Vizitat te të afërmit në spital, vetëm me leje
Masa pothuajse drastike janë marrë në spitalin e Tiranës.
Vizitorët, të cilët ecin me makina apo në këmbë në ambientet e spitalit, “kontingjent” që bën rrëmujë, krijon papastërti dhe shqetëson mbarëvajtjen e punës. Në qendrën spitalore do të bëhen vizita në orare të përcaktuara. Ndërkohë që për raste të veçanta, të afërmit e pacientëve do të qëndrojnë në territorin e spitalit vetëm me leje të veçantë nga mjeku apo infermieri.
Vendimi është marrë dje nga drejtoria spitalore universitare, ndërkohë që paralelisht me këtë udhëzim është lëshuar edhe një tjetër “porosi” lidhet me vizitat. Nga sot nuk lejohet kryerja e vizitave dhe konsultave ambulatore në ambientet spitalore me shtretër, si nga shefat e shërbimeve ashtu edhe nga personeli.
Menjëherë pas këtyre dy urdhrave është bërë mbyllja e gjashtë portave në godinat e spitaleve të ndryshme, në mënyrë që policia private të ketë mundësi të kontrollojë hyre-daljet e vizitorëve.
Vizitat te të afërmitDrejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” ka nxjerrë një urdhër të veçantë, i cili ka të bëjë me rritjen e nivelit të sigurisë në ambientet spitalore.
Duke pasur parasysh numrin e madh të personave që qarkullojnë në pavijone, drejtoria ka urdhëruar shërbimet të ndërtojnë planin e qarkullimit të pacientëve dhe familjarëve sipas orareve të përcaktuara.
Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka firmosur këtë urdhër, i cili është afishuar në të gjitha hyrjet e pavijoneve.
“Me këtë urdhër parashikojmë të ndalojmë trafikun e madh të familjarëve, të cilët shpeshherë zaptojnë pavijonet, dhomat e të sëmurëve. Këta persona do të lejohen të futen tek i sëmuri me orare të përcaktuara, konkretisht çdo ditë nga ora 17.00 deri në 19.00 dhe ditën e diel me një orar paradite nga ora 10.00 deri në 12.00. Do të jetë policia private ajo që nuk do të lejojë qarkullimin e vizitorëve jashtë këtyre orareve, ndërkohë që familjarët e kanë të afishuar urdhrin në derën e çdo pavijoni”, ka pohuar drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Urdhri parashikon të lejohen jashtë këtyre orareve personat që kanë leje-hyrje të firmosur nga drejtuesi i shërbimit dhe kryeinfermieri. Pajisja me leje-hyrje për qëndrimin jashtë orareve të vizitorëve vlen edhe për rastet kur familjarët lejohen të qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit, si për shembull prindërit e fëmijëve të shtruar, por jo më shumë se një familjar i autorizuar.
Vizitat“Një tjetër masë shumë e rëndësishme që ne kemi parashikuar të marrim është moslejimi i kryerjes së vizitave dhe konsultave ambulatore në ambientet spitalore me shtretër, si nga shefat e shërbimeve ashtu edhe nga personeli. Konsultat ambulatore të kryhen vetëm në vendet dhe oraret e përcaktuara, ashtu siç i parashikon sistemi i referimit”, ka pohuar Dashi. Për zbatimin e këtij urdhri është bërë edhe mbyllja e 6 portave në godinat e spitaleve të ndryshme, në mënyrë që policia private të ketë mundësi të kontrollojë hyre-daljet e vizitorëve.
#