E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dukuria Xhuveli, e papajtueshme me mbrojtjen e mjedisit

Nga Orhan ZARSHATI
Në shkrimet tona disa herë e kemi përmendur Ministrin anekdodik të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, për punë të pamjaftueshme në domenin që ai mbulon. Mbrojtja e mjedisit sot është një kërkesë sine qua non për të ardhmen e lulëzuar të shtetit, popullit dhe gjendjes sociale të tij. Përkeqësimi i treguesve mjedisorë rrezikon seriozisht vendin tonë dhe mund të tronditë rendin social dhe parametrat shëndetësorë të popullsisë.
Ministri i ynë i mjedisit mburret me diplomat të cilat i shpërndajnë me kile ABI (Instituti Amerikan i Biografive) dhe IBC (Qendra Ndërkombëtare e Biografive - Angli), si një shkencëtar, që i ka merituar ato dhe që njihet botërisht për studimet e tija, por që në fakt është një agronom i rëndomtë e i krekosur, që nuk shquhet për një punë të vyer në krye të Ministrisë së Mjedisit, as si një drejtues ekspeditiv në fushën e mbrojtjes së mjedisit, kur gomat digjen ende në furrat e gëlqeres në Krujë e rrethinat e saj.
Furrat e shumta të gëlqeres, guroret tip kariere dhe fabrika e çimentos pranë Krujës, po ia marrin frymën asaj. Përveç gomave,që vijnë për tu djegur nga një fabrikë në pronësi të së bijës, në furrat e gëlqeres, digjet çdo lloj mbeturine, apo hedhurinë e djegshme, të cilat janë ndotëse e helmuese dhe shkaktojnë efekte të rënda në shëndetin e popullsisë, që banon atje.
Ministri flet me mburrje për Shqipërinë e gjelbër dhe pyjet e shumta në mbarështim të plotë, kur dihet se ato të pishës (pyjet me bimësi halore), janë infektuar rëndë nga sëmundja e procesionaresdhe po dëmtohen nga ndërhyrjet e kundraligjshme në sektorin pyjor, florën dhe faunën e tij. Dëmtimet vazhdojnë pa u marrë asnjë masë mbrojtëse dhe ndëshkuese ndaj kundravajtësve të kundraligjshëm. Por ministri Xhuveli është i vetëkënaqur me gjendjen e pyjeve, me pastrimin e ujërave të ndotur, me purifikimin e ujërave të zeza që derdhen në lumenj dhe në det, sidomos me ato që derdhen në plazhe, ku pritet të vijnë turistë të huaj.
Ministria e Mjedisit, duket se nuk ka marrë masat e duhura dhe efikase për të parandaluar, ose ndaluar nxjerrjen pa kriter të inerteve nga shtratet e lumenjve dhe nga guroret e hapura për shfrytëzim, tip kariere, pa asnjë kriter të mbrojtjes së mjedisit. Vendet përreth nesh e nxjerrin gurin nga galeritë, jo nga karierat, të cilat bëhen shkak për shkatërrimin barbar të peizazhit mjedisor, bimësinë dhe gjelbërimin natyror, që e mbrojnë relievin nga erozioni. Për shkak të erozionit në rritje po ndodhin rrëshqitjet e tokës me pasoja të rënda për popullsinë,shkatërrimin e shtëpive në fshatra e gjetkë, shoqëruar me dëmtime dhe fatkeqësi të tjera.
Në qarkun e Krujës janë të shumta problemet për ruajtjen patër dhe pa ndotje toksike të mjedisit, si: në tokë, në ujëra dhe në ajër. Këto probleme e kanë prejardhjen nga që nuk janë marrë masa për mbylljen e furrave të gëlqeres, guroreve që shtohen dita ditës dhe nga pluhurat që lëshon në atmosferë fabrika e çimentos. Me gjithë ankesat e shumta të banorëve të zonës, Xhuveli nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe nuk ka zgjidhur asnjë problem, që i shqetëson dhe u rrezikon shumë shëndetin banorëve të zonës.
Përveç zonave rurale,qytetet kanë probleme të shumta me ndotjen nga inertet e mbetura nga ndërtimet e shumta ( në shumicën e rasteve pa kritere urbanistike).

