E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homofobia, minoritetet seksuale kërkojnë më shumë të drejta

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë edhe minoritetet seksuale në vendin tonë kanë ngritur zërin për të kërkuar më shumë të drejta, sikurse edhe mposhtje të homofobisë. Homofobia, një term që nënkupton urrejtjen dhe frikën joracionale ndaj njerëzve homoseksualë dhe ndaj vetë homoseksualitetit vazhdon të përbëjë shqetësim për jetën dhe të drejtat e minoriteteve, të cilët kanë një orientim të ndryshëm seksual. “Deklarimi publik i homoseksualitetit përbën një shqetësim me të cilin përballet komuniteti i homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transeksualëve (LGBT)”, - tha drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), Altin Hazizaj. Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë në të gjithë botën vlerësohet si ditë reflektimi për respektimin e të drejtave dhe lirive të minoriteteve seksuale, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë përbëjnë së paku 5% të popullsisë. Edhe Shqipëria iu bashkua vendeve të BE-së dy vjet më parë, duke nënshkruar Deklaratën e OKB-së kundër kriminalizimit të minoriteteve seksuale, por dhe si pjesë në rekomandimin e Këshillit të Europës për luftën ndaj diskriminimit të bazuar në orientimin seksual e identitetin gjinor. “Ndonëse vihen re një sërë arritjesh, Shqipërisë i duhet ende të punojë në të gjitha nivelet për të arritur barazinë dhe dinjitetin për shtetasit e saj që kanë një orientim seksual të ndryshëm”, - vlerësoi Hazizaj. Ndërsa, sipas sociologëve, para viteve '90 homoseksualiteti në Shqipëri ka qenë dukuri e fshehtë dhe ndiqej penalisht, ndaj dhe ishte shumë i kufizuar. Pas viteve ‘90-të, dukuria e homoseksualitetit pësoi ndryshime, të paktën nga ana ligjore, ku u lejuan dhe krijimi i shoqatave për homoseksualët. Për ta luftuar homofobinë, komunitetet me orientim të ndryshëm seksual (LGBT) në vende të ndryshme perëndimore zhvillojnë parada dhe aktivitete të shumëllojshme politike. Shumë organizata dhe sekte religjioze i përkrahin të drejtat e këtij komuniteti dhe janë kundër homofobisë. Shumë ligje janë krijuar për t’iu kundërvënë homofobisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›