Çmimet e larta, gropë e buxhetit familjar të shqiptarëve

Rritja galoponte e çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe e shërbimeve ka sjellë që nga buxheti i një familjeje shqiptare 48 për qind e shpenzimeve apo 33 mijë lekë në muaj të shkojnë vetëm për blerjen e ushqimeve. Në këto kushte, të gjitha familjet shqiptare janë të kufizuara për shpenzime të tjera, duke nisur nga arsimimi i fëmijëve, mjekimi dhe deri tek argëtimi që mbetet një luks. Një individ në Shqipëri shpenzon mesatarisht rreth 17 mijë lekë në muaj, nga të cilat 9 mijë lekë shpenzohen për konsum ushqimor dhe 8 mijë lekë për konsum joushqimor. Shifrat bëhen të ditura nga rezultatet e anketës së buxhetit të familjeve përgjatë një viti të zhvilluar nga Instituti i Statistikave. Por sipas llogaritjeve të INSTAT-it, të ardhurat e një familjeje shqiptare kufizohen deri në shpenzimet për ushqim, të cilat llogariten në 330 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo shumë është e njëjtë me pagën e një buxhetori, ndërkohë që të gjitha shpenzimet në total, duke përfshirë shpenzimet për veshje, pagesën e energjisë dhe ujit të pijshëm, shërbime shëndetësore dhe arsimore, argëtim e komunikim llogariten në 60 mijë lekë në muaj. Pra, sipas një llogaritjeje të thjeshtë, një familje shqiptare i mbeten për të shpenzuar nga të ardhurat vetëm 27 mijë lekë të reja në muaj për grupet e tjera të konsumit, përveç ushqimit. Nisur nga kjo situatë, shpenzimet e një individi për ushqim dhe grupe të tjera të konsumit janë shumë të ulëta. Anketa e shpenzimeve të buxhetit familjar duke kryer një krahasim me atë të zhvilluar në vitin 2000, nxjerr si rezultat se konsumi mesatar mujor për frymë ka pasur një rritje prej rreth 2.2 herë. Kjo vjen si rezultat i inflacionit në këto vite, që është rritur 23.2 për qind në periudhën 2000-2007, duke arritur në konkluzionin, se shpenzimet reale për frymë janë rritur rreth 1.8 herë. Konkretisht, anketa jep të dhëna se pjesa më e madhe e buxhetit të një familje shkon në shpenzimet për ushqim. Në total, buxheti i një familjeje nga të ardhurat që fitohen, kufizon shpenzimet në grupet më të rëndësishme të konsumit. Një familje shqiptare shpenzon 2,845 lekë në muaj për shërbim shëndetësor dhe 1191 lekë në muaj për arsimim. Niveli i ulët i jetesës tregohet në kufizimin e shpenzimeve për argëtim dhe restorante. Sipas anketës së INSTAT-it, një familje shqiptare konsumon në muaj 2162 lekë në muaj për argëtim dhe 3482 lekë në muaj për restorante dhe bare. Pra, ushqimi (pa përfshirë pijet alkoolike) mbetet një element i rëndësishëm në buxhetin familjar, duke zënë 47.6 për qind të tij. Në këtë grup, peshën më të madhe e zë shpenzimi për “mish dhe nënprodukte”, që përbën rreth 22.5 për qind të buxhetit brenda grupit. Produktet që vijnë më pas për nga vlera e shpenzuar janë “qumështi, vezët dhe nënproduktet e tij” (me një peshë prej 16.1 për qindësh), si dhe “bukë dhe drithëra” (15.5 për qind). Nëngrupet që vijnë më pas janë perimet që zënë 14 për qind të grupit kryesor dhe frutat që zënë 8.8 për qind. Për sa i përket grupit “pije alkoolike dhe duhan”, rezulton se në familjet shqiptare konsumohet për to rreth 4.3 për qind e buxhetit, ku vetëm duhani zë një peshë prej 50.6 për qind brenda grupit. Konsumi jashtë shtëpisë, në fast food, bar dhe hotele/restorante përbën 5 për qind të buxhetit të familjeve shqiptare.
