E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbikalimi-Kamëz, dje skadoi afati për përfundimin e punimeve

Autori i Lajmit: red.
Dje duhet të kishin përfunduar punimet në mbikalimin e Kamzës. 28 maji është afati i përfunidmit të këtij projekti në kontratën e lidhur mes firmës austriake “Alpine” dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Punimet jo vetëm që nuk kanë përfunduar, por përkundrazi do të kërkojnë ende shumë kohë. Pasojat e këtyre vonesave i vuajnë drejtuesit e automjeteve, të cilët janë të detyruar që të presin me minuta të tëra në trafik për të përshkruar pak metra. Një situatë që bëhet akoma më e rëndë me vapën e ditëve të fundit. Zona tek mbikalimi i Kamzës është edhe nyja kryesore që lidh qytetin e Tiranës me atë të Durrësit. Me sezonin veror në prag, shtohet ndjeshëm fluksi i automjeteve që përshkojnë këtë rrugë. Kjo do të thotë se drejtuesit e automjeteve duhet të vuajnë shumë më tepër se deri tani. Kompania “Alpine”, i ka nisur punimet më 12 qershor të vitit të kaluar dhe sipas kontratës ato duhet të kishin përfunduar në fund të prillit. Por, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit vendosi ta shtyjë me një muaj afatin e përfundimin të tyre, nisur nga vonesat me shpronësimet, rreshjet dhe trafiku i dendur në këtë zonë. Afati i ri i vendosur në kontratë ishte data 28 maj, por as ky nuk u respektua. Në këto kushte, askush nuk di të thotë me saktësi sesa duhet të presin ende qytetarët për të përshkruar normalisht zonën në mbikalimin e Kamzës. Projekti me vlerë rreth 7 milionë euro, po zbatohet nga firma austriake "Alpine Mayreder Bau". Me ndërtimin e këtij mbikalimi do të harmonizohet lëvizja e trafikut hyrës dhe dalës nga Tirana në drejtim të Durrësit, trafiku që i drejtohet veriut në drejtim të Kamzës si dhe ndërlidhja funksionale me rrugët paralele Tiranë–Vorë. Punimet përfshijnë ndërtimin e një aksi kryesor me një gjatësi 1040 m dhe do të jetë ndarë në 6 korsi me 3.75 m secila, një rrethrrotullimi me gjatësi 700 m si dhe rrugë shërbimi me gjatësi 2.0 km. Në nivelin e poshtëm do të ndërtohet rrethrrotullimi, i cili do të mundësojë kalimin e trafikut nga Kamza dhe në drejtim të saj si edhe për në rrugët paralele dhe Kompleksin Rezidencial "Garden City", ndërkohë që niveli i sipërm do të sigurojë kalimin e trafikut pa ndërprerje nga dhe në drejtim të rrugës nacionale.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›