E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia elektorale, qeveria ligj për të hequr doganën e aksesorëve të fushatës

Vendimi special i qeverisë për shmangien e doganave për posterat, guidat etj. Për këtë vendim u shfrytëzua aderimi në Konventën e Lehtësimit Doganor

Habjon Hasani
Më 14 janar të këtij viti, kryeministri Berisha ka firmosur aderimin e Shqipërisë në Konventën e Lehtësimit Doganor, konventë kjo që kryesisht mbështet heqjen e barrierave doganore për aksesorët dhe mjetet mbështetëse për fushatat turistike mes vendeve pjesëmarrëse. Thelbi i marrëveshjes ka të bëjë me shmangien e doganimit për ato pajisje dhe aksesorë që janë në funksion të fushatave ndërgjegjësuese për turizmin dhe që futen për përdorim të përkohshëm në territorin shqiptar. Në listën e mjeteve dhe aksesorëve që bëhen pjesë e marrëveshjes përfshihen dosje, pamflete, libra, revista, guida, postera, me dhe pa kornizë, fotografi, me dhe pa kornizë, harta të ilustruara ose të pailustruara, diapozitiva etj. Pra as më shumë e as më pak sesa aksesorët e nevojshëm që nevojiten për të bërë dhe reklamën e subjekteve politike gjatë fushatës elektorale. Por vendimi në fjalë parashikon që “realizimi i kësaj marrëveshjeje mund të zbatohet vetëm nga agjencitë turistike që porosisin dhe detajojnë mallin që do të futet përkohësisht në vendin tonë”. Kësisoj, mjaft që një parti politike të lidhë kontratë me një agjenci udhëtimi dhe në bazë të këtij vendimi ajo mund të importojë pa doganë të gjithë aksesorët e imazhit dhe sensibilizimit që i duhen për të reklamuar veten e saj.
Vendimi
Në relacionin që qeveria i ka bërë këtij vendimi nënvizohet se protokolli shtesë për lehtësitë doganore për turizmin në lidhje me importimin e dokumenteve dhe materialeve publicitare turistike është pjesë e konventave në fushën e transportit dhe kanë lidhje me lehtësimin e kalimeve kufitare për turizmin, të nënshkruar në Nju Jork më 4 qershor 1954. “Protokolli ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit të dokumenteve dhe materialeve publicitare turistike në territoret e palëve kontraktuese. Në këtë protokoll kanë aderuar tashmë 73 vende. Protokolli përcakton që çdo palë kontraktuese duhet të heqë tarifat dhe taksat e importit për dokumente dhe materiale publicitare turistike, të caktuara, në qoftë se ato janë importuar nga një shtet tjetër kontraktues dhe nuk përbëjnë rast për abuzim”, - shkruhet në relacionin zyrtar të këtij vendimi të qeverisë. Megjithatë, në rastin e një vendi anëtar si Shqipëria nuk është e qartë se cilët janë kufijtë e “materialeve turistike”. Shqipëria nuk ka një listë apo përshkrim të saktë në nomenklaturën e mallrave lidhur me aksesorët apo dokumentet që promovojnë turizmin, ndërsa fushata elektorale që do të zhvillohet këtë vit do të përkojë dhe me hapjen e sezonit turistik.
Përkimet
Në vendimin për listën e mallrave dhe të materialeve “për turizmin” përfshihen disa elemente si posterat apo “guidat”, të cilat janë elemente parësore edhe për fushatat elektorale. Nga ana tjetër, specialistë të fushës së Marrëdhënieve Publike dhe të agjencive publicitare shprehen se modifikimet që mund të kryhen me këto postera janë të kollajshme dhe tejet eficente. Kjo ndodh pasi një poster i madh dhe i kushtueshëm mund të modifikohet lehtësisht si një poster turistik, ndërsa pas futjes në Shqipëri hiqet shtresa ekspozuese për turizmin dhe del në pah shtresa e posterit që mund të mbartë imazhin e ndonjë kandidati për deputet. Megjithatë, duket se nuk do të jetë nevoja që “loja” të kamuflohet deri në këtë pikë, pasi ky vendim qeveritar ia beson këtë import agjencive turistike dhe këto të fundit do të mjaftohen me një deklaratë doganore, pa qenë nevoja të japin shpjegime të mëtejshme lidhur me llojin e posterave apo aksesorëve të tjerë që do të importojnë.

