E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, nuk shfrytëzohet nga biznesi për borxhet

Ndërsa amnistia fiskale për bizneset është në fuqi tashmë prej 4 muajsh, sipërmarrja private nuk po e shfrytëzon për të paguar borxhet. Nga të dhënat zyrtare të Doganave rezulton se deri tani biznesi ka paguar vetëm 1.5% të principalit të borxhit doganor. 

TIRANE- Biznesi nuk shfrytëzon amnistinë fiskale për të shlyer borxhet që i ka shtetit, pavarësisht faljes marramendëse të shumës së gjobave dhe kamatëvonesave. Nga të dhënat zyrtare të drejtorisë së përgjithshme të doganave rezulton se katër muaj pas hyrjes në fuqi të amnistisë biznesi ka shlyer vetëm 1.5 për qind të principalit të borxhit ekuivalente kjo me 45 milion lekë.
Në total borxhi doganor llogaritet në 10 miliardë lekë nga të cilat 7 miliardë lekë do të falen në rast se sipërmarrja private paguan deri në 4 prill principalin prej 3 miliardë lekësh.
Drejtuesit e doganave kanë shpjeguar gjatë takimit me anëtarë të Dhomës amerikane të tregtisë se nga amnistia fiskale nuk përfitojnë bizneset që ndodhen në proces gjyqësor me administratën.
Drejtuesit e doganave bëjnë të ditur se aktualisht në proces për të përfituar nga amnistia fiskale janë qindra biznese, dokumentet e të cilëve janë duke u verifikuar nga administratat doganore. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›