Një revistë rumune, dedikuar Shqipërisë
Shoqata Nacionale Spiru Haret për Edukatë, Shkencë dhe Kulturë, organizoi takimin e parë në kuadrin e Ateneut kulturor Romania de Maine (Rumania e Nesërme), temë e takimit duke qenë Dita mondiale e Poezisë dhe lançimi i revistës Carmina Balcanica. Moderatorë ishin prof.univ.dr. Mihaela Albu dhe poeti Dan Anghelescu. Carmina Balcanica do të thotë “kënga ballkanike”, në kuptimin metaforik, dhe propozon të tubojë gjithçka që i përket kulturës ballkanike, për një formim më të mirë të lexuesve, sidomos të të rinjve, që ende nuk janë familjarizuar me kulturën e vet. Ballkani është një hapësirë e lashtë kulturore, vlerash dhe diversifikimesh që meritojnë të njihen, vizitohen, përkthehen dhe afirmohen. Në kuadrin e artikullit, kushtuar Ditës botërore të Poezisë dhe revistës respektive, që e botoi e përjavshmja bukureshtiane Opinia Nationala, theksohet se jemi shumë të afërt dhe të ngjashëm mes nesh, se ky numër i revistës, i pari që del nën përkujdesjen e Shoqatës Nacionale Spiru, i është dedikuar Shqipërisë, motiv për të cilin, në këtë konferencë, i ftuari special ka qenë ambasadori i Shqipërisë në Rumani, Shkëlqesia e Tij, zoti Sami Shiba. Zotëria e tij pati mirësinë të na falënderojë për iniciativën për t’ia kushtuar numrin respektiv Shqipërisë, duke shprehur vlerësimet më të larta për vlerat kulturore që kanë kontribuar në promovimin madhor të Shqipërisë në trojet e Rumanisë. Ambasadori shqiptar foli edhe për progresin dhe rolin e Shqipërisë si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërsa Dr. Xhelku Maksuti (President Nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë), përmendi dy emra reprezentativë: Mihai Viteazul, themeluesi i integritetit të atdheut që më 1595 i pranoi 15 mijë shqiptarë të kalojnë Danubin dhe të vendosen në Olteni; dhe Nicolae Iorga, historiani dhe dijetari i famshëm rumun, zbulues i Formulës së Pagëzimit, që e ka bërë të njohur Shqipërinë me një libër në gjuhën frënge, në kohën e Konferencës së Paqes në Paris (1919). Këtë manifestim dinjitoz e nderuan një numër i konsideruar poetësh rumunë, kuadrosh universitare dhe miq të kulturës shqiptare, si diplomati Gheorghe Bucura (Gjergj Bukura), Mihai Antonescu, Monica Mureshan, Përparim Demi me prejardhje nga Çamëria etj. Përndryshe, revista Carmina Balcanica, që del në formë libri, është e dinamizuar me dokumente dhe fotografi të panumërta në kolor, dhe boton në numrin më të ri një studim të Dr. Luan Topçiut (Ballkani si hapësirë kulturore), në gjuhën shqipe dhe angleze, një ese të Dan Anghelescut (Baki Ymeri: një stinë shpirtërore pa rivalitet), në gjuhën rumune dhe angleze, një studim bilingv të poetit dhe eseistit Marius Chelaru (Gjakmarrja – frymëmarrja e përgjakur e fatit), 6 poezi të Bardhyl Londos në gjuhën shqipe dhe angleze, 4 poezi të Visar Zhitit, po ashtu: shqip, anglisht, si dhe shkrime tjera me rëndësi të veçantë. Në këtë kontekst, përfundimisht vlen të potencojmë faktin se numri i parë i revistës Carmina Balcanica (nr. 1/2008), debutoi para tre vitesh me prezantimin e poetëve të Kosovës në gjuhën shqipe dhe angleze (Sali Bashota, Flora Brovina, Ibrahim Kadriu, Jeton Kelmendi, Miradije Ramiqi, Edi Shukriu), pa e anashkaluar edhe autorin e këtij shkrimi që Ju fton për bashkëpunim, për ta bërë edhe më tej të njohur Shqipërinë, Kosovën dhe diasporën shqiptare, në një vend të bekuar nga drita e shenjtë e rilindësve tanë. Kjo ishte befasi e parë, ndërsa befasia e dytë pason pas një jave, kur më 19 maj, falë propozimit të Dr. Luan Topçiut dhe në bashkëveprim me qeverinë shqiptare dhe qeverinë rumune, inaugurohet në Braila të Rumanisë busti i autorit të parë të abetares shqipe, Naum Veqilharxhi.