E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnisty International dënon “fshesën” greke

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Vetëm pak orë mbas fillimit të operacioneve “fshesa” ndaj emigrantëve të huaj, që jetojnë në Greqi, sërish Athina u vu në shënjestër të organizatave ndërkombëtare, lidhur me trajtimin çnjerëzor që u bën emigrantëve klandestinë.
Nga Londra, Amnisty International, në raportin e saj vjetor deklaron se kushtet e jetesës së emigrantëve, që jetojnë në këtë vend, sa vjen e rëndohen.
Raporti i Amnisty International
Nuk janë të pakta rastet, që ndaj tyre ushtrohet dhunë fizike dhe psikologjike. Qindra mijëra syresh, zbarkojnë në vijën bregdetare 15.000 kilometrash të gjatë. Ata hyjnë në Greqi në bordin e varkave të vjetra dhe pothuaj të gjithë paguajnë mijëra euro për të kaluar në thellësi të territorit. Shumë shpesh ata pengohen të hyjnë në ujërat territoriale greke prej rojeve bregdetare, të cilët i dhunojnë, i kërcënojnë, madje edhe i rrahin. Qendrat e pritjes janë në gjendje të mjerueshme dhe në to mungojnë të gjithë elementët bazë të mbijetesës së emigrantëve. Qindra-mijëra azilkërkuesve u është refuzuar azili politik, ndërsa rojet kufitare i kthejnë emigrantët në Turqi, prej nga ku deportohen në Iran dhe Irak, pavarësisht se jeta e tyre rrezikohet seriozisht prej diktaturave të qeverisin në këto vende. Midis tyre ndodhen edhe fëmijë dhe femra. Procedurat zgjasin disa vjet dhe deri në shqyrtimin e kërkesave, azilkërkuesit mbahen në kampe të izoluara dhe në kushte të mjerueshme.
Kapmet e pritjes
Amnisty International i referohet kampeve të pritjes në ishullin Samos dhe Leros, gjendja e të cilëve është e mjerueshme. Në këto kampe, ka patur shumë denocime, të cilat bëjnë fjalë për ushtrim dhune, kushte skandaloze jetese etj. Organizata u bën jehonë edhe disa ngjarjeve, protagonistë të së cilave kanë qenë shqiptarë. Rasti i parë është ai i largimit me dhunë i të paktën 200 familjeve ciganësh shqiptarë, prej një zone në afërsi të Patras dhe rasti i dhunës policore në rajonin e policisë, “Omonia” ku dy emigrantë, midis tyre një shqiptar, u rrahën dhe u filmuan prej vetë policëve. Në vazhdim, pamjet u publikuan nëpër celularët e policëve dhe në You Tube. Prej këtij rasti, referimet për dhunë në burgje dhe rajone kanë qenë të shpeshta, ndërsa më tepër se 30 raste vdekjesh në to janë të dyshimta. Në përfundim të raportit, Amnesty International deklaron se gjendja e të drejtave të njeriut në Greqi është përkeqësuar edhe më tepër se një vit më parë. Ndërkohë që dje Amnesty Intrenational i dërgoi Greqisë raportin e ministrit të Brendshëm grek, Prokopis Pavlopulos në orët e para të mëngjesit policia greke ndërmori një ndër operacionet më të mëdha “fshesa” të kryera këto vitet e fundit. Në këtë operacion të ndërmarrë nga dikasteri blu u mobilizuan 600 policë, duke kryer një kontroll rutinë në 11 mijë e 500 persona vendas dhe të huaj, ku shumica ishin emigrantë ekonomikë. Nga ky operacion u arrestuan 328 persona, ku u konfirmuan mbi 4 mijë shkelje ligjore. Ndërkohë që ndaj të huajve të paligjshëm do të kryhet procesi i riatdhesimit, duke marrë dënimin e refuzimit nga shteti grek dhe në vendet e BE-së për 5 vjet. Sipas ministrit të Brendshëm, Prokopis Pavlopulos ky operacion i kryer në këto 24 orë të fundit u zhvillua në kuadrin e vigjilencës së policisë greke me qëllim që të mbështetet përsëri ndërgjegja e sigurisë së qytetarëve.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›