Ana Kaçinari: Koncerti im dhe lidhja me babain kritik
Sa herë ngjitet në skenë ajo kërkon të sjellë diçka të re për publikun shqiptar. Kështu ndodhi në koncertin e saj të parë në vitin 2010 me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, ku luajti për herë të parë në një skenë shqiptare koncertin nr.4 të Rachmaninoff. E kështu do të ndodhë edhe të premten në mbrëmje në Akademinë e Arteve të Bukura, ku pianistja Ana Kaçinari e shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar do të luajë për herë të parë koncerti për piano dhe orkestër, nr.5 Op.103 të Saint Saëns, që njihet me titullin ‘Egjiptiane’. Kjo është pjesë e koncertit simfonik të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, me dirigjent Bujar Lapajn dhe drejtor artistik David Tukiçi. Në program janë shenjuar edhe uvertura ‘La Carnaval Romain’ e Hector Berlioz dhe Simfonia nr.1 nga kompozitori shqiptar Thoma Gaqi. Por për solisten Ana Kaçinari, e cila luan në piano, ky koncert i dytë mbart emocione edhe për faktin se ajo tashmë është një e sapodiplomuar me “Medaljen e Artë” në Akademinë e Arteve të Bukura. Ana është vajza e kompozitorit të njohur Alfred Kaçinari dhe e dirigjentes Besa Kaçinari. Në intervistën e saj për MAPO-n pianistja e familjes Kaçinari rrëfehet për marrëdhëniet me babanë kritik dhe mamanë, spektatoren e përhershme në çdo koncert të saj.
Ana Kaçinari vetëm pak muaj nga diplomimi vjen me një koncert me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar…
Ky koncert është bashkëpunimi im i dytë me orkestrës e Radio Televizionit Shqiptar, pas koncertit të parë vitin e kaluar, ku u prezantova me një vepër të panjohur të Rachmaninoff. Ky koncert i dytë është më tepër një kënaqësi, pasi i pari ishte vërtet emocionues, sepse ishte dalja e parë në publik me orkestrën dhe unë isha ende studente. Përgjegjësia ishte e madhe si atëherë edhe tani, por tashmë në këtë koncert të dytë vij më e sigurt para publikut.
Vini nga një familje muzikantësh, nëna dirigjente, Besa Kaçinari, babai juaj është kompozitori i njohur Alfed Kaçinari. Sa ka ndikuar kjo në formimin tuaj muzikor?
Prindërit më kanë blerë një piano që kur kam qenë 2 vjeçe, kështu doja apo s’doja unë asaj rruge do të ecja. Në moshën 5-vjeçare ata më çuan për të marrë leksione pianoje, kështu që pa diskutim që kam qenë e shtyrë edhe nga ata. Por për të vendosur se çfarë do të bëja me shkollimin tim më tej, ka qenë tërësisht zgjedhja ime. Dhe ka qenë zgjedhja ime për të vazhduar rrugën e pianos. Kam qenë e përkushtuar shumë edhe në shkencat ekzakte, por nuk është se e kam menduar seriozisht këtë rrugë. Kjo nuk do të thotë se nuk kam menduar ndonjëherë se mund ta lija një ditë pianon, apo mund të mos kisha mundësi ta ndiqja këtë pasion, sepse, të tregohem e sinqertë, ky është një impenjim shumë i madh, që kërkon çdo ditë studim dhe kam lënë shumë gjëra pa bërë. Por në fund, siç e shihni nuk hoqa dorë. Ndoshta sepse që e vogël kam sakrifikuar duke hequr dorë nga lodrat dhe dëshirat e moshës për shkak të pasionit dhe përkushtimit tim ndaj muzikës dhe tani jam mësuar dhe sakrifica është bërë pjesë e jetës sime.
-A është me vajzën e tij po aq kritik sa është dhe perceptimi që ka publiku për Alfred Kaçinarin?
