E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në janar, administrata gjyqësore me rritje pagash

Vendimi i djeshëm i qeverisë që prek me qindra punonjës administrativë të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit, iu jep statusin e nëpunësit civil pas 3 muajsh, ndërsa paratë vetëm në vitin 2009

TIRANË – Me qindra punonjës të administratës gjyqësore në të gjithë vendin do të përfitojë statusin e nëpunësit civil, çka për ta më në fund do të thotë më shumë lekë. Lajmi i mirë vjen nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka hartuar një projektligj, “Për administratën gjyqësore”, ku parashikohet trajtimi financiar, statusi dhe të drejtat e administratës së Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit. Por lajmi i keq vjen nga Kuvendi, ku në fund të projektligjit të firmosur edhe nga kryeparlamentarja Topalli, thuhet e zezë mbi të bardhë, se ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në fletoren zyrtare, ndërsa efektet financiare të tij fillojnë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Në projektligjin e miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë, gjithashtu thuhet se gjithë administrata gjyqësore, nga kancelari e deri tek nëpunësi gjyqësor do të trajtohen në të njëjtën mënyrë si administrata e Ministrisë së Drejtësisë. Me këtë projektligj, Ministria e Drejtësisë kërkon të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet që ka hasur administrata gjyqësore, si trajtimi financiar, siguria në punë, sistemi i karrierës, lëvizjet paralele, trajnimet profesionale dhe një sërë përfitimesh të tjera që aktualisht administrata gjyqësore jo vetëm që nuk i njeh, por ndoshta nuk i ka dëgjuar asnjëherë. “Kuadri ligjor aktual nuk ofron rregulla të qarta lidhur me misionin e administratës gjyqësore, strukturën e saj, rekrutimin e punonjësve apo trajtimin financiar të tyre. Për këtë arsye është paraqitur domosdoshmëria e trajtimit të këtyre çështjeve nëpërmjet marrjes së masave ligjore përkatëse, kërkesë kjo që buron edhe nga Partneriteti Evropian me Shqipërinë”, - thuhet në relacionin e projektligjit, i cili parashikon edhe kategoritë që janë pjesë e administratës gjyqësore. Maja e piramidës nis me kancelarin e gjykatës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë. Ndërsa punonjësit e tjerë të administratës gjyqësore, si sekretaria gjyqësore, sekretari i seancës, sektori i buxhetit dhe sektori i marrëdhënieve me publikun emërohen dhe gëzojnë të drejtat dhe detyrat e parashikuara në ligjin për “Statusin e nëpunësit civil”. Në nenin 4 të këtij projektligji thuhet se është ministri i Drejtësisë, ai që përcakton drejtimet kryesore të organizimit dhe funksionimit të administratës gjyqësore. Pra, ky projektligji i lë dorë të lirë ministrit të Drejtësisë për të kontrolluar veprimtarinë e administratës gjyqësore, mbështetjen për përgatitjen, aftësimin dhe specializimin e personelit të administratës, si dhe hartimin e programeve të veçanta për rritjen e eficiencës. Gjithashtu, kreu i dikasterit të drejtësisë është personi i vetëm që mund të bëjë vlerësimin e pozicionit të punës, procedurën e konkurrimit, rekrutimin, ngritjen në detyrë, lëvizjet paralele apo edhe masat disiplinore ndaj administratës gjyqësore, nëpërmjet urdhrave të veçantë.

Kategoritë që përfitojnë Statusin e Nëpunësit Civil

Kancelari

Sekretaria gjyqësore

Sekretari i seancës

Sektori i buxhetit

Sektori i marrëdhënieve me publikun

Sektori i arkivave

Sektori i teknologjisë së informacionit

Sektori i administratës ndihmëse

Nëpunësi gjyqësor

Çfarë parashikon projektligji

Projektligji “Për administratën gjyqësore” synon përcaktimin e saktë të statusit të administratës gjyqësore të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit, me qëllim rritjen e profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimin në punë të saj. Projektligji plotëson kërkesën e Partneritetit Evropian lidhur me statusin e administratës, duke i ofruar asaj të njëjtat garanci që u ofron statusi i shërbimit civil punonjësve të administratës publike. Konkretisht, përcaktohen procedura të njëjta dhe të unifikuara për emërimin, zhvillimin e karrierës, largimin nga puna, masat disiplinore, vlerësimin e rezultateve në punë, të cilat do të ndikojnë në rritjen e performancës së administratës dhe shmangien e arbitraritetit në largimin nga puna, duke krijuar edhe një mekanizëm ankimi tek ministri i Drejtësisë të punonjësve të administratës. Ajo çka është më e rëndësishme në përmirësimin e statusit të administratës, është ofrimi i një trajtimi financiar të njëjtë me atë të nëpunësve të shërbimit civil.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›