Lumenjtë, apo ujërat që kalojnë përmes, ose anash qyteteve nuk kanë kolektorë paralelë, anash shtratit, për të penguar ndotjen e tyre, sidomos nga ujërat e zeza (por edhe nga vërshimet e ujërave të bardha për shkak të shirave).
Mbrojtja e mjedisit,sidomos në qendrat urbane, është një nga çështjet sensitive, e cila shtrohet si kërkesë e domosdoshme për tu plotësuar nga ana e institucioneve të BE-së, për tu anëtarësuar në BE.
Pastrimi i rregullt i plehrave, i mbetjeve dhe hedhurinave urbane, depozitimi i tyre në landfill-et, sipas një teknologjie bashkëkohore, paraqet një kërkesë logjike për mbajtjen pastër dhe në mënyrë higjienike të një qyteti, e sidomos të një kryeqyteti me profil europian. Por çmund të thuhet për kryeqytetin tonë Tiranën, kur 90% e njerëzve që lëvizin rrugëve pështyjnë për tokë, kur plehrat rrijnë me ditë nëpër kazanë dhe kur Bashkia nuk bën punën e nevojshme edukuese me masa restriktive(gjoba) kundër ndotësve të mjedisit kryeqytetas; por edhe për ndërtimin e studjuar të banjove dhe pisuarëve publikë. Kjo sidomos po të mbahet parasysh mbipopullimi i Tiranës me banorë që nuk i njohin dhe nuk duan tia dijnë për rregullat e mosndotjes së vendeve publike (si urinimi poshtë urave,ose në vende të mënjanuara).
Tirana si kryeqytet dhe zona përqark saj duhet të jenë shembull për të gjithë vendin në drejtim të mbrojtjes mjedisore të peizazhit, të gjelbërimit natyror, të mosrrjepjes së kodrave në këmbë të Malit të Dajtit dhe të vetë malit, të pastrimit periodik të shtatit të përroit të Lanës dhe të Lumit tashmë të ngushtuar të Tiranës. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, të ndërtimit  në perspektivë të kolektorëve anësorë shoqërues gjatë gjithë gjatësisë së shtratit të Lanës dhe të Lumit të Tiranës; për të kryer mbledhjen e ujërave të ndotur dhe pastrimin e tyre larg kryeqytetit, me qëllim qe të derdhen të pastra në det.
Më kujtohet se me çfarë analize të thellë tekniko-shkencore trajtoheshin problemet e ruajtjes së mjediseve urbane në artikujt e revistës franceze Revue de la technique et de la science municipale(Revista e teknikës dhe shkencës bashkiake), që lexoja dikur në Bibliotekën Kombëtare. Më pati bërë përshtypje atëherë impianti gjigantesk, i cili mblidhte dhe purifikonte të gjithë ujërat e Lumit Senë dhe ujërat e tjerë residualë të Pellgut parizien para se të derdheshin në det. Aq të pastra dilnin ujërat nga impianti sa mund të piheshin lehtësisht nga njeriu pa i shkaktuar asnjë dëm.
Shqipëria ka patur një projekt, si një grant nga Qeveria japoneze, për ndërtimin e një kolektori ujëmbledhës e pastrues përgjatë gjithë shtratit të Lanës. Ky projekt duhet të riaktivizohet nga Ministria e Mjedisit dhe ministritë e linjës; natyrisht duke rifilluar bisedimet me palën japoneze; mbasi është një projekt shumë i vlefshëm për ruajtjen e mjedisit në kryeqytet.  .
Lufter Xhuveli kur ishte Ministër i Bujqësisë dhe i Ushqimit në qeveritë socialiste, u bë i njohur me nofkën si ministër i panaireve. Si ndërrues i flamujve, në vitin 2005 kaloi me Qeverinë demokratike të Sali Berishës. Këto ditë të nxehta të fushatës zgjedhore, i ndodhur ballë për ballë me deputetin Preç Zogaj, i drejtohet atij ku jeni o  tradhtarë të koalicionit! Ky politikan, që nuk i ka dhënë diçka të rëndësishme vendit të vet, në të ardhmen nuk e vlen të bëjë pjesë në ndonjë kabinet qeveritar, të çfarëdo krahu; edhe sikur të arrijë ti japë deputetë mazhorancës së ardhshme, si Kryetar i Partisë Agraro-ambientaliste, deputet, apo çfarëdo që të jetë.

Last Updated on Tuesday, 16 June 2009 15:28

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›