Po e nis nga mamaja, që është spektatori im i përhershëm. Nuk ka ndodhur asnjëherë që unë ti bie pianos dhe mamaja ime të mos jetë prezent në sallë. Ajo më ka ndjekur që e vogël. Ndërsa babai është gjithmonë kritiku. Babai më ka ndihmuar të organizoj si koncertin e parë edhe këtë të dytin me orkestrës e RTSh-së dhe unë këtë e shoh si një vlerësim që ai ka për mua, në sensin që ka patur mundësi për të më ndihmuar edhe më parë, por nuk e ka bërë. Arsyeja që s’e ka bërë mendoj sepse ai kërkon shumë prej meje, kërkon perfeksionin dhe në momentin që ai s’e ka bërë do të thotë se unë s’kam qenë gati, ndërsa tani mendoj se ai më ka vlerësuar, duke më dhënë mundësinë që të jap koncert dhe kjo do të thotë që unë tashmë jam gati profesionalisht. Kjo është mënyra e tij e të vlerësuarit.
Të qenit vajza e Alfred Kaçinarit më shumë ju ka ndihmuar apo penguar në rrugën tuaj drejt muzikës?
Nga ana profesionale mendoj se më ka ndihmuar shumë mjedisi ku unë jam rritur, sepse, nëse për disa është e vështirë të jenë pjesë e njerëzve të artit dhe e botës së artit, për mua ka qenë më e lehtë, sepse unë jam rritur në këtë mjedis.
Çfarë do të sillni në koncertin tuaj të dytë?
Koncerti për piano e orkestër i nr.5 i Saint Saëns, i njohur si koncerti ‘Egjiptian’. Më është propozuar nga dirigjenti i këtij koncerti, Bujar Llapaj. Është diçka e re, që luhet për herë të parë në Shqipëri dhe mendoj se do të jetë një koncert i bukur dhe i kapshëm për publikun.
Çdo muzikant ka një kompozitor të dashur që e veçon nga të tjerët, po ju keni?
Rachmaninoff më pëlqen shumë, sigurisht dhe Bethoven që mbetet unik.
Si ndihet një pianiste e re përballë një orkestre profesioniste si ajo e RTSh-së? A jeni ndjerë e paragjykuar?
Jo, nuk e kam ndjerë, në fakt as tani, as në koncertin tim të parë. Duke qenë se puna ime ishte bërë me profesionalizëm, mendoj se u ofrova që në koncertin tim të parë një nivel të lartë profesional dhe seriozitet në punën time. Ndoshta ata mund ta kenë parë me dyshim në fillim një vajzë kaq të re që interpreton përkrah tyre, por unë vetë nuk e kam ndjerë aspak. Mendoj se prova e parë ka qenë shumë e suksesshme dhe tani në këtë koncert të dytë çdo hije dyshimi ka kaluar.
Tani që dhe jeni diplomuar, i keni ftuar pedagogët në koncert?
Sigurisht që i kam ftuar dhe do të jenë të gjithë në sallë. Aq më tepër tani që jam diplomuar dhe nuk jam më studente, do t’i mirëpres me kuriozitet dhe opinionet e tyre.
Po prindërit, ku do të jenë në sallë apo pas kuintave?
Mamaja me siguri prapa kuintave, si gjithmonë. Ndërsa babai, duke bërë xhiro nga sikleti dhe emocioni. Ai ka shumë emocion kur unë interpretoj, madje më shumë sesa unë vetë.
Prania e tyre ju bezdis apo ju jep forcë?
Unë nuk do t’i bija dot pianos nëse mami nuk do të ishte prezent aty dhe opinionin e parë pas çdo performance ia kërkoj gjithmonë asaj. Kurse prania e babait më krijon në fakt pak siklet, sepse e di që ai emocionohet shumë kur unë interpretoj.
Po të ardhmen tuaj ku e shihni?
Në Shqipëri e shoh të ardhmen time, ose më saktë këtu kam dëshirën ta shoh. Të ardhmen tënde mund ta ndërtosh ku të duash, por mendoj se sidomos brezi ynë ka për t’i dhënë tjetër drejtim artit dhe kulturës.