Procedurat për regjistrimin e pronës kur ka disa pronarë
Laureta Rryçi
Tiranë - Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme operojnë çdo ditë për regjistrimet fillestare të pronave sipas legjislacionit që u ka mundësuar qytetarëve këtë proces. Specialistët që kryejnë regjistrimet ndjekin procedurat në varësi të kërkesës nëse prona duhet të regjistrohet në emër të një apo disa personave. Për pasojë, edhe dokumentet që duhen për secilën nga këto pasuri janë të ndryshme. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm procedurat që ndiqen në rastet kur një pronë figuron e regjistruar në emër të disa pronarëve. Në rast se bashkëpronarët, me akt noterial, bien dakord për pjesëtimin e pasurisë së paluajtshme, mund të bëhet regjistrimi i kësaj pasurie sipas formularit të caktuar për këtë pjesëtim. Formularit i bashkëngjitet akti noterial i pjesëtimit. Kërkesa për regjistrim mund të bëhet nga njëri ose disa prej bashkëpronarëve; çdo person, në favor të të cilit është dhënë një vendim gjykate për shitjen e një pjese të pandashme të pasurisë së paluajtshme. Regjistruesi nuk mund tё pranojë asnjë regjistrim tё ri tё njё prone nёse për kёtё pronё ka njё regjistrim tё mёparshёm.
Bashkimet dhe ndarjet
Kur pasuritë e paluajtshme ngjitur janë pronë e të njëjtit pronar dhe u nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve të njëjta, me kërkesë të pronarit, regjistruesi mund t'i bashkojë ato pasuri të paluajtshme duke mbyllur kartelat që u takojnë këtyre pasurive të paluajtshme dhe duke hapur një kartelë apo disa kartela të reja lidhur me pasurinë apo pasuritë e paluajtshme që dalin nga bashkime të tilla, si dhe duke azhurnuar hartën treguese të pasurive. Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm ose të trashëgimtarit të tij, për ndarjen e një pasurie të paluajtshme të tij në dy a më shumë pjesë të kësaj pasurie të paluajtshme, regjistruesi bën ndarjen duke mbyllur kartelën për pasurinë e paluajtshme që ndahet, hap kartela të reja, azhurnon hartat treguese për pasuritë e paluajtshme të reja që dalin nga ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjitha hyrjet që ishin në kartelën e mbyllur. Me kërkesë të pronarëve të pasurive të paluajtshme fqinje, të cilët dëshirojnë të ndryshojnë kufijtë ndërmjet pasurive të paluajtshme të tyre dhe me pëlqimin e dhënë me shkrim nga të gjithë personat e tjerë, në emër të të cilëve është regjistruar çdo e drejtë a pronësi mbi këto pasuri të paluajtshme, regjistruesi anulon kartelat e këtyre pasurive të paluajtshme dhe azhurnon kartelat dhe hartën treguese të regjistrimit në përshtatje me konfiguracionin e ndryshuar të pasurive të paluajtshme.
Pjesëtimi i pasurisë
Në rast se regjistruesi mendon se një rindarje e propozuar përmban ndryshime rrënjësore të pronësisë mbi pasurinë, të cilat duhen rregulluar nëpërmjet kalimeve të pronësisë, regjistruesi refuzon këtë rindarje. Në asnjë rast regjistruesi nuk lejon ndryshimin e pronësisë që fshin të drejtat reale. Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e paluajtshme të tij, regjistruesi i kërkon atij të dorëzojë një plan rilevimi të nënndarjeve të propozuara, të përgatitura prej një topografi të licencuar. Kur pasuritë e paluajtshme, ngjitur njëra-tjetrës, janë pronë e pronarëve të ndryshëm, regjistruesi mund të bëjë bashkimin e tyre në të gjitha rastet kur pronarët paraqesin deklaratën noteriale, ku shprehet pëlqimi i palëve për bashkim të pasurive, e shoqëruar me plan rilevimi, të përgatitur nga topografi i licencuar. Në të gjitha rastet pronarët dorëzojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme certifikatën origjinale të pasurisë që do të bashkohet ose ndahet, si dhe pajisen me certifikata të reja pronësie për pasuritë e krijuara.
Pezullimi i regjistrimit
Në qoftë se një person propozon një marrëveshje për një pasuri të paluajtshme të regjistruar, mund të bëjë një kërkesë te regjistruesi i zonës përkatëse me pëlqimin me shkrim të pronarit, për të pezulluar veprimet për transaksione të tjera të kësaj pasurie. Regjistrimi i çdo dokumenti tjetër lidhur me këtë pasuri të paluajtshme pezullohet për një afat (i cili quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur miratohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë bëhet shënimi në kartelë.
Regjistrimi i çdo dokumenti lidhur me pasurinë e paluajtshme që përfshihet në këtë marrëveshje pezullohet për një afat (i cili quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur paraqitet kërkesa dhe aprovohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë bëhet shënimi në kartelë. Në rast se brenda afatit të pezullimit paraqitet për regjistrim një dokument i vlefshëm nga personi që kërkon pezullimin, ky dokument ka përparësi ndaj çdo dokumenti tjetër që mund të paraqitet për regjistrim gjatë këtij afati të pezullimit.
Regjistrimi i ndërtimeve tё reja
Regjistruesi, me kёrkesё tё investitorit dhe të pronarit, bёn regjistrimin e pёrkohshёm tё objektit nё fazёn e përfundimit tё karabinasë, si dhe lëshon certifikatën pёrkatёse. Ky regjistrim bëhet me kolonë tё ndryshme nga ajo e truallit, nё tё cilin po kryhet ndërtimi dhe ёshtё i vlefshëm deri nё përfundimin e objektit, pёr efekt tё kreditimit tё investitorit ose regjistrimit tё kontratave paraprake. Me kёrkesёn e palёs sё interesuar, regjistruesi bёn regjistrimin e kontratave paraprake tё shitjes sё pjesëve tё njё ndërtimi tё ri dhe i pajis blerësit e ardhshëm me certifikata tё përkohshme. Ky regjistrim ёshtё i vlefshëm deri nё regjistrimin e kontratës sё shitjes, pёr efekt tё kreditimit tё blerësit.
Mënyra e regjistrimit fillestar
Regjistruesi, një person ose çdo grup i ngarkuar nga kryeregjistruesi kërkon që pronësia si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen duke përdorur kriteret e mëposhtme: Pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme përcaktohen nga aktet e fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil. Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, sipas shkronjës “a”, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, me një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme, që mbështesin kërkesën për regjistrim.
Regjistruesi, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit pas pagesës së shpenzimeve, të cilat parapaguhen nga kërkuesi. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, me kalimin e këtij afati, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë ngjitur njëra-tjetrës e të cilët kanë interes të ligjshëm në gjykim. Për kalimin në pronësi të sipërfaqes, kur në dokumentin e pronësisë është bërë shënimi “oborr në përdorim”, kërkuesit duhet t'u drejtohen organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Për rastet, të cilat nuk janë subjekt i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, kërkuesit i drejtohen institucionit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Procedura e kalimit të kësaj sipërfaqeje në pronësi, në këto raste, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
28 Janar 2009