E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Gjyq ndaj rrugës kombëtare, jo ndaj meje



“Ky proces është kundër rrugës kombëtare”

“Do të zbatoj ligjin pikë për pikë”

Gjyq i pastër politik ndaj rrugës kombëtare Durrës-Kukës-Morinë dhe jo ndaj tij. Kështu i cilësoi dje ish-ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, z. Lulzim Basha, akuzat e ngritura nga tij për abuzime me fondet publike të projektit gjigand të shekullit që lidh dy tokat shqiptare, atë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ai akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeprokuroren Ina Rama dhe kryesocialistin Edi Rama për farsën e procesit të hetimit, duke i quajtur ata kundërshtarë të ndërtimit të rrugës kombëtare. “Rruga nuk duhej të ndërtohej, sepse portet shqiptare nuk mund të bëheshin portet më të rëndësishme në Ballkan, sepse rrugët e Kosovës për në Evropë duhej të kalonin nëpër Serbi, sepse tregu i trevave shqiptare nuk duhej unifikuar”, - tha Basha. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, doli në orët e pasdites së djeshme në një konferencë për shtyp nga ku iu kundërpërgjigj trillimeve dhe sulmeve të prokurorisë, sipas tij të fabrikuara në zyrën e Edi Ramës. Z. Basha akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme dhe kreun e saj, Ina Rama, me argumentin se gjykata ka kërkuar ndalim të hetimit për çështjen Durrës-Kukës, ndërkohë që organi i akuzës i ka vazhduar ato në kundërshtim me ligjin. Z. Basha sulmoi ashpër kryesocialistin Edi Rama të cilin e quajti armik të ndërtimit të rrugës Durës-Kukës dhe “pinjoll të Stefan Dugoshës”. Basha bëri të qartë se projekti i rrugës komprometon rëndë të ardhmen e tij politike, teksa përmendi faktin se “socialistët mashtruan shqiptarët e Kosovës për rrugën duke u fshehur pas taksës”. Ai theksoi se “Shqipëria humbi 400 milionë euro, duke mos e ndërtuar këtë rrugë. Për të mashtruar shqiptarët e Kosovës u vendosën si shpenzim në kohën e PS-së në pushtet 300 milionë dollarë, por nuk u përdorën për rrugën as 4 milionë, pasi rruga duhej penguar me çdo kusht dhe çdo çmim”, - vijoi Basha. Sipas tij, për 8 vjet që rruga nuk u ndërtua, Shqipëria humbi mbi 400 milionë euro. Ndërkohë që disa herë më i madh është ky dëm për Kosovën dhe shqiptarët”. Por ish-ministri i Punëve Publike dhe Transporteve shigjetoi prokurorinë me gjykimin e qartë se ajo ka rënë pre e Edi Ramës në zyrën e të cilit janë fabrikuar dhe akuzat e ngritura. Z. Lulzim Basha fajësoi institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme për praktikën e njoftimit të tij nga prokurori. Në këtë rast Basha garantoi: “Unë do të zbatoj ligjin pikë për pikë”. Kryediplomati shqiptar vuri në dukje se “asnjë fjalë, asnjë rresht, asnjë shkronjë nuk ka të bëjë me mua në këtë proces. Ky proces është kundër ndërtimit të rrugës”. Sipas Bashës, me anë të një sulmi të pastër politik mercenarët e Ramës morën akuzat e fabrikuara dhe i riprodhuan ato me stemat e prokurorisë. Ministri i Jashtëm i kujtoi Edi Ramës se është eksponenti i vetëm që nuk e ka vizituar rrugën asnjëherë të vetme, pasi kjo rrugë u jep fund klaneve dhe interesave politike që e mbrojnë Ramën politikisht.

Basha: Ja argumentet që rrëzojnë akuzat ndaj meje

Në vijim të interesimit tuaj për prononcimin tim, përzgjodha pasditen e sotme për këtë komunikim, pasi gjatë gjithë javës së ardhshme do të ndodhem jashtë vendit në funksion të disa takimeve të rëndësishme të kalendarit diplomatik.

Edhe një herë rruga Durrës-Kukës, arteria kombëtare që bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, është rikthyer në planin e parë të vëmendjes së opinionit publik shqiptar.

