E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS krijon Bordin e “Dialogut me Shoqërinë” në Elbasan



Një grup profesionistësh dhe intelektualësh të rinj kanë krijuar në qytetin e Elbasanit, Bordin e Dialogut të Partisë Socialiste me Shoqërinë. Ky është një bord qytetarësh pa parti, i konceptuar si një urë lidhëse mes PSSH dhe komunitetit për të sjellë në forcën më të madhe të opozitës shqetësimet e qytetarëve dhe idetë e tyre , për të përçuar në mjedisin shoqëror frymën e politikës së re përtej të majtës e të djathtës është Shqipëria me problemet e saj që kërkojnë zgjidhje prej 17 vitesh. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili tha se Bordi i “Dialogut me Shoqërinë” është një risi e re në politikën shqiptare. Sipas tij ky bord do të ndikojë në rritjen e kontributit të qytetarëve për të përmirësuar politikën në Shqipëri. “Bordi i Dialogut me Shoqërinë, është një strukturë tërësisht e re, jo vetëm për Partinë Socialiste, por është tërësisht e re për politikën shqiptare. Është një strukturë, që i njeh të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë ose jo anëtarë partie, të drejtën dhe mundësinë për të kontribuar, duke u organizuar së bashku, në funksion të promovimit ideve të tyre dhe njëkohësisht të mbështetjes së një projekti politik që i integron këto ide”,- tha Rama. Më tej kryetari i Partisë Socialiste theksoi se për shoqërinë shqiptare ka qenë fatale delegimi i fatit të saj, politikës dhe politikanëve. “Politika në Shqipëri nuk ka magnet për t’i tërhequr qytetaret dhe qytetarët, por përkundrazi, ka të gjitha ato cilësi të këqija, që mjaftojnë për t’i qëndruar asaj larg. Nga ana tjetër, duke i qëndruar asaj larg, jemi viktima të saj, pasi në fund të fundit, çdo gjë që ka të bëj me jetën tonë ekonomike dhe shoqërore, shkon e lidhet tek cilësia e politikës. Një politikë e keqe nuk mund të prodhojë një cilësi të mirë në jetë dhe këtu nuk kam parasysh ndarjet brenda politikës së keqe, por atë në tërësi. Ne krijojmë kushtet që të ndërtojmë për qytetarët e Elbasanit, një urë komunikimi me Partinë Socialiste, e cila nga ana tjetër, përmes kësaj ure komunikimi, i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm të dëgjoj, por edhe të kuptoj. Se është aty, për ta kthyer tërësisht veten me sytë nga njerëzit dhe për ta vënë veten në dispozicion të njerëzve”, deklaroi Rama gjatë këtij takimi.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›