E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoba për profesionet e lira të paregjistruara në QKR

06/04/2011  Shtohet kontrolli dhe masat e tatimorëve, para miratimit të ligjit për amnistinë

Ministria e Financave do të penalizojë bizneset që nuk regjistrohen në QKR, apo që nuk deklarojnë punonjësit e tyre. Në Komisionin për Ekonominë është diskutuar dje në lidhje me ndryshimin e disa neneve në ligjin e procedurave tatimore, duke forcuar masat që do të zbatojë administrata tatimore. Ndryshimet propozohen në një kohë kur Ministria e Financave do të paraqesë të hënën e ardhshme draftin e amnistisë fiskale, ndërsa vetë ministri Ridvan Bode është shprehur se ndëshkimet pas faljes do të jenë më të rrepta me qëllim që bizneset të ndërgjegjësohen për detyrimet që kanë ndaj Administratës Tatimore dhe për të dekurajuar evazionin në të ardhmen.

Ndryshimet

Projektligji rrit penalitetet edhe në rastet e mosdeklarimit të punonjësve dhe moslëshimit të kuponit tatimor. Subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi pa u regjistruar më parë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit sipas projektligjit të propozuar rrezikojnë konfiskimin e mallit. Sipas këtyre ndryshimeve, të cilat u diskutuan në Komisionin e Ekonomisë do të konfiskohet malli deri në mbyllje të aktivitetit për bizneset, që nuk regjistrohen. Këto ndryshime do të jenë të rëndësishme pas aplikimit të amnistisë fiskale, me qëllim mbajtjen nën kontroll të detyrimeve të papaguara apo gjobave. Sipas drejtoreshës së politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, masat do të merren veçanërisht për bizneset e vogla, të cilat janë subjekt i TVSH-së dhe shmangin detyrimet tatimore. Ajo u ndal tek fakti se nga kontrollet e bëra te profesionet e lira dhe shërbimet janë vënë re se aktiviteti i tyre gjeneron evazion fiskal dhe nuk janë të rregullta me pagimin e detyrimeve tatimore. Për punonjësit e padeklaruara, është vendosur kushti që të deklarohen 1 ditë kalendarike para se të fillojë punë, ndryshe bizneset e vogla gjobiten nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Po kështu, për nxënësit që mësojnë në një ambient pune sigurohen vetëm me 0.5 për qind, të pagës vetëm për aksidentet që mund të ndodhin në punë.

Çregjistrimi i biznesit

Ndryshimet në procedurat tatimore përfshijnë edhe momentin e çregjistrimit të biznesit, kohë në të cilën subjekti mbyll automatikisht çdo detyrim ndaj Administratës Tatimore. Më parë, atij i duhej të bënte deklarimet zero për aktivitetin e tij. Gjithashtu, sipas ekspertëve të Financave, ndryshimet u bënë të domosdoshme edhe pas vendosjes së kasave fiskale, ku lëshimi i kuponit tatimor është i detyrueshëm për çdo biznes, si i madh, ashtu edhe i vogël. Ndryshimet vijnë edhe si domosdoshmëri e plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian në vitin 2010 për sa i përket ekonomisë informale. Gjatë diskutimeve anëtarët e komisionit vlerësuan se janë disa masa të domosdoshme për të minimizuar ekonominë informale dhe për të luftuar evazionin fiskal. Ndryshimet dhe përmirësimet reflektojnë një realitet ekzistues, ndërkohë që mundësitë teknologjike të ofruara krijojnë lehtësi për biznesin qoftë në lidhje me regjistrimin, qoftë në lidhje me raportimin on-line. Anëtarët e komisionit e miratuan në tërësi projektligjin në fjalë dhe u shprehën dakord për kalimin e tij në seancë plenare.

Tabelë

Neni 119

Mosdeklarimi i punonjësve

1-Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar si më poshtë vijon:

a) Tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin, gjobë prej 100 000 lekësh;

b) Tatimpaguesit e tjerë, gjobë prej 50 000 lekësh

2- Për rastet e konstatuara nga zyra të shkeljes së afatit të deklarimit të punonjësve, tatimpaguesi dënohet me gjobë 10 000 lekë, për çdo deklaratë të padorëzuar apo të dorëzuar jashtë afatit.

Neni 41

Identifikimi i personave, që ushtrojnë veprimtari tregtare pa u regjistruar

“1. Kur administrata tatimore identifikon persona, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, atij i mbyllet veprimtaria dhe i sekuestrohen të gjitha materialet sipas nenit 121 të këtij ligji.

1.1. Në rast se personi ushtron aktivitet në fushën e shërbimeve, përveçse konfiskimit të materialeve, administrata tatimore i propozon strukturave kompetente pezullimin e lejes/licencave/autorizimeve për ushtrim aktiviteti për një periudhë gjashtëmujore.

2. Administrata tatimore llogarit, vlerëson dhe mbledh detyrimin tatimor, si dhe gjobat administrative, në përputhje me këtë ligj, për periudhën gjatë së cilës personi ka kryer aktivitet tregtar pa u regjistruar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›