E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana, një komedi gri në kryeqytet

Regjisori Alfred Trebicka sjell veprën e dramaturgut italian Angelo Longoni

Ana një shfaqje teatrore brilante, e cilësuar si komedia gri erdhi për disa ditë me radhë në sallën Black Box në Akademinë e Arteve. Një vepër për publikun me vlera artiske, falë punës së regjisorit Alfred Trebicka dhe dy aktorëve, Romir Zalla dhe Marin Orhasani.

Komedia gri është shkruar nga dramaturgu i njohur italian Angelo Longoni, me titullin origjinal Uomini senza donne. Kjo vepër përcjell një gërshetim të natyrshëm të humorit me realitetin. Ngjarjet në këtë komedi vendosen në një apartament, ku në të jetojnë dy miq në moshë të mesme, ku njëri është muzikant saksofonist dhe tjetri është një regjisor marketingu. Nëpërmjet marrëdhënies së tyre apo nëpërmjet episodeve të ndryshme të jetës së tyre në këtë apartament, ku ata të dy bashkëjetojnë zbërthehet i gjithë karakteri mashkullor i dy personazheve. Komedia Ana, e cila erdhi nën interpretimin e dy aktorëve Romir Zalla e Marin Orhanasit dhe më skenografi dhe kostumografi të Ilir Martinit, së shpejti pritet të jetë dhe në skenën e Teatrit Kombëtar. Regjisori Alfred Trebicka tregon pse përzgjodhi këtë pjesë për skenën shqiptare dhe si adaptohet në realitetin skenik vepra e dramaturgut italian Longoni tek publiku shqiptar. Vepra origjinale apo komedia gri e thënë ndryshe, që ne e kemi shqipëruar Ana, por titullin origjinal e ka Uomini senza donne e autorit italian Angelo Longoni, e cila erdhi në Akademinë e Arteve titulli origjinal i saj është Burra pa gra dhe vetë subjekti i kësaj komedie është i tillë, theksoi regjisori Trebicka. Sa i takon subjektit të veprës, më tej ai tregon se: Janë dy miq që bashkëjetojnë në një apartament në një moshë të mesme, një muzikant saksofonist dhe një regjisor reklamash. Nëpërmjet marrëdhënies së tyre apo nëpërmjet episodeve të ndryshme të jetës së tyre në këtë apartament zbërthehet i gjithë karakteri mashkullor. Sa i takon dramaturgut të njohur italian, unë mund të them që autori ka një njohje jashtëzakonisht të mirë të kontekstit, qoftë antropologjik të qenies qoftë social të qenies. Angelo Longoni është gjithashtu dhe një njohës shumë i mirë i dialogut të strukturës dramaturgjike, dhe të gjitha këto elementë e bëjnë veprën e tij që ajo të jetë e niveleve të larta dramaturgjike. Sipas regjisorit Trebicka, vepra në Shqipëri vjen pak me vonesë, pasi ajo është shkruar gati 15 vjet më përpara. Megjithatë nuk është ndonjë problem i madh, e rëndësishme është se duke qenë një mentalitet apo një mendësi italiane, them se është afër mendësisë tonë afër mentalitetit tonë. Vepra ka karakter edhe psikologjik brenda, jo pa qëllim autori e ka etiketuar si një komedi gri dhe jo një komedi e formatit klasik.

Ana, një projekt që priste fondet për tu realizuar
 I pyetur se pse u zgjodh pikërisht kjo vepër e dramaturgut të njohura italian Angel Longoni, regjisori Trebicka tha se ky është një projekt, që realisht ka kohë që bluhet qoftë nga ai, qoftë nga dy aktorët Romir Zalla dhe Marin Orhanasi. Gjithmonë ka qenë problemi i kohës, i mbështetjes financiare dhe i vendit së ku ajo do të vihet në skenë. Më në fund u gjetën akordet me platformën Digital, të cilët janë dhe producentët e këtij projekti. Sigurisht është një projekt i realizuar me dëshirën e mirë profesionale qoftë të timen qoftë të protagonistëve, pastaj futen dhe aksesorë të tjerë siç janë skenografi dhe kostumografi Ilir Martini, pohon regjisori Trebicka. E ndërkohë i pyetur mbi aktorët e rinj, të cilët diplomohen dhe nuk kanë se ku ti shfaqin vlerat e tyre artistike, regjisori pohon se: Sigurisht që të rinjtë kanë nevojë për mbështetje, por më e rëndësishmja është vetëm puna e tyre dhe natyrisht bërja e ligjeve dhe e statusit të artistit, ku të përfshihen edhe artistët e rinj. Hapësirat nuk mungojnë, por duhen kërkuar dhe gjetur. Të rinjtë e talentuar kanë ditur të integrohen në hapësirat e komuniteteve teatrore dhe artistike. Regjisori Alfred Trebicka sot është pa dyshim një nga njerëzit, i cili punon me pasion për teatrin,duke sjellë para publikut vepra të realizuara bukur dhe me vlera artistike.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›