E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia fiskale kërkon votat e opozitës

Plani i qeverisë bie ndesh me Kodin Penal, ku evazioni fiskal dënohet me burg

Plani i Ministrisë së Financave për të amnistuar paratë e fituara gjatë dy dekadave të fundit kërkon shfuqizimin paraprak të dy neneve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, gjë që nënkupton një marrëveshje të gjerë politike dhe miratimin e amnistisë edhe nga opozita parlamentare. Opozita tani për tani nuk merr pjesë rregullisht në seancat parlamentare dhe nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar në lidhje me propozimin për amnisti fiskale, por ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka paralajmëruar se nuk ka një opinion të mirë për një nismë të tillë, si dhe sugjeroi që qeveria të konsultohet paraprakisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian mbi këtë çështje.

Nenet

Nenet 180 dhe 181 të Kodit Penal parashikojnë dënime me gjobë ose me burg për personat përgjegjës për fshehje të të ardhurave apo mosshlyerje të tatimeve dhe taksave kur i kanë mundësitë financiare për t’i shlyer. Rastet e përndjekjeve penale për evazion fiskal nga ana e prokurorisë janë shumë të pakta, ndërsa rastet e dërgimit të akuzave në gjykata janë edhe më të pakta. Pavarësisht kësaj, këto dy nene do të duhet të shfuqizohen ose amendohen para se të ndërmerret amnistia dhe kjo gjë kërkon 85 vota në Parlament. Mazhoranca ekzistuese zotëron 74 vota. Në vitin 2006 në fakt, qeveria aktuale hodhi propozimin që evazioni fiskal të dekriminalizohej, pra të mos konsiderohej më vepër penale, por vetëm kundërvajtje administrative. Megjithatë, kjo qe vetëm një propozim.

Debatet

“Jemi në kohën e duhur”, deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode, kur iu përgjigj një propozimi nga Dhoma e Tregtisë për një procedurë faljeje për paratë e fituara pa paguar taksa në informalitet. Sipas vlerësimeve të qeverisë, rreth 3 miliardë euro në vit qarkullojnë jashtë sistemit fiskal në vendin tonë. Një pjesë e shoqatave të biznesit e përshëndetën nismën e qeverisë, por shumë shoqata të tjera heshtën publikisht, ndërsa thanë jopublikisht se disa investitorë të rëndësishëm, përfshirë edhe investitorët e huaj, e shohin si shumë negative nga pikëpamja morale dhe praktike nismën e qeverisë. Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, deklaroi nga ana e tij se një amnisti e tillë nuk duhet të ndodhë. FMN ka aktualisht vetëm rol konsultativ në Shqipëri. Gjatë dy dekadave të fundit, FMN ka bllokuar disa nisma të ngjashme të qeverive të shkuara.

Kritikët thonë se dhënia e një amnistie ka shumë gjasa të krijojë bindjen mes bizneseve se i kanë të gjitha mundësitë të kryejnë evazion fiskal për shumë vite dhe të presin një amnisti të dytë. Diçka e tillë ka ndodhur me pagesën e energjisë elektrike p.sh. Që nga viti 1990, qeveria ka falur tri herë faturat e papaguara, por falja nuk ka bindur ndokënd të fillojë ta paguajë energjinë e konsumuar.

Përkundrazi, mospagesat dhe vjedhjet janë shtuar.
Kritikët vlerësojnë se përfituesit kryesorë të një amnistie fiskale mund të jenë zyrtarët e qeverisë apo politikanët që kanë krijuar të ardhura duke abuzuar me postet publike gjatë dy dekadave të fundit dhe që tani mund t’i deklarojnë paratë e veta si “të fituara në biznese të pataksuara.”

Shembujt nga bota

Shumë vende kanë kryer amnisti fiskale herë pas here, por në të gjitha rastet, synimi i amnistisë ka qenë riatdhesimi i kapitaleve që depozitohen nëpër shtete të huaja që konsiderohen si parajsa fiskale. Italia p.sh., amniston herë pas here paratë e fituara pa paguar taksat, me kushtin që të paguhet një gjobë e posaçme dhe që paratë të rikthehen nga Zvicra, ku zakonisht depozitohen për t’u fshehur. Ky nuk është rasti i Shqipërisë, për shkak se te ne, paratë e fituara pa paguar taksat nuk fshihen. Njerëzit i investojnë këto para për të blerë prona të patundshme, për të hapur biznese apo për të jetuar mes luksit dhe asnjë institucion shtetëror nuk pyet për origjinën e parave. Edhe pasuritë e politikanëve, të cilat deklarohen tek Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, nuk ballafaqohen me deklaratat fiskale të politikanëve. Rrjedhimisht, një amnisti fiskale mund të shërbejë si garanci ligjore për poseduesit e parave të fituara pa taksa apo të fituara përmes korrupsionit të zyrtarëve publikë, kundrejt persekutimeve të mundshme ligjore të së ardhmes.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›