Shpenzimet për arsimim, më të ulëta se viti 2000
Sipas INSTAT-it, në ulje në krahasim me 1999-2000 për sa i përket kuotës në total të shpenzimeve, janë ato për “arsimin” dhe “të tjera mallra dhe shërbime”. Në total, shpenzimet për arsimim zënë 1.7 për qind të buxhetit familjar, pra shuma më e ulët që shpenzohet në krahasim me grupet e tjera të shpenzimeve. Brenda këtij grupi, pagesat në lidhje me arsimin e lartë zënë 62.6 për qind, kurse shpenzimet që familjet shqiptare i dedikojnë grupit “të tjera mallra dhe shërbime” zënë një peshë prej 5.5 për qindësh të buxhetit total. Në këtë grup përfshihen: “shpenzime për kujdes personal”, “shpenzime të jashtëzakonshme të kryera nga familjet në raste ceremonish dhe festash”, “pagesat për shërbime të ndryshme financiare private”, si dhe “sigurimet”. Brenda grupit, zëri “artikuj dhe produkte për kujdes personal” zë peshën më të madhe, me rreth 54 për qind.
Shpenzimet e përfshira në grupin “Transport” zënë 6.2 për qind të totalit. Peshën më të madhe brenda grupit e përbëjnë shpenzimet që i referohen lëvizjes me mjete publike apo private, si “shpenzime për transport rrugor”, rreth 32 për qind dhe “karburant dhe lubrifikantë” me 40.3 për qind, ndjekur nga zërat “pjesë këmbimi dhe aksesorë” (11.2 për qind), si dhe “mirëmbajtje dhe riparime” (9.2 për qind). Shifrat e fundit tregojnë për një peshë gjithnjë e më të rëndësishme të shpenzimeve për mjete të transportit privat ndaj totalit të transportit në përgjithësi. Po ashtu ka rritje të shpenzimeve totale që familjet i dedikojnë kujdesit për shëndetin, si dhe komunikacionit, që paraqesin grupet “kujdes shëndetësor” dhe “komunikim”, ku peshën më të madhe e zënë përkatësisht blerjet e medikamenteve me rreth 71.4 për qind dhe shpenzimet për shërbime telefonie me 92.5 për qind brenda grupeve përkatës. Po me rritje, megjithëse në një shkallë më të vogël, paraqitet grupi “Veshje dhe këpucë”, i cili zë 6.2 për qind të konsumit total. Brenda këtij grupi, veshjet zënë një peshë prej rreth 68 për qindësh, ndërsa zëri “këpucë dhe të ngjashme” 26 për qind. Kurse grupi “Banesa” me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar efektivisht dhe riparime të vogla zë 7.4 për qind të totalit të buxhetit familjar. Rreth 44 për qind e këtyre shpenzimeve shkojnë për pagesën e energjisë elektrike dhe 27.4 për qind për ngrohje, ndërsa 7.8 për qind shkojnë për shpenzimet për qira. Duhet të theksojmë se përqindja e familjeve që deklarojnë se paguajnë aktualisht qira për banesën e tyre është mjaft e ulët, vetëm 3.4 për qind. Grupi “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” paraqet një stabilitet në strukturën e shpenzimeve totale, rreth 6.3 për qind, brenda të cilit artikujt shtëpiakë joafatgjatë kanë një peshë që zë me shumë se gjysmën e shpenzimeve, rreth 60 për qind.
Vetëm 10 për qind e shqiptarëve kanë luksin të shpenzojnë 52 mijë lekë në muaj
Një analizë e shpërndarjes së nivelit të shpenzimeve për konsum tregon se 90 për qind e familjeve shqiptare arrijnë në rreth 77 për qind të vlerës së konsumit total të popullatës, duke shpenzuar mesatarisht rreth 60 mijë lekë në muaj. Pra, vetëm 10 për qind e familjeve në Shqipëri shpenzon rreth 23 për qind të totalit, duke konsumuar rreth 153 mijë lekë në muaj për familje. Sipas INSTAT-it, këto rezultate në terma unitarë (konsumi mujor mesatar për frymë) tregojnë për një disnivel në Shqipëri. Pra, shumica e popullsisë që korrespondon me 90 për qind të familjeve, shpenzon rreth 16 mijë lekë në muaj për frymë, ndërsa një pjesë mjaft e vogël që korrespondon me 10 për qind të familjeve shpenzon rreth 52 mijë lekë në muaj për frymë, ose tri herë më shumë.
Kryeqytetasit, shpenzimet më të larta
Tirana paraqet konsumin më të lartë në vlerë krahasuar me të gjitha prefekturat e tjera, ku një familje e kryeqytetit shpenzon mesatarisht në muaj 83,800 lekë. Prefekturat që paraqesin shpenzimet më të larta për konsum, pas Tiranës, janë Durrësi dhe Gjirokastra, me konsum mujor familjar përkatësisht 82,900 dhe 82,800 lekë. Prefektura me nivel më të ulët të shpenzimeve për konsum është ajo e Dibrës dhe e Beratit, përkatësisht me 51,300 dhe 54,100 lekë në muaj për familje.