E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, 185 biznese përfitojnë

afro 1.6 miliardë lekë në doganën e Durrësit

Kanë paguar disa detyrime, por nga ana tjetër kanë përfituar amnistinë për borxh më të madhe që kanë pasur ndaj doganës. Kështu ka ndodhur me 185 biznese, të cilat që nga viti 1994 kanë pasur detyrime doganore dhe kamatëvonesa të pashlyera në doganën e Durrësit dhe kanë përfituar rreth 1.6 miliardë lekë gjithsej nga zbatimi i ligjit “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore”. Disa kategori të “borxhlinjve” do të kenë një “amnisti” të plotë, ndërsa për mjaft të tjera mjafton të shlyesh një pjesë prej rreth 20-25 për qind të detyrimit brenda 8 prillit të vitit 2009 për të mbyllur një marrëdhënie detyrimi fiskal me doganën. Drejtori i doganës së Durrësit, Arben Ibroja, tha dje për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se tashmë janë evidentuar 217 raste të detyrimeve doganore dhe interesave të papaguara në këtë degë për një periudhë afro 15-vjeçare. Ibroja shprehet se 185 biznese të ndryshme kanë regjistruar një ose më shumë raste me një shifër të përgjithshme detyrimi doganor prej 2.1 miliardë lekë. Sipas tij, ligji 9986 i 11 shtatorit të këtij viti parashikon faljen e këtyre detyrimeve në masën mesatare prej 73 për qind, e cila shprehet në një shifër prej 1.6 miliardë lekë gjithsej. Sipas drejtorit, institucionet shtetërore dhe shoqëritë me kapital tërësisht shtetëror përfitojnë nga falja totale e borxhit e po kështu edhe individët debitorë për automjetet e importuara. Ibroja sqaron se rreth 70 për qind e “penaliteteve” në vite janë pasojë e kundërvajtjeve administrative të bizneseve, të cilat kanë deklaruar sasi më të vogla malli në doganë, ndërsa një pjesë tjetër lidhet me verifikimin e faturave doganore nga Drejtoria e përgjithshme e doganave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›