E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Sondazhi i TI-së provon dështimin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit



Lëvizja Socialiste ka reaguar dje ndaj rezultatit të sondazhit të zhvilluar nga "Transparency International", ku Shqipëria renditej si vendi i tretë më i korruptuar në botë. Nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, tha se një sondazh i tillë konfirmon dështimin spektakolar të qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Kodra tha se si rezultat i rritjes së nivelit të korrupsionit, sot shqiptarët e shikojnë veten më të varfër dhe të braktisur nga shteti i tyre. “Sondazhi më i fundit i “Transparency International” e rendit Shqipërinë si vendin e tretë në botë për korrupsion. Kjo është një dëshmi tjetër që provon falimentimin dhe demagogjinë e plotë të luftës kundër korrupsionit dhe premtimeve elektorale për zhdukjen e tij, duke shënuar në të njëjtën kohë edhe dështimin e objektivit kryesor politik të qeverisë “Berisha”, atë të qeverisjes me duar të pastra. Sondazhi provon luftën plotësisht të munguar dhe dështimin e plotë të qeverisë si dhe dështimin e plotë të pseudostrategjive që fillojnë nga telefonat e zyrave të Kryeministrisë e përfundojnë te ligji i spiunëve. Gjithashtu ai ka evidentuar edhe problemet e mëdha të mosqeverisjes së vendit, si dhe ka treguar se qeveria ka hyrë në borxh të thellë me qytetarët”, - tha Kodra. Nënkryetarja e LSI-së deklaroi se një sondazh i tillë konfirmon mungesën e besimit të shqiptarëve ndaj kryeministrit Sali Berisha. “Sondazhi u hoqi përfundimisht shqiptarëve çdo iluzion se kjo qeverisje mund të ndryshojë vendin dhe është fakt dramatik se Shqipëria po ndryshon për keq gjatë qeverisjes së Berishës. Gjithashtu provohet qartë dhe pa asnjë ekuivok se autoritarizmi korruptiv me prirje të spikatura diktatoriale i Berishës po përkeqëson progresivisht dhe në mënyrë të pariparueshme raportin e qeverisë me qytetarët”, - deklaroi nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›