E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon seanca parlamentare, miratohet kalendari trejavor

Ka përfunduar seanca e parë parlamentare për 2012. Në seancë u miratua edhe kalendari trejavor i punës në Kuvend. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës përshëndetëse e ka cilësuar këtë sezon të ri parlamentar si mjaft të rëndësishëm, duke e lidhur këtë fakt me 100- vjetorin e pavarësisë, ndërsa ka theksuar se si në 2011 ashtu dhe në 2012 reformat do të jenë në axhendën parlamentare.
 

“Reforma ka qenë dhe do të jetë axhenda parlamentare. Ky është sezoni i gjashtë i sesionit të kësaj legjislature . Reformat e miratuara na shpëtuan nga futja në krizën që ka mbërthyer Evropën. Ne të gjithë jemi shqiptarë, e duam këtë vend. Disa ligje kërkojnë votën e opozitës, pa të nuk miratohen ndaj ne kërkojmë bashkëpunimin e saj për të mirën e vendit . Ju uroj suksese dhe punë të mbarë”-tha kryeparlamentarja.
 

Nga ana tjetër në fjalën e tij kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci tha se 100-jetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë në një krizë ekonomike, papunësie, në një udhëkryq diktature. Ndërsa ka shprehur vendosmërinë e grupit që përfaqëson për tiu shkuar në fund të gjitha reformave që garantojnë marrjen e statiusit kandidat, kjo sipas tij jo si detyrim i marrëveshjes me PD, por si rrjedhojë e marrëveshjes me shqiptarët dhe Bashkimin Europian.
 

“2012 e gjen Shqipërinë të rrezikuar, në krizë ekonomike, të pasigurtë, me një papunësi të shthurur , në një udhekryq diktature. Ne si grup parlamentar jemi të vendosur për të qenë zëdhënës të fuqishëm të qytetarëve shqiptarë në objektivin e tyre për integrimin në BE. Jemi të vendosur të mos lejojmë një dështim të radhës. E duam një vend ku të mos kemi më manipulim të zgjedhjeve, një reformë zgjedhore që shikon një korrektim sistemi me ose pa prekje të Kushtetutës. Duam në këtë 100 vjetor Shqipërinë me status të vendit kandidat për në BE, jemi të vendosur të punojmë në këtë drejtim, ne do ta japim votën tonë duke kërkuar që ato të kalojnë përmes një procesi transparent. Mos kini merak për prishje marrëveshje, ne këtë se kemi me ju por me shqiptarët dhe BE. Këtë vit janë dhe zgjedhjet presidenciale, ne do të shpalosim hapur para shqiptarëve versionin tonë, por ju si mazhorancë ju mungon legjitimiteti për zgjedhjen e presidentit për një sërë arsyesh. Përmbushja e interesit madhor është një President garant i Kushtetutës së vendit. PS kërkon një proces gjithëpërfshirës dhe transparent në këtë drejtim si një garanci për konsolidimin e shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura”-tha ai.
 

Ndërsa kryetari i grupit demokrat, Astrit Patosi, shprehu indinjatën e tij lidhur me fjalën e parafolësit të tij duke theksuar se Shqipëria është një jo dy dhe nuk mund të quhen 100 vite të shkuara dë3m vetëm se Edi Rama nuk është në pushtet.

“Shqipëria është një jo dy. Ka pasur zhvillime pozitive dhe vazhdon të ketë nevojë për më shumë punë. Por nuk mund të themi se janë 100 vite të cuara dëm vetëm se Edi Rama nuk është në pushtet. Ky 100 vjetor duhet të jetë cdo ditë punë, secili me funksionin që disponon të luajë rolin e tij. Mazhoranca do të bëjë cdo gjë nga ana e saj që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”-u shpreh Patosi.
Katër ditë më parë, sipas njoftimit të bërë nga Kryesia e Kuvendit, u miratua kalendari i punës, ku janë përcaktuar edhe kalimi për diskutim i ligjeve që kërkojnë 3/5, sipas marrëveshjes së 14 nëntorit 2011, të miratuar nga të gjitha grupet parlamentare.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›