Debati Berisha-Bode Taksa e makinave ndryshon, shkon të koalidimi
Gjetja e një zgjidhje për ndryshimin e taksës së tregtimit të makinave të vjetra, ka krijuar debate dje në mbledhjen e qeverisë, ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe ministrit Bode. Taksa pritet të kalojë për grumbullim gjatë procesit të kualidimit dhe me një vlerë tjetër
Taksa e tregtimit të automjeteve të vjetra, do të përfshihet në proces ndryshimi, me shumë gjasa për t’u mbledhur gjatë procesit të koalidimit. Lajmin e ka dhënë Kryeministri Berisha, e cili i ka kërkuar dje ministrit të Financave, Ridvan Bode, të gjejë një zgjidhje për grumbullimin e taksës, në mënyrë që të mos bllokohet tregtia e automjeteve brenda vendit. Ndërkohë mësohet se, varianti me optimal për këtë qëllim është rritja e tarifës së koalidimit, çka do të thotë se sa më e vjetër të jetë makina aq më shumë taksë do të paguhet. Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, tha se taksa e makinave të përdorura duhet të shqyrtohet, sepse ajo ka bllokuar tregtimin e automjeteve brenda vendit. Kërkesa e kryeministrit, i cili i është drejtuar Ministrit të Financave duket se nuk është pritur mirë nga ky i fundit. Duke i ndërprerë fjalën, Ministri Bode reagoi duke deklaruar se taksa është e nevojshme. Në replikën mes tyre, Bode i kujtoi se, taksa ishte detyrim nga raporti i Komisionit Europian, ndërsa Berisha theksoi se kështu po pengohet tregu. Më tej, Berisha solli një shembull duke shpjeguar se “një njeri nuk e shet dot një makinë të vjetër se e pengon taksa, do të blejë të re, dhe ne e dekurajojmë në këtë mënyrë”. Bode ndërhyn duke i thënë se, duhet paguar taksa, por Kryeministri ka ana e tij është shprehur se kjo nuk i shërben njeriu. “Kjo taksë është një alternativë e detyrueshme dhe detyrim nga BE, po e hoqëm do kthehemi ku ishim dhe do të boshatisen varrezat e makinave”, ka shtuar me tej ministri Bode, në replikën me Kryeministrin. Ndërsa Kryeministri është shprehur se, “Jam i qartë e vendosëm, se plotësuam një kërkesë të Komisonit Europian, por të gjejmë zgjidhje tjetër që tregun të mos e dëmtojmë dhe mjedisin ta mbrojmë. Kjo që bëjmë ne nuk mbron mjedisin, por po u shit një makinë e vjetër, po u shit të shitet me një taksë të vlefshme”. Ne korrigjojmë kur bëjmë gabim, shtoi Berisha. “E shofim nuk ecën, tani ndaj janë specialistët, mblidhen bashkë me Mjedisin me Ministrinë e Financave dhe gjejnë një mënyrë tjetër. Ne bëmë një lloj pengese penaliteti, për mos importin e tyre, por në fakt penalizuam qytetarët tanë. Jemi për ta marrë një taksë, por të gjejmë mënyrën e duhur. Taksa që pengon tregun nuk është taksë, taksa favorizon tregun”, i ka thënë Berisha, Bodes, ndërsa ky i fundit është shprehur se, është majtizëm që vjen nga ambientalistët. Pavarësisht deklaratave të ministrit Bode, një grup pune është ngritur në Ministrinë e Financave, i cili po trajton disa skema mbi të cilat të mund të mblidhet taksa e ndotjes në ambient. Taksa për automjetet e përdorura në momentin e shitjes, e cila llogaritej në bazë të cilindratës për çdo vit përdorimi, e ka bllokuar tregtinë e makinave të përdorura dhe për më tepër ka reflektuar me një rënie të të ardhurave në buxhetin e 2010, në krahasim me vitin 2009, kur taksa vilej në dogana. Burimet në Ministrinë e Financave njoftuan se, ndryshimet në ligj do të hyjnë në fuqi këtë vit, ndërkohë që janë duke shqyrtuar disa mundësi. Njëra prej tyre është vjelja e taksës në momentin e koalidimit, duke e llogaritur atë në bazë të amortizimit dhe llojit të makinës. Për shkak se, sipas ligjit aktual, të shesësh një makinë të viteve ‘90, taksa që duhet të paguash për shtetin është shumë më e lartë se vlera e shitjes së automjetit. Sipas formulës aktuale, me të cilën përllogaritet taksa, nëse makina është dhjetë vjet, taksa e ndotjes do të jetë: 1893*0.5*25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Sipas kësaj formule, asnjërit nuk do t'i interesojë të shesë apo të blejë një automjet me vit prodhimi të largët.