Amnistia, për herë të parë në 20 vite tranzicion
Për herë të parë gjatë historisë së tranzicionit, qeveria merr seriozisht një nismë për të shpallur një lloj amnistie fiskale, ndaj borxheve dhe kapitaleve të biznesit. Ministri i Financave, Ridvan Bode, paralajmëroi edhe pak ditë më parë se, në vijimësi të reformave fiskale, qeveria po merr masa të tjera për të lehtësuar biznesin. "Do t'i propozojë parlamentit disa akte ligjore, të cilat do të çlirojnë biznesin nga borxhet e prapambetura që i detyrohet qeverisë. Një pjesë e këtyre borxheve janë jo korrekte, por i takon parlamentit që të shprehet dhe të vendosë, një pjesë tjetër e borxheve janë të pamundura për t'u arkëtuar, ndërkohë që një pjesë e biznesit në borxhet e krijuara vetëm 10 përqind kanë detyrime, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me penalitete, interesa apo kamatvonesa”-është shprehur Bode. Ministri i Financave ka kryer konsultime edhe me komunitetin e biznesit. Sipas Bodes biznesi është i interesuar për të deklaruar në mënyrë të plotë dhe të drejtë pa fshehur asgjë, pasi niveli i taksave është tepër simbolik, sqaron ministri. "Në këto kushte të gjithë janë të ftuar për të dalë lirshëm në treg dhe për të mënjanuar çdo keqkuptim, keqinterpretim apo presion që vjen nga ky informalitet tepër i zgjatur, nga qëndrimi në një kohë tepër të gjatë në errësirë e një pjese të madhe të kapitaleve dhe bizneseve shqiptare", thotë Bode. Komuniteti i biznesit në mënyre të unifikuar gjatë nëntorit të vitit të kaluar i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe Qeverisë të projektojë një amnisti fiskale për detyrimet e papaguara të biznesit. Kërkesën në emër të biznesit e ka bërë kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Gjokë Uldedaj. Sipas tij, aministia fiskale do të detyrojë biznesin të deklarojë më pas të ardhurat reale, duke ndikuar kështu pozitivisht edhe në arkën e shtetit.
17 Korrik 2008