Ndërkohe që arteria e kombit çdo ditë i afrohet përfundimit të saj, Edi Rama dhe mercenarët e tij, ata që për 8 vjet me radhë penguan ndërtimin e saj, duke mashtruar për 8 vjet Shqipërinë dhe Kosovën, ata që pas humbjes së pushtetit nisën sulmin e tyre për të nxirë, përbaltur dhe denigruar projektin më të madh në historinë e vendit, sot janë angazhuar në një sulm të egër dhe të paprecedent, në një proces të pastër politik, i cili po komprometon rëndë detyrimet ligjore të prokurorisë shqiptare para Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe shtetit ligjor.

Tre vjet më parë, qeveria shqiptare mishëroi në programin e saj qeverisës premtimin elektoral të mazhorancës së djathtë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës si nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare dhe gjeostrategjike.

Vullneti politik i qeverisë mori formë me nisjen e investimit për segmentet Kalimash-Morinë dhe Milot-Rrëshen që në muajt e parë të kësaj mazhorance. Për segmentin Rrëshen-Kalimash, më të gjatin, më të vështirin dhe më vendimtarin për suksesin e këtij projekti, gjatë 8 viteve qeverisje socialiste, nuk pati vullnet as për të përfunduar projektin teknik.

Një projekt i tillë do të kushtonte vetëm 3 apo 4 milionë euro, por mungesa e tij do ta bllokonte ndërtimin e rrugës edhe të paktën 4 vjet të tjerë. Mungesa e projektit teknik për segmentin Rrëshen-Kalimash është prova më e qartë e mungesës së vullnetit politik të 8 viteve qeverisje socialiste. Ky është shembulli më komprometues se përveç mashtrimit 8-vjeçar, qarqe të caktuara brenda ish-mazhorancës, sot në opozitë, sabotuan me vetëdije kriminale projektin e bashkimit.

Rruga nuk duhej të ndërtohej, sepse Kosova nuk duhet të kishte akses të lirë në det dhe Evropë. Rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse portet shqiptare nuk duhet të bëheshin portet më të rëndësishme të rajonit. Rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse rrugët e Kosovës për në Evropë duhet të kalonin nëpër Serbi. Rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse tregu i trevave shqiptare nuk duhej të unifikohej.

Ky ishte përcaktimi i armiqve dhe kundërshtareve të rrugës.

Prandaj dhe rruga për 8 vjet me radhë të qeverisjes socialiste u kthye në legjendë urbane. Për të flitej gjithë ditën dhe kundër saj punohej gjithë natën.

Për të mashtruar shqiptarët dhe Kosovën u vendos edhe një taksë për ndërtimin e rrugës, e cila në total arriti një vlerë prej 300 milionë dollarësh, por nuk u përdoren as edhe 4 milionë për projektin dhe kjo, sepse rruga duhej të bllokohej me çdo kusht dhe çdo çmim nga ata që me përfundimin e rrugës shohin fundin e tyre apo të planeve të tyre antishqiptare.

Për 8 vjet që rruga nuk u ndërtua, Shqipëria humbi mbi 400 milionë euro. Ky dëm sot përllogaritet mbi 80 milionë euro në vit për çdo vit që rruga nuk është hapur. Disa herë më i madh është ky dëm për Kosovën dhe shqiptarët.

Prej 14 vitesh janë përballur me njëra-tjetrën dy politika, njëra kombëtare dhe tjetra antikombëtare.

Le t’u referohemi fakteve:

Të dyja forcat kryesore politike e kanë premtuar këtë rrugë.

E premtoi Partia Demokratike dhe në vitin 1994 me VKM ngriti grupin e studimit të fizibilitetit. Por për rrethana të njohura ajo nuk arriti të zbatojë projektin e nisur.

E premtoi partia e Edi Ramës, por çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për 8 vjet me radhë mashtroi dhe gënjeu. Madje me një cinizëm ekstrem u vendosi shqiptarëve edhe një taksë të cilën edhe e mblodhi, por askush deri në sot nuk e di se si e përdori.