Financimi i partive, një tjetër “mjegull” mbi fushatën elektorale

Një nga pikat më të kritikueshme nga parterët ndërkombëtarë për procesin zgjedhor në Shqipëri ka qenë mungesa e transparencës në financimin e fushatave elektorale. Për këtë arsye, në Kodin e ri Zgjedhor janë sanksionuar disa nene, të cilat tentojnë të bëjnë më transparente dhe më të kontrollueshëm financimin që përfitojnë partitë politike gjatë fushatave elektorale. Në Kodin e ri Zgjedhor janë sanksionuar katër kategori, të cilave do t’u ndalohet me ligj financimi i fushatave elektorale. Kështu, kategoritë e mëposhtme janë personat juridikë apo shoqëritë tregtare, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në tenderat publikë gjatë një periudhe 2-4-vjeçare (mbetet për t’u përcaktuar). Lista vijon më pas me personat juridikë apo shoqëritë tregtare, të cilat rezultojnë debitore në shtet. Kategoria e tretë është ajo e personave juridikë dhe e shoqërive tregtare që kanë përfituar nga fondet publike nëpërmjet projekteve shtetërore. Kategoria e katërt, që nuk do të lejohet të financojë fushatat elektorale të partive politike, janë personat juridikë dhe shoqëritë tregtare, të cilat janë aksionere në organet e masmedias shqiptare. Kodi Zgjedhor, i miratuar së fundi në Kuvendin e Shqipërisë, ka përcaktuar shumën maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike do ta kenë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në Nenin 89 të këtij Kodi (pra në kategoritë që nuk lejohet financimi) dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Në Kod parashikohet gjithashtu edhe ngritja e sistemit të Auditit, i cili do të auditojë financimet që përfitojnë partitë në fushatat elektorale.

Rasti i “BG&R”, firma që loboi Berishën, përfitoi nga projektet energjetike

Rasti i firmës lobuese amerikane “BG&R” duket se është një nga shembujt më tipikë të kostos që paguajnë shqiptarët për “mbështetjen ndërkombëtare” që synojnë partitë politike. Në vitin 2005 kompania “BG&R” organizoi gjithë fushatën zgjedhore të PD-së, ndërsa pak muaj më parë kjo firmë rezultoi e lidhur me Damir Fazlliçin dhe përfituese e disa terreneve në Porto Romano, që qeveria i shpalli si “zona energjetike”.
“BG&R” punoi për llogari të PD-së deri më datë 1 korrik 2005. E gjithë puna e saj mund të përmblidhet në 4 muaj. Duke pjesëtuar shumën e deklaruar në KQZ me katër muajt që “BG&R” ka punuar për llogari të PD-së, i bie që çdo muaj “BG&R” të jetë paguar nga 45 400 USD. Shuma duket se nuk është tunduese, aq sa t’i detyrojë afro 10-12 punonjës të “BG&R”, drejtorin Ekzekutiv, Leni Grifit, këshilltarin amerikan për çështjet audio e vizive të fushatës, Stiven Stjuart, deri dhe presidentin e “BG&R”, Robert D. Blekuill, të linin “tokën e premtuar” dhe të vinin deri në Tiranë për të organizuar fushatën elektorale të PD-së. Vetëm qëndrimi i gjithë këtij ekipi në Tiranë, në hotelet luksoze të kryeqytetit, banesat luksoze të marra me qira në zonat afër qendrës ku qiraja është e kripur, shpenzimet e tyre për të ngrënë, dietat, qiraja për zyrat e punës, leksionet e mbajtura nga presidenti i “BG&R” në kryeqytet, biletat e avionëve, karburanti etj., etj., me shumat që deklaron PD-ja se ka paguar “BG&R”, të bën të besosh se ata kanë punuar thjesht për “ideal të PD-së”. Puna e kryer nga “BG&R” nuk ka përfshirë vetëm fushatën elektorale, por edhe organizimin e hapjes së Kuvendit të PD-së më datë 24 prill 2005. Asokohe, PS-ja, nëpërmjet numrit 2 të saj, e akuzoi PD-në se i ka dhënë afro 2 milionë dollarë kompanisë në fjalë për organizimin e Kuvendit. Këto akuza u hodhën poshtë nga PD-ja. “BG&R” është një kompani që e bazon aktivitetin e saj mbi fitimin. Është e qartë se shuma e deklaruar nga PD-ja nuk pasqyron realitetin e shumës që ka marrë “BG&R”, pasi duke njohur praktikën e organizimit të fushatave elektorale të forcave kryesore politike, ato janë shumë herë më të mëdha. Për një shumë të tillë simbolike zor se do të lëvizte edhe një kompani shqiptare që merret me organizime fushatash, e jo më një kompani prestigjioze, siç është “BG&R”, që erdhi nga përtej Atlantikut.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›