E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale në rreth vicioz, qeveria nis projektin që do shumicën kuvendore

SHKRUAN: Blerina Hoxha 03-03-2011 12:18

Amnistia fiskale ndaj biznesit rikthehet edhe njëherë në vëmendjen e qeverisë. Kryeministri Sali Berisha, dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, i ka kërkuar ministrit Ridvan Bode që të hartohet kuadri i plotë ligjor, që parashikon aplikimin e amnistisë fiskale, nga e cila pritet të përfitojë mbarë ekonomia. Duke folur për këto ndryshime, Kryeministri theksoi se qeveria mbetet e vendosur për krijimin e lehtësirave sa më të mëdha për biznesin, por duke luftuar në maksimum informalitetin, i cili është edhe armiku kryesor i biznesit të ndershëm. “Deri tani, ne kemi pasur rregulla me gjobë, me regjistrim, me praparegjistrim, etj, tani rregulli duhet të jetë i prerë, nëse fillon aktivitetin pa leje ndodh automatikisht konfiskimi i të gjithë çfarë ke aty dhe çregjistrimi në QKR, pra humbja e të drejtës së aktivitetit”, u shpreh Kryeministri. Në vijim Kryeministri udhëzoi ministrin e Financave, z. Bode, të nisë punën për përgatitjen e kuadrit ligjor të amnistisë fiskale, në të cilën të përfshihen veç të tjerash dhe borxhet e vjetra. Mirëpo, vetë ministri Bode ka deklaruar para pak kohësh se, nuk ka pasur hapa konkret për këtë çështje prej një viti e gjysmë, pasi amnistia fiskale nuk pengohet më në sirtarët e Ministrisë së Financave, por në parlament, ku kërkohen 2/3 e votave dhe jo një shumicë e thjeshtë. “Po ne e kemi deklaruar dhe unë personalisht jam shprehur para më shumë se një viti pro kësaj nisme. Ishte momenti për të bërë një amnisti fiskale dhe që do të kishte impakte pozitive mbi ekonominë e vendit në radhë të parë, për sistemin financiar. Por që të bëhet një amnisti fiskale, me metodën e ligjeve shqiptare, duhet të ketë 2/3 e votave në Kuvend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›