Ndërsa forca politike që nisi fizibilitetin me VKM në ‘94 e premtoi në fushatë dhe sapo erdhi në pushtet e përcaktoi atë si projektin e përparësisë absolute dhe po e bën tani realitet. Ata që rrugën e bllokuan për tetë vjet, pasi e panë se rruga po ndërtohet dhe po bëhet realitet, u vërsulën me akuzat e fabrikuara në zyrën e Edi Ramës kundër rrugës. Çdo akt, që i hapi rrugë kësaj ngjarjeje madhore është ndërmarrë si shprehje e vullnetit politik të mazhorancës dhe programit të saj qeverisës. Çdo vendim ligjor që bëri të mundur nisjen e punimeve është sanksionuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet plot pesë vendimeve të Këshillit të Ministrave të marra në një hark kohor disamujor. Pak pas fillimit të punimeve, Edi Rama nisi sulmin e egër ndaj këtij projekti të shekullit. I ndërgjegjshëm se përfundimi i rrugës Durrës-Kukës komprometon rëndë të ardhmen e tij politike, ky pinjoll i denjë i Dushan Mugoshës dhe Koçi Xoxes mori stafetën nga ata që për 8 vjet penguan me çdo kusht ndërtimin e rrugës dhe mobilizoi mercenarët e tij për të nxirë dhe përbaltur këtë projekt gjigand. Me një sulm të pastër politik, mercenarët e Edi Ramës dhe ndokujt tjetër brenda prokurorisë morën akuzat e fabrikuara nga zyrat e Edi Ramës dhe i riprodhuan ato, tashmë me stemën e prokurorisë. Duke injoruar tërësisht faktin se për çdo hap të ndërmarrë në drejtim të ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash ka një vendim të Këshillit të Ministrave me forcën e ligjit, Rama Ben klounin e cirkut, duke akuzuar se ministri i Transporteve ka shpërdoruar detyrën, pasi konsulenti ndërkombëtar i përzgjedhura nga një listë e kompanive konsulente të Bankës Botërore të sugjeruara nga Banka Botërore pranë autoriteteve shqiptare dhe të prokuruar me vendim të Këshillit të Ministrave është një kompani anglo-holandeze dhe ministri ka kryer studimet në Holandë. Edi Rama akuzonte në mënyrën më të paturpshme se në rrugë ka një dëm prej 320 milionë eurosh në një moment kur në rrugë ishin investuar vetëm 200 milionë euro. Edi Rama akuzon se janë shkelur parimet e barazisë në tendera, ndërkohë që konsulenti i përzgjedhur nga qeveria shqiptare nuk është kompani për projektin ndërsa dy kompanitë e projektimit, aktualisht nga më të mirat në Evropë janë përzgjedhur sipas procedurave të tenderimit të Bankës Botërore. Kështu pra, nëse pasardhësit e Ramës e përdorën pushtetin për të sabotuar rrugën, tani që rruga po ndërtohet trashëgimtarit të tyre nuk i mbetej gjë tjetër veç të formulojë në zyrat e tij aktakuzën politike kundër rrugës. Asnjë rresht, asnjë fjalë, asnjë shkronjë nuk ka të bëjë me mua në këtë proces. Ky është një proces kundër rrugës. Sepse ajo po ndërtohet. Çdo ditë më shumë rruga po merr formë dhe po i afrohet përfundimit të saj. Çdo ditë më shumë rritet kënaqësia dhe krenaria e qeverisë dhe e imja që po e shndërrojmë në realitet projektin ëndërr të bashkimit, projektin e shekullit për shqiptarët. Edhe 100 herë po të më jepej mundësia do të përsërisja të njëjtën gjë. Nuk ekziston në historinë e një vendi të lirë një tmerr dhe frikë nga rruga si ai që manifeston z. Rama. Edi Rama është eksponenti i vetmi politik në Shqipëri dhe Kosovë që nuk e ka vizituar rrugën as edhe një herë të vetme. Këtu ka të drejtë, sepse ajo rrugë është fundi i tij, i politikës dhe interesave që ai mbron.

Z.Basha a jeni njohur zyrtarisht me akuzat e Prokurorisë, pse refuzoni paraqitjen në prokurori dhe pas akuzave që u janë ngritur, a do të jepni dorëheqjen, gjë të cilën ua ka kërkuar opozita?

Përsa i përket pyetjes së parë siç jeni njoftuar dhe përmes avokatit tim për çdo veprim të prokurorisë në përputhje me ligjin apo kundër ligjit, ne do të ndjekim anën ligjore. Kjo është njëra pjesë e procesit. Pjesa tjetër që unë ju ju referova dhe në deklaratën time, pjesa politike është hera e nëntë, ndoshta dhe ndonjëherë që skam qënë në Shqipëri, se mbaj, mend që opozita socialiste kërkon dorëheqjen time. Për herë të parë e ka kërkuar dy muaj pas marrjes së detyrës së ministrit, në nëntor të vitit 2005. Jo vetëm që e konsideroj këtë si një akt të motivuar plotësisht nga lufta e egër politike që PS-ja dhe Edi Rama i ka shpallur rrugës Durrës-Kukës, por në këtë kontekst çdo veprim tjetër i imi përveçse shërbimit ndaj republikës së Shqipërisë që është një detyrim ligjor dhe politik, shërbimit ndaj republikës së Kosovës, që është një detyrim moral dhe shqiptar i imi, janë përgjigjia ime e vetme ndaj këtyre forcave, synimeve dhe klaneve të tyre.

