrestimi. Policia u shfaq në apartamentin e gjeneralit, ndërsa ai po hante mëngjesin: “Na falni shumë gjeneral, por duhet që t’ju arrestojmë”. Akuzat ndaj Firtina, Ornek, Dogan dhe 64 funksionarëve në detyrë dhe në pension të ushtrisë turke, një pjesë në grada shumë të larta, të cilët u vunë në pranga javën e kaluar në Turqi janë monstruoze: prokurorët në Stamboll pretendojnë që personat e dyshuar kishin planifikuar që të hidhnin në erë një xhami shumë popullore në Stamboll dhe të qëllonin vetëm një avion luftarak turk me qëllimin e provokimit të një krize me Greqinë fqinje dhe partnerët e NATO-s. Në bazë të ligjit turk, të dyshuarit nëse gjendjen faktorë pas procesit gjyqësor mund të kalojnë pas hekurave edhe 15 vjet.
Për sa i përket Turqisë, ajo është një vend që në njëfarë mënyrë është mësuar me lajme të tilla. Pamjet e sulmeve dhe arrestimeve të konspiratorëve të dyshuar të komplotojnë kundër qeverisë janë shfaqur shumë shpejt në ekranet televizive për rreth 2 vjet. Por në operacionin më të fundit të policisë, që ndodhi javën e kaluar dhe më saktësisht të hënën dhe të premten, objektivat nuk ishin si në të shkuarën, figura të errëta të nacionalistëve të së djathtës. Këtë herë hetimet do të ndërmerren ndaj atyre që deri pak kohë më parë konsideroheshin si disa prej figurave më të fuqishme të ushtrisë, këto vitet e fundit, që ndryshe quheshin edhe “rojet” e trashëgimisë së Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne. Që nga viti 1960, në Turqi janë organizuar 4 grushte ushtarake dhe që nga arrestimet e fundit shumë turq pyesin veten se si do të kundërpërgjigjen pas kësaj situate ushtarakët e lartë që janë ende në pushtet. A mos vallë me këto arrestime të nivelit të lartë dhe shumë të rëndësishme, Kryeministri Erdogan ka guxuar më shumë nga sa është në gjendje që të mbajë?

Për momentin, megjithatë, duket se qeveria nuk është cenuar në asnjë lloj drejtimi nga ana e ushtrisë. Erdogan vazhdon që të qeverisë vendin i pasfiduar nga askush. Në fakt, duket se ajo që po përjeton një krizë dhe një nervozitet është vetë ushtria. Kur dëgjoi për arrestimet, shefi i ushtrisë turke, gjenerali Ilker Basbug, anuloi menjëherë një udhëtim që duhet të ndërmerrte atë ditë drejt Egjiptit. Ndërsa Kryeministri, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në Spanjë, qëndroi shumë i qetë, gjakftohtë dhe vazhdoi gjithçka sipas parashikimit. Thjesht u mjaftua me një koment të tillë: gjykata po bën punën e saj.

Në fakt, deri më tani, 22 shkurti, shënon edhe kulmin e luftës për pushtet mes qeverisë konservatore të Erdoganit dhe ushtrisë shekullare turke. Ka shumë shanse që deri më tani fitorja të jetë në krahun e Erdoganit. “E paprekshmja është prekur”, shkroi në një artikull të saj e përditshmja turke “Zaman”. Ndërkohë, një gazetë tjetër e rëndësishme “Sabah”, shkruante sërish se: “Ky operacion ishte i paprecedent në historinë e republikës”. Erdogan ia ka dalë mbanë deri më tani që t’i mbijetojë të gjitha tentativave për ta përmbysur nga ana e ushtrisë dhe e gjykatave dhe aktualisht gëzon një pozicion të fuqishëm, më të fuqishmin që prej një kohe të gjatë. Gjeneralët janë shtypur. Fakti që Basbug kërkoi falje para Kryeministrit, dy vjet të shkuara kur gruas së Erdoganit iu ndalua hyrja në spitalin ushtarak për shkak të shamisë që mbante në kokë, shënon një pikë të madhe kthese. “Ky është një lajm i mirë për demokracinë dhe një lajm i mirë për Turqinë”, ka shkruar një gazetar i famshëm turk në një të përditshme duke nënvizuar se nuk kishte asgjë më të rreme se besimi që ushtria turke ka qenë roja e demokracisë në vend që prej dhjetëvjeçarësh. Në një rast të tillë duhet të ketë mbetur i kënaqur edhe Bashkimi Europian. Prej vitesh ajo i ka kërkuar qeverisë turke që të bëjë zap ushtrinë. Por nëse elita Kemaliste me të vërtetë është tkurrur pas një ngjarjeje të tillë, atëherë një gjë e tillë është e paprecedentë në gjithë historinë e republikës. Në fakt, kundërpërgjigjet nuk është se nuk kanë ekzistuar. Kështu që prej muajsh Kemalistët që ndodhen në sistemin gjyqësor mendohet se po përgatisin një gjyq të ri qëllimi i të cilit është nxjerrja jashtë ligjit e Partisë të Erdoganit, atë për Zhvillim e Drejtësi (AKP). Prokurori i Përgjithshëm i vendit, 59-vjeçari Abdurrahman Yalcinkaya po bën ç’është e mundur që të përhapet kudo një lajm i tillë. Yalcinkaya ka qenë edhe një nga firmëtarët e parë të peticionit në vitin 2008 në lidhje me largimin e kësaj partie nga pushteti. Në atë periudhë, ai e përshkroi partinë e Erdoganit si “qendër të aktivitetit antishekullar”. Fillimisht, një peticion i tillë dështoi në Gjykatën Kushtetuese, por ky dështim nuk ia ka ndalur aspak vrullin Prokurorit të Përgjithshëm. Ai është bir i një familjeje kurde nga juglindja e vendit dhe nipi i një sheiku të urdhrit të nderuar të Naqshbandi dhe në Turqi konsiderohet si një njeri me parime. Ndërkaq, ai vëzhgon shumë me vëmendje edhe kundërshtarin e tij, Erdogan.
