Gianfranco Fini lançon lëvizjen e tij Gjenerata Itali
Pas muajsh të tërë fjalësh dhe spekulimesh, njeriu që konsiderohet si pasuesi më i mundshëm i Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, ka bërë një lëvizje që mund të konsiderohet si një sfidë e drejtpërdrejtë dhe e hapur ndaj Berluskonit. Gianfranco Fini, 58 vjeç, kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit italian dhe bashkëthemelues i Populli i Lirisë, partia që ka pushtetin aktualisht në Itali, nisi një lëvizje të re politike “Gjenerata Itali”. Fini e ka distancuar veten nga Berluskoni, 73-vjeçar, niveli i popullaritetit të së cilit ndodhet në pikën e tij më të ulët që kur erdhi në pushtet rreth një vit e gjysmë më parë. Këshilltarët e Finit kanë bërë të ditur se lëvizja do të lançohet online më 1 prill dhe më pas në Konventën e Peruxhias në muajin maj. Italo Bocchino, një nga organizatorët e lëvizjes së re politike, tha se nuk bëhej fjalë për një parti të re, por për një lëvizje që synonte të “shkundte” Partinë Populli i Lirisë. Megjithatë, kjo lëvizje konsiderohet nga shumë analistë politikë italianë dhe ndërkombëtarë si një përpjekje e Finit për të qenë më i pavarur politikisht. Fini ka mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe një qëndrim shumë më liberal se shefi i tij në lidhje me çështje të tilla si emigracioni.
Kryeministri, i cili kohë më parë dukej si njeriu më i pathyeshëm në botë, po goditet vazhdimisht nga skandale të ndryshme, përfshi ato korruptive. Së fundi, ai po përballet edhe me zhgënjimin e votuesve italianë të qendrës së djathtë, në lidhje me drejtimin dhe masat e marra për ekonominë, si dhe paaftësinë e partisë që ai drejton për të regjistruar kandidatët e saj në Lazio me rastin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në fund të marsit. Gazeta të ndryshme italiane e kanë komentuar lëvizjen e Finit si një shkëputje e qartë nga Berluskoni. Ndërkaq, Fini nuk e ka mbajtur sekret planin e tij për të formuar një qendër të djathtë italiane të stilit europian dhe për të zëvendësuar aleancën aktuale në pushtet, e cila është e bazuar në pushtetin personal dhe mediatik të një njeriu të vetëm. Ai u ka thënë mbështetësve të tij se Partia Populli i Lirisë nuk është duke funksionuar më. “Gjenerata Itali” është e frymëzuar nga “Gjenerata Francë” e krijuar nga kryebashkiaku i Meraux dhe lider i partisë së Presidentit Sarkozi, Bashkimi për një Lëvizje Popullore. Fini i nisi lëvizjet për organizimin e kësaj nisme të re vitin e kaluar, duke krijuar një organizatë të quajtur “Farefuturo”. “Berluskoni është në rënie dhe ne po i afrohemi gjithnjë e më shumë fundit të epokës së tij” shkruan gazeta “Corriere della Sera”.
Ndërkaq Berluskoni avzhdon që të kalojë momente shumë të vështira si politike, ashtu edhe personale. Ai ka në pronësi të tij 3 kanale televizive dhe ndodhet edhe për këtë nën presionin e gykaave. Gjykatësit e Apulias e kanë vënë atë nën hetim në lidhje me abuzimin e detyrës për raste të ndryshme përgjimesh
#