ǒmendoni për akuzat e Prokuririsë ndaj jush?

Së pari duhet të dini sepse e ka edhe kanali juaj e ka transmetuar lajmin që gjykata e Tiranës ka vendosur pas një kërkese nga z.Andi Toma dhe Armand Teliti të urdhërojë prokurorinë që të mbyllë hetimin në këtë çështje. Keqkuptimi mund të ekzistojë tek fakti që nëse kjo ka të bëjë me të pandehurit apo ka të bëjë me çështjen. Kjo ka të bëjë me çështjen. Është urdhëruar që çështja numër 1 e vitit 2007, të mbyllet nga gjykata. Mund të rikujtoni dhe një fragment të një deklarate të vet kryeprokurores Ina Rama, e cila ka deklaruar se do ti bindet vendimit të gjykatës, se nuk është dakort me këtë vendim por do ti bindet vendimit të gjykatës. Vetëm 24 apo 48 orë pas kësaj deklarate të vet znj.Rama, vjen një shkresë, një letër njoftim e cila siç keni parë dhe nga deklarata e avokatit tim, konsiderohet një shkelje e urdhrit të gjykatës, pasi ndërkohë që urdhërohet përfundimi i hetimeve, prokuroria kërkon të ndërmarrë veprime që janë në esencë veprime kapitale të hetimit. Në këtë kuadër unë përsëris atë që kam thënë gjithmonë që nga momenti i parë që do ti bindem gjithmonë dhe pa asnjë hezitim ligjeve të vendit. Dhe kërkoj që të gjithë aktorët e tjerë këtu, pavarësisht motivimeve dhe urdhrave që marrin, ti binden ligjit të republikës së Shqipërisë.

Prokuroria e Përgjithshme do t’ju dërgojë një flet-thirrje tjetër të hënën. A do t’I përgjigjeni asaj?

Për afro një vit, prokuroria ka patur të gjithë kohën e nevojshme dhe disponibilitetin tim maksimal për të kryer hetimet që kanë nisur. Me përjashtim të deponimit tim vullnetar, me 10 dhejtor, nuk është kërkuar nga prokuroria, asnjë deponim shtesë. Nuk ka qënë vullneti im që të kërkoja përfundimin e hetimeve sepse mendoj për të reflektuar vullnetin tim dhe të mazhorancës për të qënë sa më i hapur ndaj prokuroriasë, dëshiroja që pavarësisht që ishin shkelur afate dhe pas afate dhe prokurori flinte mbi këto dosje, qëllimet duhet t’i shpjegojnë ata. Ajo kishte gjithë kohën e duhur, kohën e nevojshme. Por pasi prokuroria u urdhërua nga gjykata të mbyllë hetimet, prokuroria nuk mund të ndërmarrë ansjë veprim. Përderisa prokuroria nuk mund të ndërmarrë asnjë vendim, është e natyrshme që unë nuk jam njohur me asnjë veprim tjetër të mëtejshëm. Komunikimi mes prokurorit të çështjes dhe avokatit tim, është kanali i vetëm zyrtar.

Pse nuk paraqiteni në prokurori?

Mendoj se deklarata që sapo bëra, nuk lë vë në dyshim që të dyshohet se çfarë mendoj unë për akuzat. Këto janë akuza të formuluara në zyrën e Edi Ramës dhe janë akuza që në bosht të tyre kanë qëndrimin politik të z.Rama të qarqeve anti-rrugë ndaj projektit më madhor të shqiptarëve siç është rruga Durrës-Kukës-Morinë.

Ju keni marrë një ftesë nga Prokuroria. Përse nuk paraqiteni atje? C’mund të na thoni në lidhje me akuzën për pabarazinë në tenderimin për Rrugën Durrës-Kukës?