Që nga fitorja e tij historike në vitin 2002, në zgjedhjet e përgjithshme, Erdogan që është biri i një detari nga lagjet punëtore të Stambollit dhe që vetëkonsiderohet si një islamist i ndriçuar, ka qenë një gjemb për elitën qeverisëse tradicionale në Turqi. Sa më shumë Erdogan përpiqej dhe ia dilte që t’i mbushte mendjen Perëndimit për qëllimet e tij shumë demokratike, aq më shumë elita Kemaliste e urrente dhe vazhdon që ta urrejë. Për pjesën më të madhe të gjeneralëve të ushtrisë, atyre aktualë dhe atyre që janë në pension, ajo që ka bërë Erdogan gjatë gjithë këtyre viteve mund të konsiderohet pa frikë një sulm ndaj themeleve të Turqisë moderne. Ai arriti që të eliminonte gjykatat e famshme të sigurisë së shtetit, lejoi kurdët që të përdornin gjuhën e tyre, u zotua që të zgjidhte grindjen me Greqinë në lidhje me Qipron. Por çfarë mund të bënte në këto kushte qeveria për të ndryshuar situatën e për ta sjellë në favor të saj? Gjeneralët e kuptuan menjëherë se nuk ka mënyra ligjore dhe politike për të hequr Erdoganin nga pozicioni ku është e kufizuar. Ndërkohë, edhe marrja e pushtetit duke përdorur taktikat e vjetra nuk është gjithashtu më produktive. Këtë e pranoi në njëfarë mënyre edhe vetë shefi i ushtrisë, pas arrestimeve kur u detyrua që të pranonte para Kryeministrit se kohët e grushteve ushtarake të shtetit kanë perënduar njëherë e mirë. Megjithatë, një grup i vogël ultranacionalistësh, në të cilin bëjnë pjesë disa prej personave më të rëndësishëm të vendimmarrjes, ka menduar mënyra nga më të ndryshmet për të minuar qeverinë popullore gjatë këtyre viteve të fundit. Në vitin 2007, revista “Nokta” publikoi planet e konspiratorëve të supozuar përmes të ashtuquajturve “ditarët e grushtit” të komandantit të marinës, Ozden Ornek. Ky i fundit pretendon se shënimet nuk janë autentike dhe u la i lirë, përkohësisht tri ditë më parë pas arrestit fillestar. Por sipas këtyre ditarëve, lideri i prezumuar i konspiracionit, gjenerali Dogan, që ndodhet pas hekurave, kishte planifikuar që të risillte skenarin e grushtit brutal ushtarak të vitit 1980. Arrestimi dhe burgosja e “dhjetëra armiqve të shtetit” në stadiumet e futbollit ishte pjesë e një komploti që u pasua me formimin e një qeverie kukull. Një tjetër plan, mendohet të ketë qenë edhe ai me emrin “Lakra” sipas të cilit ishin miratuar vrasjet e minoriteteve jomyslimane. Për realizimin e një skenari të tillë do të vendoseshin bomba në lagjet e krishtera dhe hebraike të Stambollit dhe do të grabiteshin edhe biznesmenë të ndryshëm. Qëllimi ishte që për këtë të fajësoheshin islamistët dhe pas kësaj presioni që parashikohej të ushtrohej nga jashtë do ta çonte qeverinë në dorëheqje. Sidomos që të jetë e vërteta, fakti është se ushtria turke ndodhet nën presion për të hetuar në lidhje me të gjitha akuzat e bëra ndaj anëtarëve të saj. Ushtrisë i duhet që shumë shpejt ta bëjë të qartë pozicionin e saj. Koha po mbaron për shefin e madh të ushtrisë dhe për të qetësuar situatën ai i deklaroi Presidentit dhe Kryeministrit që do t’i sqaronte shumë shpejt gjërat. Ndërkohë, Erdogan po gëzon një moment shumë të fuqishëm që nuk dihet ende sa do të zgjasë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›