Shtrëngohen kriteret, hyn në lojë mesatarja

TIRANË - Rikthehet sistemi me kohë të pjesshme në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, kësaj radhe me kritere më strikte për kandidatët. Ky sistem, i cili u hoq një vit më parë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për shkak të nivelit të dobët të studentëve që studionin me të, do të rihapë sërish dyert për studentët. Por këtë vit, përzgjedhja e kandidatëve që do të konkurrojnë për vazhdimin e shkollës së lartë me kohë të pjesshme nuk do të jetë si më parë, por do t’i nënshtrohet kriterit të mesatares. Sipas dekanit të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, “pranimi i studentëve të sistemit “part time” këtë vit do të ketë si kriter mesataren, gjithmonë nëse kërkesat për studime janë më të larta”. Futja e këtij kriteri ka si qëllim pranimin në fakultet të një kontingjenti sa më cilësor studentësh. Për shkak të heqjes së mesatares nga metodat e studimit, për vitin akademik 2007-2008 sistemi me kohë të pjesshme, ose ndryshe “part time”, nuk ka pasur vite të para në asnjë prej degëve të Filologjikut. Por për vitin akademik 2008-2009, ky sistem do të rihapë dyert për të gjithë studentët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në degët e Gjuhë-Letërsisë, Historisë dhe Gjeografisë. “Numri i kuotave që kemi propozuar për sistemin me kohë të pjesshme është 150 për çdo degë, përveç degës së Gazetarisë, e cila si përherë nuk do të ketë kuota pranimi për studime në këtë sistem”, tha dekani Rrokaj. Ndërsa për kuotat e pranimit të studentëve me kohë të plotë për këtë vit akademik, kryesekretarja e këtij fakulteti, Voltisa Meçe, sqaroi se janë caktuar nga fakulteti dhe i janë dërguar Ministrisë së Arsimit këto kuota, në përputhje me kapacitetet e fakultetit. “Megjithatë, kuotat e pranimit për këtë vit akademik, në sistemin me kohë të plotë, do të jenë të njëjta me ato të një viti më parë”, deklaroi Meçe.
Kuotat e pranimeve për sistemin e ditës
Kuotat e pranimit për vitin akademik 2008-2009 në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë do të jenë këto: 100 studentë në degën e Gjuhë-Letërsisë, 100 studentë në degën e Historisë, 100 studentë në degën e Gjeografisë dhe 60 studentë në degën e Gazetarisë. Ndërsa kuotat e pranimit të studentëve nga trojet shqipfolëse, si Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, nuk janë caktuar akoma.
QSGJ brenda Filologjikut
TIRANË - Në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë tanimë do të shtohen katër vende të reja pune me kontratë të përkohshme, për personelin akademik të ish-Qendrës së Studimeve Gjeografike, që kaloi dje zyrtarisht, me miratimin e Këshillit të Ministrave, nën varësinë e këtij fakulteti. Sipas projektvendimit, niveli i pagave të personelit akademik të ish-QSGJ-së do të jetë i njëjtë me atë të personelit akademik të Universitetit të Tiranës. Në të vërtetë, ky vendim që ngjalli shumë pakënaqësi në radhët e akademikëve një vit më parë, për shkak të cenimit të numrit dhe pagës së tyre, synon shkëputjen e rrjetit të instituteve nga Akademia e Shkencave, për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në departamentet përkatëse. Mendohet që afërsia me fakultetin do të sjellë më tepër frytshmëri në këtë fushë për studentët dhe akademikët. Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë i kalojnë në administrim pasuritë e paluajtshme, si burimet financiare, automjete, donacione, projekte kërkimi dhe zhvillimi, pajisje informatike etj., të cilat kanë qenë pronë e ish-QSGJ-së.