Amnesty International dënon dhunën e policisë ndaj Vetëvendosjes
Organizata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka kritikuar sjelljen e policisë së Kosovës ndaj protestës së Vetëvendosjes. Ajo e ka cilësuar përdori të tepruar të forcës ndërhyrjen e saj ndaj protestuesve të padhunshëm më 14 janar.
Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës, shkopinj gome dhe topa uji në kushte të temperaturave të ulta në përpjekje për të shpërndarë turmat. Dhjetë demonstrues u lënduan seriozisht, përfshirë edhe dy pjesëtarë të Vetëvendosjes, të cilët raportohet se janë rrahur nga policia pas arrestimit. Katër demonstrues janë shtruar në spital, thuhet në komunikatën e Amnesty International.
Organizata i ka bërë thirrje policisë së Kosovës që të respektojë ligjet kombëtare e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe parimet themelore të Kombeve të Bashkuara mbi përdorimin e forcës nga organet e rendit në të cilat thuhet se për shpërndarjen e tubimeve të paligjshme, por të pa dhunshme, policia duhet të shmangë përdorimin e dhunës, ose kur kjo është e pamundur të përdorë forcë në minimumin e nevojshëm.