Privatizimi i HEC-eve, blerësi 25 milionë euro kapital
Qeveria ka sanksionuar në dy vendime të veçanta të saj kriteret që duhet të përmbushin blerësit strategjikë të hidrocentraleve që janë nxjerrë për shitje. Kështu, si për HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2, ashtu edhe për HEC Ulzë dhe Shkopet, qeveria po kërkon një blerës që të ketë kapital minimal 25 milionë euro, që duhet ti përkasë vitit të fundit financiar. Ky është kapitali financiar, ndërkohë që në vendimet e saj qeveria ka përcaktuar edhe kriteret teknike dhe ligjore që duhet të plotësojë çdo investitor që shpreh interes për privatizim. Një tjetër kriter lidhet me atë të kapaciteteve menaxhuese, përfshi këtu eksperiencën. Ofertuesit duhet të zotërojnë burime njerëzore, teknike, profesionale dhe eksperiencë organizative në operimin e hidrocentraleve. Një ofertues i cili zotëron/operon një ose më shumë hidrocentrale, me një fuqi të instaluar, veçmas ose të kombinuar prej të paktën 15 MW konsiderohet që e përmbush këtë kriter, thuhet në vendimin e qeverisë. Do të jetë Ministria e Ekonomisë ajo që do të merret me gjithë detajet e procesit të privatizimit, duke filluar nga publikimet për shprehje interesi e deri te faza e fundit e shitjes.