Amnistia, kategoritë që iu falen gjobat dhe kamatvonesat
Habjon Hasani
Qeveria shqiptare ka miratuar dje projektligjin për aminisinë fiskale, ndërsa miliarda lekë e miëra biznese dhe individë duket se i kanë shpëtuar njëherë e mirë borxheve që kanë patur në shtet. Sipas këtij vendimi, personave fizikë të vetëpunësuar, të cilët e kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike përpara datës 31.12.2005 dhe që janë debitorë, të evidentuar dhe kontabilizuar, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, u falen të gjitha detyrimet e papaguara, për kontributet e sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. Personave të vetëpunësuar në bujqësi u falen 100 për qind gjobat dhe 100 për qind kamatëvonesat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, të papaguara, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që principalin e kontributit ta paguajnë brenda datës 31.12.2008. Gjobat falen në masën 100 për qind dhe kamatëvonesat e papaguara falen në masën 50 për qind edhe kur kontributet për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, janë paguar para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Tatime dhe dogana
Personave, fizikë e juridikë, debitorë ndaj administratës doganore dhe administratës tatimore, që janë aktualisht të evidentuar dhe kontabilizuar si të tillë në këto dy administrata, por që realisht detyrimi i tyre, doganor dhe tatimor, ka lindur në tejkalim të afateve të parashkrimit, të parashikuara në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë dhe në ligjin për procedurat tatimore, u falen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që principali i detyrimit të paguhet brenda datës 31.12.2008. Personave, fizikë e juridikë, debitorë ndaj administratës doganore dhe administratës tatimore, për të cilët procedura e evidentimit, e marrjes së vendimit administrativ përkatës dhe njoftimit të vendit i është bërë në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë dhe të ligjit për procedurat tatimore, brenda afateve të parashkrimit, u falen 50 përqind e kamatëvonesave dhe 100 për qind, gjobat, me kusht që principali i detyrimit, së bashku me pjesën e mbetur të kamatëvonesave, të paguhen brenda datës 31.12.2008. Personave, fizikë, individë, debitorë ndaj administratës doganore, për automjetet e importuara, të evidentuara dhe kontabilizuara deri në datën 31.12.2000, u falet detyrimi doganor, me të gjithë komponentët e tij, si kamatëvonesa, gjoba dhe ditëqëndrimi. Personave, fizikë e juridikë, debitorë ndaj administratës doganore, për automjetet e importuara, të evidentuara dhe kontabilizuara nga data 1.1.2001 dhe deri me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u falen kamatëvonesat, gjobat dhe taksa për ditëqëndrimi, me kusht që principali i detyrimit të arkëtohet brenda datës 31.12.2008.
Taksa rrugore
Taksapaguesve të mjeteve rrugore, debitorë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për taksën vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve, dhe debitorë ndaj njësive të qeverisjes vendore, për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, u falen detyrimet e prapambetura me kusht që, pronarët e mjeteve, që nuk janë në qarkullim, të kenë kryer, brenda datës 31.12.2008, veprimet përkatëse të çregjistrimit. Pronarët e mjeteve, që janë në qarkullim, të kenë kryer, brenda datës 31.12.2008, veprimet përkatëse të pagesës së detyrimeve, me të gjithë komponentët, për vitet 2006, 2007 e 2008.
Kategoritë që iu falen detyrimet
-Falja e detyrimeve tatimore dhe doganore
-Falja e detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe taksa e rregjistrimit të përvitshëm
-Falja e gjobavedhe të kamatvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore
Falja e detyrimeve doganore
Falen gjithsej 15 miliard e 758 milion lekë
Arkëtohen gjithsej 29 miliardë e 500 milion lekë
Mjetet që nuk kanë paguar taksat
Përfitojnë 160 mijë e 790 në gjithë vendin
Debitorët e sigurmeve shoqërore dhe shëndetësore
2 subjekte buxhetorë për 1.5 milion lekë kontribut dhe 0.4 milion lekë kamatvonesa të llogaritura
32 subjekte jobuxhetore për 149.3 milion lekë kontribut dhe 170.4 milion lekë kamatvonesa të llogaritura
2 mijë e 329 firma private për 659 milion lekë kontribut dhe 571.7 milion lekë kamatvonesa të llogaritura
6 mijë e 660 individë të vetëpunësuar për 205 milionë lekë kontribut dhe 105 milionë lekë kamatvonesa të llogaritura
17 Korrik 2008