Ju të Top Channel e dini që prokuroria do më çojë javën tjetër një fletë thirrje me postë? Ok nëse informacioni është marrë nga prokuroria. Sigurisht që unë do ti përgjigjem ligjit një për një. Është rast klasik kur prokuroria zgjedh të informojë mediat para se të informojë të interesuarin për çështjen. Megjithatë kjo është një praktikë e ilustruar tashmë gjatë gjithë këtij viti i cili nuk përbën shqetësim për mua. Ju garantoj që unë i qëndroj besnik qind përqind asaj që kam thënë, se do të zbatoj ligjin pikë për pikë dhe nuk di ti shmangem në asnjë aspekt të tij. E rëndësishme është që të gjithë të zbatojnë ligjin sepse proçesi ligjor që garanton kushtetuta e Shqipërisë është për tu respektuar nga të dyja palët dhe në veçanti nga organi i akuzës. Ndërsa shtrembërimi i këtij procesi, veprimi kundër ligjeve të vendit nga organi i akuzës, meriton vëmëndjen jo vetëm të politikanëve, mediave, por të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

A ndikon kjo situatë në punën tuaj? Pse nuk pyetet edhe kompania Bechtel -Enka në lidhje me çështjen?

Për pjesën e dytë të pyetjes sigurisht që duhet tja drejtoni pyetjen prokurorisë. Është ajo e cila ka tagrin që të drejtojë hetimet dhe është ajo që vendos se kë merr në pyetje dhe kë nuk merr në pyetje dhe pse nuk merr në pyetje. Unë vazhdoj të ushtroj detyrën e ministrit të punëve të jashtme, i pandikuar aspak nga ky proçes i montuar politik dhe do të vazhdoj ta bëj këtë përsa kohë që të kem besimin e mazhorancës dhe të kryeministrit të vendit.

Ju thatë se akuzat e ngritura prj jush po fabrikohen në zyrën e z.Rama. Mendoni se prokuroria e përgjithshme po përdoret politikisht në këtë rast?

Mendoj se deklarata ime është e qartë dhe shpjeguese në këtë kontekst. Është e qartë që akuzat janë formuluar në zyrën e z.Rama. Ka një histori të dokumentuar nga këto kamera dhe këta gazetarë të akuzave të hedhura që në momentet e para nga z.Rama. Është një proçes i qartë politik dhe prokurori duhet të gjejë veten e vet aty ku ja përcakton ligji dhe cddo veprim i saj antiligjor dhe në kundërshtim flagrant me ligjin sigurisht do të jetë subjekt i hapave ligjorë që do të ndërmarrim nga ana jonë.

Cfarë shembulli duhet të japë politika, kur ajo vetë nuk respekton institucionet e shtetit në këtë rast institucionin e Prokurorisë?

Nuk dështoni të më habisni dhe të më surprizoni me mënyrën sesi e ktheni mbrapsht situatën. Në këtë rast është prokuroria e përgjithshme që është në shkeje të ligjit. Ju në televizionin tuaj përkatës keni një kasete me një filmim të kryeprokurores së përgjithshme ku ajo thotë që gjykata na ka urdhëruar të mbyllim hetimin, ne nuk biem dakort por hetimi është i mbyllur dhe ne nuk mund të ndërmarrim asnjë hetim. Por 48 orë më vonë, e njëjta prokurore e përgjithshme, me firmën e saj dërgon aktin e prokurorit të çështjes, i cili ndërmerr veprime hetimore në adresën time. Pyetja qëndron kush e urdhëroi znj.Rama që të shkelë ligjin, kush e urdhëroi të shkelte atë që tha vet 48 orë më parë. Unë mendoj se mediat objektive dhe të pavarura duhet ti kushtojnë pak më shumë vëmendje këtij aspekti. Dhe në këtë kuadër kondukti, qëndrimi im jo vetëm që nuk shkel shtetin ligjor, përkundrazie është për të mbrojtur shtetin ligjor.

Z.Basha, cili është komenti juaj në lidhje me dëmet e konstatuara nga ekspertët kontabël për koston e Rrugës Durrës-Kukës?

Sigurisht që do të vijë koha për tu marrë me komponentët e kësaj çështje por ajo që mund tju deklaroj ëhstë se çdo akuzë, duke përfshirë dhe bilancet falco, të ekspertëve falco mbi abuzimet në këtë rrugë, është tërësisht e fabrikuar dhe e pavërtetë. Rruga Durrës-Kukës dhe në veçanti segmenti Rrëshen-Kalimash po ndërtohet me parametrat më optimal për rrugë të ksaj kategoria në Evropë dhe kudo në botë.

Ju keni deklaruar se Rruga Durrës –Kukës do të ketë një kosto prej rreth 500 milionë EURO ndërsa vlera e saj tani është mbi një milliard EURO. Lutem komentin tuaj.

Komenti im është që të dy informacionet i keni të gabuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›